Aktualitet

Udhëtimet e Ramës dhe A-ja si përgjigje ose shpullë

Enkel Demi/ Pas thirrjes së Tërmetit: “Të na rrojë sa malet ky burri, se ky po na i bën të gjitha!”, u çua dhe njëri që pat’ ardhur nga ana e anës, i lodhur nga zhegu i hershëm i vapës, mundimi i dëgjesës tërkuzë, por i lumtur që dikur fitoi të drejtën dhe mori fjalën:

- Zoti “Të na rrosh sa malet…”, unë kam hallin e shtëpisë, të hipotekës ta ngas llafin…

- Jooo, mos e zgjat më!, i tha zotëria që na i bën të gjitha. Mos e zgjat fare! Shkruaj në portalin shqiperiaqeduam.al dhe për dhjetë ditë merr përgjigje.

- A?, lëshon pasthirrmën robi. Por, unë…, tenton të vazhdojë ai.

- Mos e zgjat pra të thashë! Mos na ha kohën kot. Shkruaj te shqiperiaqeduam.com dhe merr përgjigje. Hajde tjetri! Radha!

- A?, thotë dhe tjetri.

Dhe kështu po shkon më së miri bashkëqeverisja si një tur madhështor që njerëzit të njohin më nga afër shqiperiaqeduam.al për të qarë hallet, por edhe për të bërë ndonjë spiunim të vogël, se popull fuksash e kalecash kemi qenë gjithë jetën.

Pas tubimit fshatarë e qytetarë në një farë moshe, të cilët e kanë ende zakonin që ta çelin televizorin në orën 20.00, se atëherë jep lajmet TVSH-ja, duhet të gjejnë përgjigje për këtë fjalë të çuditshme “shqiperiaqeduam.al”. Por, pa merak, kanë me e gjet’ dhe pastaj do shpërthejnë.

Kjo më kujton atë zotërinë që më erdhi do vite më parë drejt e në zyrën e kryeredaktorit në TV Klan dhe më tha se në aksh katund të Tiranës kishin zbritur UFO-t, teksa ai përbetohej se i kishte parë të bisedonin me gomerët. Reagimi im i parë ishte:

- A?

Dhe ai ma priti gjithë nerva:

- Po ti nuk merrke vesh fare nga ufologjia!

Ku ta dija unë i gjori, që në vitin 2018 shqiperiaqeduam.al pret ankesa nga punëtoria e fshatarësia me katër klasë shkollë dhe Notis do vinte në Tiranë si ufolog që është.

Në gjithë këtë rrethrrotullim të bashkëqeverisjes, mua më ka lindur veç një pyetje: Përse lodhet shefi duke vajtur kudo nëpër atdhe, meqë nuk jep përgjigje për pyetjet që i bëjnë, por thjesht u thotë shkruani në shqiperiaqeduam.al… Komisarët e partisë mund të ishin kasnecë të këtij lajmi të mirë dhe padyshim që ai fshatari i gërxheve të Tepelenës apo malësori i Dukagjinit do ta nxënin gjithë këtë mundësi të artë dhe më në fund do të kandiseshin të shkruanin në shqiperiaqeduam.al, sepse ata e duan Shqipërinë që ç’ke me të dhe kaq borxh ia kanë.

Megjithatë, tani jam penduar keqas që nuk çova dikë në atë katundin e Tiranës të intervistonte gomerët që patën biseduar me UFO-t.

Blogu “C’è posta per te” nga Enkel Demi

*Kjo është një rubrikë e tiranapost.al/ Ndalohet ripostimi pa lejën e editorit