12 lajmet më të lexuara të vitit në TIP

“Kjo botë nuk më përket më”, rrëfimi i një jete nga dirigjenti Riccardo Muti

Ky është një ndër lajmet më të lexuar të vitit 2021 në Tiranapost.al

“Kjo botë nuk më përket më”, rrëfimi i

Mjeshtër, cili është kujtimi juaj i parë?
Lufta: babai im me uniformë si mjek. Pastaj në vitin 1946, një udhëtim me karrocë për në Castel del Monte. U nisëm nga Molfetta, udhëtuam gjithë natën. Në agim, karrocieri Nicola hapi perden dhe u shfaq ajo kurorë prej guri. U habita. Qysh atëherë kam qenë i fiksuar me Frederikun II [Perandor i Shenjtë Romak nga 1220], e kam shtëpinë plot me libra për të. Gjithashtu bleva një copë tokë të vogël afër, me një “trullo” të vogël, të cilën ata e quajnë “casedde”, ku në maj lulëzojnë orkide të egra mes pemëve të ullirit. Shpresoj t'i kaloj në soditjen e kalasë këto vitet e fundit që më kanë mbetur.

Ju mbushni tetëdhjetë pas një muaji.
Dhe jam lodhur nga jeta.

Pse e thoni këtë?
Sepse është një botë që nuk e njoh më, dhe meqë nuk mund të pretendoj që bota të më përshtatet mua, preferoj të hiqem qafe. Siç thuhet te Falstaff-i: “Gjithçka shpërbëhet”.

Po këmbëngul, pse e thoni këtë?
Sepse kam pasur fatin të rritem në vitet ’50, të ndjek liceun e Molfetta-s ku kishte studiuar Salvemini [politikan italian], me mësues jo të egër, por shumë të egër. Mbaj mend një provim latinishteje. Mësuesi më pyeti: “Pluit aqua”, pra çfarë rase është uji? Në vend se të thoja rrjedhoren, u përgjigja emërore. Ai më kapi për veshësh dhe më tundi si të isha një zile. Falë atij profesori, kurrë nuk kam gabuar një citim nga latinishtja. Sot do ta arrestonin.

Ju vjen keq për dënimet fizike?
Sigurisht që jo. Por më vjen keq për seriozitetin. Shpirti me të cilin Frederiku II gdhendi mbi portën e Capua, nën bustin e “Pier delle Vigne” dhe të “Taddeo da Sessa” thënien: “Intrent securi qui quaerunt vivere puri”, pra të hyjnë të sigurtë ata që kanë ndër mend të jetojnë ndershmërisht. Kjo është politika e emigrimit dhe e integrimit që do të duhej të zbatohej.

As zanatin tuaj nuk e njihni më?
Për fat të keq jo. Drejtimi i orkestrës shpesh kthehet në një profesion të rehatshëm. Shpesh të rinjtë vijnë të drejtojnë pa kryer studime të gjata dhe serioze. Merren me vepra monumentale që në fillim të veprimtarisë së tyre, bazuar në efikasitetin e gjestit, nganjëherë edhe të gjestikulacioneve.

Gjestikulacionit?
Toscanini thoshte se krahët janë zgjatim i mendjes. Sot shumë drejtues orkestrash e përdorin podiumin për gjestikulacione të tepërta, për shfaqje, duke kërkuar të prekin një publik që priret më shumë të vlerësojë atë që sheh sesa atë që ndjen.

Emrat.
Nuk dua të shkaktoj polemika personale, i bie të bëj lojën e promotorëve të vetvetes. Mësuesi im, Antonino Votto, thoshte se dirigjenti duhet të thithë pluhurin e skenës. Por orkestrat, koret, këngëtarët ankohen për një mungesë gjithnjë e më të dukshme të informacionit muzikor dhe dramaturgjik nga ana e dirigjentëve. As nuk bëhen më prova serioze.

Si ishin marrëdhëniet me Pavarotti-n?
Nisa të punoja me të në vitin 1969, në Romë, në televizonin Rai. Pastaj kemi pasur çaste fërkimi.

Për ç’arsye?
Gjëra teknike. Mosdakordësi muzikore, por që u kthyen në një miqësi të madhe. I detyrohem Pavarotti-t një prej zërave më të mirë, në mos më i miri, i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ai më ka dhuruar gjëra të mrekullueshme: Një “Pagliacci” të regjistruar në Filadelfia, një “Requiem” të Verdi-t në La Scala dhe mbi të gjitha “Don Carlo” në të cilin Pavarotti, kryesisht në pjesën finale, jep një leksion për teknikën vokale, me një frazë perfekte, vërtetë frymëzuese. Në fjalët “por atje lart do të shihemi në një botë më të mirë” njoh bujarinë e tij. Disa vite para se të vdiste, gruaja ime dhe unë e ftuam në Forlì në një koncert bamirësie për të varurit nga lëndët toksike. Pavarotti erdhi enkas nga Amerika dhe nuk kërkoi asnjë qindarkë, e pagoi vetë biletën e avionit. E shoqërova në piano gjatë gjithë mbrëmjes, përballë shtatë mijë personave. Një gjest që nuk do ta harroj asnjë herë.

Besoni në Zot?
Kam pasur një formim katolik. E kam admiruar shumë papa Ratzinger, edhe si një muzikan të mrekullueshëm. Nuk besoj tek shenjtëritë e Jezuit bjond. Brenda nesh ekziston një energji kozmike që mbijeton sepse është hyjnore. Mbaj mend vdekjen e mamasë sime Gilda: pata ndjesinë se trupi i saj bëhej i rëndë si mermer, teksa çlirohej nga një fluks, nga një energji jetësore. Ndjej që universi përshkohet nga valë zëri që arrijnë tek ne; dhe kjo është arsyeja pse ekziston muzika. Valët e zërit që përshkuan Mozartin janë të pafundme.

Kush e ka dhënë përkufizimin më të mirë për muzikën?
Dante. Parajsa, kënga XIV: “E si një ut o harpë, mirë e kurdisun telash, tin-tin rrin ambël tue kumbue për atë që s’din si notat janë ujdisun, kështu nga dritat që atje ndrinë mbi mue nëpër atë kryq një melodi mbështillej, që më përpinte, hymnin pa e kuptue” [Kjo pjesë e Dantes është marrë nga përkthimi në shqip i veprës nga Pashko Gjeci]. Muzika është rrëmbim, jo mirëkuptim. Kritikët muzikorë të shkojnë në shtëpi! Nuk ka asgjë për t’u kuptuar. Siç thoshte Mozart-i, muzika më e thellë është ajo që ndodhet mes notave, ose prapa notave.

Si e kaluat izolimin?
Duke studiuar “Missa Solemnis” të Beethoven. Është partitura ime e parë e vitit 1970, po punoj prej gjysmë shekulli, por ende nuk guxoj ta dirigjoj. Do ta bëj në gusht në Salzburg. Aty është “Cappella Sistina” e muzikës: vetëm ideja se do t’i afrohem më ka shtënë një frikë të madhe. Ka detaje me rëndësi të jashtëzakonshme. Në “Miserere nobis” Beethoven shtypi një "O", e cila presupozon një bashkëbisedues. Beethoven mendoi se thirrja i drejtohej dikujt. Duket si një detaj, por hap një botë të tërë. Do të thotë se ekziston një Qenie më e lartë.

Pra nuk ka qenë një izolim i keq.
Përveç studimit, ka qenë i tmerrshëm. Çnjerëzorja është bërë edhe më e thellë. Mungesa e marrëdhënieve njerëzore është e tmerrshme. Hyn në restorant dhe sheh në tavolinë pesë njerëz, të gjithë të kërrusur në smartphone-t e tyre. Unë nuk kam një të tillë dhe nuk e dua. Më dhanë një për të hyrë në Japoni, por ia dola të mos e pranoj. Televizioni do të duhej të përfitonte nga izolimi për të krijuar programe edukave, por përveç ndonjë dokumentari të bukur, u pushtuam nga virologët, nga të vetëquajturit “shkencëtarë”. Për mua shkencëtar ishte Guglielmo Marconi!

Nuk i doni emisionet talk-show?
Mund të ndjek një kundërvënie në tetë pjesë muzikore që kryqëzohen me njëra-tjetrën, por nuk i kuptoj dot dy njerëz që flasin me njëri-tjetrin. Ata krijojnë mungesë harmonie, kakofoni; ndërsa tetë linja muzikore, secila e ndryshme nga tjetra, duhet të kontribuojnë në arritjen e harmonisë. Banaliteti i televizionit dhe i internetit, ky argëtim sipërfaqësor, mungesa e bashkëbisedimit më shqetëson shumë për formimin e të rinjve.

Jeni i djathtë apo i majtë?
As njëri dhe as tjetri. Jam ndër ata që përpiqen të japin orientime të duhura. Në Firencen e viteve ’70 isha mik i shumë komunistëve, mes të cilëve konstitucionalistit Paolo Barile. Por meqë pëlqeja fjalë si “atdhe” dhe më pëlqente të ndiqja himnin e Mameli-t, dikush më nuhati si person me ide të djathta. Unë kam lindur njeri i lirë dhe kështu mbetem. Jam rritur me diktatin salvemian, socialist jo-bolshevik. Nuk jam bërë pjesë e ndonjë grupimi ndonjëherë.

A teprohet me të qenit politikisht korrekt edhe në muzikë?
Me lëvizjen “Me Too”, Da Ponte dhe Mozart do të përfundonin në burg. Ndërsa muzikën e Bach, Beethoven dhe Schubert e quajnë si “muzikë kolonialiste”: Si i bëhet tani? Aq më tepër që Schubert ishte një njeri shumë i dashur. Ka një lëvizje sipas së cilës në përgatitjen e një sezoni muzikor, duhet të krijohet një ekulibër mes burrave, grave, ngjyrave të lëkurës, transgjinorëve, në mënyrë që të gjitha çështjet sociale, etnike dhe gjenetike të përfaqësohen. Më duket e çuditshme. Zgjedhjet duhet të bëhen në bazë të vlerës dhe të talentit. Pa diskriminime, në çdolloj kuptimi. Dhe mund ta them këtë sepse pjesa më e madhe e “Composers-in-Residence” që kemi pritur gjatë gjithë këtyre dhjetë viteve në Chicago kanë qenë gra.

Është e vërtetë se kur ishit fëmijë, mendonin se nuk kishit talent?
Babai më dhuroi një violinë për Krishtlindje. Unë qava, sepse doja një pushkë. Pas dy muajsh përpjekjesh të pasuksesshme për të lexuar solfezhin, babai tha: "Riccardo i vogël nuk ka talent për muzikë". Mamaja kundërshtoi: "Le të provojmë edhe një muaj". Papritmas mësova të bëj solfezhin. Por takimi vendimtar ishte me Nino Rota-n”.

Kompozitorin e filmave të Fellini-t?
Me të dhashë provimin e kursit të pestë të pianos. Më vuri 10 në të gjitha provimet. Kështu që vendosa të regjistrohem në konservator. Në mëngjes shkoja në shkollën e mesme, pasdite merrja autobusin për në Bari.

Si i lodhur nga jeta, jeni shumë aktiv.
Besoj tek udhëtimet me miqtë dhe te paqja. Nuk punohet për sukses, për sasinë e duartrokitjeve dhe të artikujve, por e bën sepse kupton që profesioni është një mision. Kam drejtuar koncertin e parë në Sarajevë pas bombardimeve dhe “Va pensiero”në New York në boshllëkun e lënë pas shembjes së Kullave Binjake. Një mbrëmje drejtova në Erevan në Armeni, dhe ditën pasardhëse në Stamboll. Mbaj mend në Nairobi një kor të mrekullueshëm fëmijësh: e kishin studiuar “Va pensiero” duke arritur një shqiptim perfekt, ende prekem kur e mendoj. Por ndonjëherë më duket se u flas të shurdhërve. Muti u flet të shurdhërve... Dëshpëruese. Nuk është mungesë vullneti, është injorancë ataviste. E të mendosh që rrënjët e muzikës botërore janë në Itali: Palestrina, Monteverdi, Frescobaldi, Luca Marenzio, Scarlatti...

Keni frikë nga vdekja?
Jo. Që fëmijë shkoja darkave në varreza për të parë iluzionet e dritave. Kam njohur edhe vajtuesen e fundit, Giustina: tregonte lutjet e të vdekurit të shtrirë në shtratin e dhomës së vetme të shtëpisë, me portën e hapur në rrugë, me murin ku vareshin fotografitë e vëllait ushtar dhe të xhaxhait të guximshëm. Një botë e thjeshtë dhe fantastike, që më mungon shumë. Për këtë arsye them se i përkas një epoke tjetër. Sot bota ecën kaq shpejt, merr përpara çdo gjë, edhe këto gjërat e thjeshta që mbartin në vetvete.

Pra nuk i druheni fundit?
Jo në vetvete. Më vjen keq të ndahem nga të dashurit. Nga bashkëshortja ime, nga fëmijët Francesco, Chiara dhe Domenico, nga nipërit. Por edhe nga kafshët.

Nga cilat kafshë?
Nga qeni maltez Cooper. Në fshat kemi pëllumba, lepuj, pula e gjela dhe dy gomerë nga Sardenja, Gaetano dhe Lampo. Shumë inteligjentë. Lidhen shumë me ne dhe na shohin në mënyrë pyetëse me sytë e tyre rozë.

Si do ta donit funeralin tuaj?
Me shaka them se do të lë listën e pjesëve muzikore që do të interpretohen në kishë me regjistrim, drejtuar rreptësisht nga unë.

Pse?
Jo sepse mendoj se janë më të mirat. Por dua që të kujtohet se si unë drejtova Mozart, Schubert, Brahms. Nëse nuk jam unë, do ta kuptoja menjëherë dhe me shumë gjasa do të dilja nga arkivoli. Por ka një gjë tjetër për të cilën jam shumë serioz.

Cila?
Në funeralin tim nuk dua duartrokitje. Jam rritur në një botë ku në funerale mbretëronte një heshtje tmerruese. Çdokush ishte i mbyllur në heshtjen e tij të vërtetë a të rreme. Për më të kamurit, ishte banda muzikore që luante “Stabat Mater” të Rossini-t ose marshime funebre molfeteze, shumë të njohura në Puglia. Duatrokitjet e para i mbaj mend në funeralin e Totò-së dhe të Magnani-t, por ishin mirënjohje për aftësitë e tyre interpretuese që nxirrnin në pah shpirtin e Napolit, Romës, të të gjithë kombit. Kur të jetë radha ime, do të doja të ishte heshtje absolute. Nëse dikush duartrokitet, betohem se do të kthehem ta shqetësoj natën, në momentet më intime.

*Riccardo Muti është dirigjent italian. Për njëzetë vite ka qenë drejtues muzikor i “Teatro alla Scala” në Milano, ndërsa prej vitit 2010 është drejtor i “Chicago Symphony Orchestra”. Kjo intervistë me Aldo Cazullo në “Corriere Della Sera” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.