Librat e Arlindës

Verë e bukur me libra të bukur…

Pranë librave. Shijoj pa fund këtë periudhë gjatë së cilës marr dhe shumë pyetje për të këshilluar se ç’duhet apo ç’mund të lexojmë. Ndaj po përpiqem të paraqes disa, duke u bazuar më shumë tek ata që sapo janë botuar:

Arlinda Dudaj/ Tani është periudha më e dashur e vitit, plot vibrime e ngjyra të ndritshme. Koha që të gjithë na çon drejt plazhit, nën ngrohtësinë e artë të diellit, pranë detit e notit, akullores, çadrës, solarëve, rrobave të banjës, kapeleve strehëgjera, shapkave me gisht, peshqirëve shumëngjyrësh dhe sigurisht pranë dashurisë më të pakusht, asaj që të robëron dhe s’të bën të vuash, përveçse të fal ndjesi turlilloj dhe ta bën mendjen më të bukur. Pranë librave. Shijoj pa fund këtë periudhë gjatë së cilës marr dhe shumë pyetje për të këshilluar se ç’duhet apo ç’mund të lexojmë. Ndaj po përpiqem të paraqes disa, duke u bazuar më shumë tek ata që sapo janë botuar:

“Origjina” e Dan Brown kryeson listën e librave të detit, që mbledh në një mendje një grup të madh lexuesish. Aventura e profesor Langdonit dhe drejtoreshës së muzeut Ambra Vidalit, që nuk është tjetër veçse mbretëresha e ardhshme e Spanjës. Gjithashtu dhe një shkencëtar gjenial, Edmund Kirsh që duket se ka zbuluar përgjigjen e një pyetjeje që e ka munduar njerëzimin prej mijëra shekujsh: Nga erdhëm ne? Ku e ka gjenezën qenia njerëzore? Mosmarrëveshja mes shkencës e fesë dhe teoritë e ndryshme që përplasen mes tyre, duke shkaktuar një kaos edhe më të madh se vetë pyetja. Ka kaq shumë sfond të gjallë e të vërtetash në të gjitha romanet e Dan Brown, dhe kjo bëhet gjithashtu një tjetër çengel që e tërheq lexuesin në brendinë e atyre 616 faqeve të mrekullueshme, të cilat pasi i përpin të vjen keq që i mbarove. Ata do të nisen në drejtim të Barcelonës për të shkuar drejt e në strehën e Kirshit, një vepër e mahnitshme e Gaudit. Rrugëtimi do të kalojë nëpër një labirint të mahnitshëm misteri, veprash arti, emrash e tekstesh të njohura shkrimtarësh në kërkim të së vërtetës së madhe: Nga erdhëm ne?

Por pyetja që djeg më shumë është: Ku po shkojmë?

Përgjigjet si përherë te Dan Brown janë të paimagjinueshme.

“Shuma e ditëve” nga Isabel Allende. Një nga shkrimtaret më të dashura për shqiptarët, dashuri me shikim të parë që ka nisur që me “Shtëpinë e shpirtrave”. Ajo na lëkund këndshëm në rrëfimet e saj me realizmin e saj magjik, me feminitetin që e përfton si një frymë në tërë librat e saj, me sinqeritetin, vëzhgimin e thellë. Te ky libër ajo rrëfen jetën e saj në Amerikë, pas emigrimit nga Kili e më pas Venezuela. Dhe është aq e vërtetë Isabel tek tregon aq bukur, siç vetëm ajo di ta bëjë, sesa të forta janë diferencat kulturore, sa e vështirë është ta kuptosh dhe të kuptohesh nga dikë me të cilin je rritur në kushte e mentalitet katërcipërisht të ndryshëm. Kush më mirë se ne shqiptarët do ta kuptonte këtë ndjesi. Dhe sigurisht bija e saj Paula, e cila frymon në çdo faqe, si një shpirt pluskues që e ndjek të ëmën në çdo hap, si për të na pohuar se dashuria për fëmijën është ajo më e pabesueshmja, më e paana e e pakusht.

“Zogu Ogurzi” i Camilla Lackberg na çon në Suedi. Kjo është magjia e librave gjithashtu, ata kanë fuqinë të na shpien në skajin më të largët të botës duke i shfletuar dhe përpirë rreshtat. Dhe kjo shkrimtare e njohur shumë dhe për publikun shqiptar tashmë, vjen me librin e saj të katërt në shqip, pas “Princesha prej akulli”, “Predikuesi” e “Gurskalitësi”. Libra të cilat i bashkon vendi, qyteza Fjellbaka dhe detektivi Patrik Hedstrom e partnerja e tij e jetës, shkrimtarja Erika Falk, të cilët në këtë libër ata do të martohen e po bëhen gati për dasmën e tyre, teksa e gjithë qyteza tronditet nga zhdukja e një gruaje. Dhe si përherë shpejtësia në veprime e Patrikut dhe mendja e mprehtë e Erikës për t’u futur në psikologjinë e njeriut do të arrijnë në zbulime të pabesueshme.

“Bashkëpunëtori” nga John Grisham, një tjetër shkrimtar shumë i ndjekur nga lexuesi, na shpie sërish në Amerikë, aty ku lojërat më të mëdha të pushtetit luhen nëpër sallat e gjyqeve. Një avokat i zgjuar dhe shumë i zoti, Kajl Mekevoj, do të gjendet në një kurth për shkak të një shantazhi që i bëjnë disa njerëz të pushtetshëm me një video nga e kaluara. Si do t’ia dalë mbanë të kalojë mbi të? Shtrohen gjithashtu dhe shumë pyetje mbi etikën dhe kufijtë e hollë që e ndan të mirën nga e keqja.

“Vreshti i Anxhelikës” nga Sveva Casati Modignani. Shkrimtarja e dashur e grave, dhe jo vetëm ka mbërritur në shqip me librin e saj të fundit. Anxhelika është një grua e fortë dhe e bukur që drejton një biznes të suksesshëm të verës në pronën e saj. Ndërkohë jeta e saj komplikohet nga një tradhti e burrit të saj që duket sikur shemb befas gjithë çka ajo kish ndërtuar. Por Anxhelika do të dijë të ngrihet duke gjetur forca në ato çfarë ka krijuar me duart e veta. Ky libër ka shumë aromë Italie, verë të mirë, ushqim të shijshëm gatuar plot dashuri dhe rrëfimi i Svevës si përherë të rrëmben faqe pas faqeje.

Dhe “Ajo e errëta” nga Enkelejd Lamaj, i fundit po jo për nga rëndësia është libri i një shkrimtari shqiptar. Tek nis ta lexosh të duket se po lexon një thriller shkrimtari të huaj mjeshtër të romaneve të verdha, po tek sheh se ku ambjentohen ngjarjet, kupton sakaq se je në Shqipëri, në qytete që i njeh, me emra të dëgjuar njerëzish. Ndihet ndikimi i shkrimtarëve të njohur të këtij zhanri tek Enkelejd Lamaj, por po aq fort ndihet edhe origjinaliteti i tij i cili mund të thuhet me plot gojën se e rendit këtë shkrimtar relativisht të ri në majat e emrave të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Lexim të mbarë!!!

*Blohu "Librat e Arlindës"