• Shqip
  • English
  • E shtunë, 25 Janar 2020
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Të gjitha Tv/Media

    Urrejtja ndaj bukurisë


    Esencë editori/ “-Po Lasgushi ynë sot, a thua do jetë i treti i vërteti? Inshalah!, – i them me humor, meqë jemi edhe për Stamboll, profesor Lutit, i cili më duket i vetmi që nuk e nget ajo që thuhet nëpër rrjet. Duket si i mësuar dhe fundja jelekun e shpëtimit njeriu e ka në mendje më shumë sesa poshtë karriges. Mirë bën! Ervisi lexon në shqip ende rregullat, ndërsa Lasgushi po ngrihet për një udhëtim me gazetarë, reporterë, fotografë dhe plot thashetheme mbi fletët e trupit të tij.”

    Para se të hyja në avion, shkrepa një foto, të cilën e postova në Instastory. Isha unë dhe pas meje një pjesë e avionit me emrin Air Albania dhe flamurin kuqezi. Tagova linjën shqiptare, e cila kish një adresë në Instagram (sigurisht, do më dukej anadollake të mos e kishin një të tillë) dhe e zbukurova me emojin që duartroket dhe ‘post’.

    Stjuardesat shqiptare janë pak të emocionuara. Gazetarët janë pak të rezervuar, pjesa dërrmuese reporterë e kameramanë, fotografë, me të cilët njihemi prej vitesh. Tirana një dorë është edhe bota jonë nuk është aq multisociale. Dikush e kalon me batuta, si Anila Basha, dikush me ironi, dikush rri në heshtje para zhurmës akuzuese/mallkuese në rrjet, që shoqëron udhëtimin e gazetarëve të aeroplanit. Ulem në sediljen time, e cila është e pastër, e re, e rehatshme dhe përballë lexoj në shqip: Jeleku i shpëtimit ndodhet poshtë karriges tuaj. E fotografoj si një detaj të bukur të shqipes në ajër, pa menduar se do më duhet ta përdor.

    Pak para se kapiteni të ndezë motorët, nënkapiteni Ervis Maja (që na doli edhe kushëriri i Anjeza Majës, se siç e thashë një dorë vend jemi) lexon me një emocion të lehtë rregullat në shqip dhe anglisht.

    Lutfi Dervishi ndodhet pas sediljes time dhe më tregon se për të nuk është hera e parë që fluturon me një linjë shqiptare. Albanian Airlines apo edhe ajo linja e Bashës, Belle Air, qenë marka shqiptare që fluturuan qiejve, por i parkuan qeveritë.

    – Çfarë ndodhi me Albanian Airlines apo me atë tjetrin e Bashës? – e pyes.

    – Taksat dhe sipas qeverive e kanë pasur fatin linjat shqiptare.

    -Po Lasgushi ynë sot, a thua do jetë i treti i vërteti? Inshalah!, – i them me humor, meqë jemi edhe për Stamboll, profesor Lutit, i cili më duket i vetmi që nuk e nget ajo që thuhet nëpër rrjet. Duket si i mësuar dhe fundja jelekun e shpëtimit njeriu e ka në mendje më shumë sesa poshtë karriges. Mirë bën!

    Ervisi lexon në shqip ende rregullat, ndërsa Lasgushi po ngrihet për një udhëtim me gazetarë, reporterë, fotografë dhe plot thashetheme mbi fletët e trupit të tij.

    Stjuardesat shpërndajnë disa kufje ngjyrë blu, të cilat lidhen me sediljen tënde dhe mund të dëgjosh muzikë. Ka muzikë klasike dhe turke, për momentin. Klasikja është më qetësuese, sigurisht!

    Kateringu i avionit është i mirë. Unë preferoj gjithmonë Coca-Cola në avion dhe ndonjë panine, por kurrë të ëmbla dhe kafe.

    Mbërrijmë në Stamboll. Koha është me diell dhe deti të del nga të gjitha anët. Qyteti është romantik, tërheqës dhe aq i madh sa të gjithë të thonë se, ose duhet të rrish dy javë ose ata që vijnë shpesh të tregojnë se ka gjithmonë një gjë të re për të bërë në këtë qytet.

    Në autobus ciceronia thotë përmendësh pak histori. E nis me orakullin, më pas me bizantinët, Konstandinopojën e cila pushtohet nga Sulltan Mehmeti në vitet 1400 dhe nga kristiane bëhet islame por duke ruajtur kisha dhe xhami. Istambul, quhej atëherë ose ndryshe qyteti i islamit dhe më vonë krenaria më e madhe e turqve, Qemal Ataturku, me rrënojat e perandorisë osmane shpalli Republikën Turke dhe osmanët u quajtën turq. Vizita e parë është në Portën e Lartë, siç turqit e quajnë Topë Kapi. Është ajo porta që shihni në telenovelat e Klan-it dhe kur hyje brenda ose dilje padishah ose me kokë të prerë, si versioni i fundit rasti më i famshëm për një shqiptar, ai i Ali Pashë Tepelenës, që sot e kësaj dite nuk e kuptoj si kemi mundur të kemi një valle që e kërcejmë nëpër dasma: Koka në Stamboll e trupi në Janinë, të vranë Ali Pashë….

    Brenda Portës së Lartë nuk sheh ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Madje zhgënjimi i Shpëtim Nazarkos është i rëndë: “Si ka mundësi kaq pa arkitekturë, pa vizion osmanët? Rusët janë komplet gjë tjetër. Boll t’u shohësh si kanë ndërtuar dhe jetuar. Aristokraci e gjallë!”.

    Drekën e kemi buzë detit. Ermal Mamaqi është kripa (Një videokoment të tijin për Tiranapost.al në fund të artikullit) dhe sheqeri dhe duhet të gjesh momentin e duhur për të pirë një gotë ujë, se pothuaj është e pamundur. Nuk shërbehet alkool! Kanella dhe erëzat e tyre të çajnë hundët dhe nuk është se më pëlqen.

    Pjesa më e bukur e udhëtimit është shëtitja me anije nën Bosfor. Pasi kalojmë Taksim Square ndalojmë tek anija dhe nisim shëtitjen. Është duke rënë muzgu dhe darkat e Stambollit janë tipike të freskëta edhe në verë. Madje në shtator bën edhe ftohtë dhe ekipi kujdeset të shpërndajë shaje të ngrohtë, por sot nuk bën aq ftohtë. Çdo gjë shkon vaj, edhe deti. Stambolli është mistik. Deti ndan dy anët e qytetit: Azinë në të djathtë dhe Europën në të majtë. Të gjitha fotot i bëra nga Europa.

    Kalojmë plot dy orë në anije dhe më pas ankorojmë për të marrë autobusët dhe për t’u rikthyer në aeroport, ku na pret Lasgushi. Ulemi të gjithë dhe bëhemi gati për t’u kthyer në Tiranë. Kontrolloj telefonin, sa kam pak valë dhe internet. Një adresë anonime shkruan poshtë fotos që kisha postuar në mëngjes: një avion me emrin e Shqipërisë, një flamur kuqezi dhe veç me dëshirën e mirë për të promovuar një ambicie shqipesh me ndjekësit e Tiranapost në instagram:

    “S’të ha mortja ty, moj supergazetare, që shkon me avionin e Edi Ramës…”

    I përgjigjem: “Epo zi për Bashën nuk do mbajmë!”.

    Kur ulemi në pistën e Rinasit, m’u kujtua Konica, të cilit po ia marr hua disa rreshta, që kanë përgjigjen e denjë për marrinë e disave online, helmin, mallkimet me vdekje, rrëzim avioni, mosgjetje jeleku poshtë karriges, kurva, lëpirës, kazanë…

    “Ashtu kuptova se në të vërtetë kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me njëmijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh”.

    Reportazh dedikuar Air Albania për udhëtimin e 21 shtatorit me një grup gazetarësh në Stamboll.

    Mira Kazhani

    24 shtator 2018

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post