• Shqip
  • English
  • E enjte, 18 Prill 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Kontribues Shëndeti Ynë i Mendjes Te gjitha

    T’ia fillosh nga e pamundura


    Esencë editori/Kapacitetin për t’u përshtatur e për të ndryshuar e kemi të gjithë, por shpesh ndihemi të pafuqishëm para traumave që përsërisim pa kuptuar…

    Dr. Anxhela Gramo, Psikoterapiste

    Sa herë e gjejmë veten të acaruar pa shkak, ngremë zërin apo arrijmë në pikën ku fyejmë e shajmë, kur edhe mund të shmangim reagime të tilla?

    Nivelet e shpërthimit emocional mund t’i dallojmë kur na cënojnë drejtpërsëdrejti psikologjikisht. Tek të tjerët është më e thjeshtë të evidentosh atë që nuk shkon, akoma me lehtë e kemi te nxitojmë e të thurim paragjykime për ‘ata që nuk janë në terezi’, ose ‘njerëzit me probleme’. A nuk është kjo, një mënyrë shpërthimi e pajustifikuar ndaj tjetrit, të cilën ‘ne’ refuzojmë ta kuptojmë thjesht dhe vetëm se nuk pranojmë sesa pak dimë për veten? We act upon what we cannot control – na kujton shkolla psikanalitike. Shpesh dështojmë së manifestuari një standart të dëshiruar sjelljeje, dhe kjo është e pritshme. Është e pamundur t’iu bëjmë roje instinkteve tona kur telashet e së përditshmes na marrin përpara pa na pyetur. Problemi fillon kur humbasim aty dhe sensin e kohës, e gradualisht kemi filluar të kundërveprojmë ndaj vetes. Dita fillon me ndjesinë për ta hequr qafe dhe mbyllet me ankthin e të shtyrit të natës së gjatë e të pagjumë.

    Ajo me të cilën përballemi shndërrohet në një gjendje zbrazëtie rutine të cilës i shmangemi duke u marrë me cdo gjë tjetër jashtë nesh: aty ku është më lehtë te ndihemi në kontroll të asaj që nuk kontrollojmë dot tek vetja. Emocionet negative zhvillohen kështu në një truall të favorshëm ku mekanizmat e brendshëm të vetëkontrollit nuk funksionojnë sic duhet. Trishtimit dhe zemërimit të pavetëdijshëm për vuajtjet dhe vështirësitë trashëguar ndër breza brenda familjes, u shtohen ngarkesa negative të jetës personale të së tashmes psh, kur abuzimi dhe dhuna kthehet në normë; kur besimi ynë thyhet nga miqtë më të ngushtë, kur prindi, apo partneri nuk na kupton etj. Situata si këto ngacmojnë gjurmë të kujtesës emocionale të së shkuarës (asaj të cilës mund t’ia gjejmë fillin vetëm gjatë psikoterapisë). Me reagimet tona, të motivuara prej vulnerabilitetit psikologjik me qëllim (aspak të vetëdijshëm) fshehjen e tij, shpeshherë ne ‘sulmojmë’ dikë tjetër. Në pamundësi për të përmbajtur e menaxhuar impulset tona, mund të arrijmë në pikën ku lëndojmë miqtë e të afërmit tanë. E kur këto reagime, vazhdojnë për një kohë të gjatë, atëherë ato bëhen shkak për dëmtimin apo nderprerjen e marrëdhënieve tona të rëndësishme, dëm ky i pakthyeshëm në shumicën e rasteve. Atëherë ndoshta, fillojmë të ndjejmë humbjen, një ndjesi që takojmë gjatë jetës në mënyrë të përsëritur.

    Traumat kolektive pavarësisht natyrës, kanë zënë vend në botën tonë të brendshme, ndaj nuk është e rastësishme që një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve nuk duan të merren me to. Kjo indiferencë krijon një efekt mpirjeje emocionale që e disocion personin nga dhimbjet (humbjet) e të shkuarës, si rezultat i së cilës, reagimet tona vetë-shkatërruese bëhen të vetmet mënyra për të përballur realitetin e pakuptimtë.

    M’u kujtua Morris Nitsun, nje analist grupi, kur gjatë një konference mbi traumat sociale ndër të tjera, përmendi se trauma nuk paraqet vetëm një rast qe e përball individin me vuajtjen dhe humbjen, por edhe nje mundësi për të rikrijuar veten.

    Psikoterapia është një metodë pune ndihmëse që e afron individin me mundësinë për t’u ripërtërirë emocionalisht, e për t’u aftësuar gjatë procesit të rritjes personale post traume e mbështetur kjo, dhe nga studimet e kēsaj fushe. Kapacitetin për t’u përshtatur e për të ndryshuar e kemi të gjithë, por shpesh ndihemi të pafuqishëm para traumave që përsërisim pa kuptuar./Blogu – Shëndeti ynë i mendjes/ Copyright Tiranapost.al