Mira Kazhani/ Nuk di nga t’ia nis më parë për ditën e sotme, por po zgjedh drekën, momentin kur u dha vendimi për 23 protestuesit e Kukësit. Më erdhi keq dhe shpresova deri në dekikë të fundit që të gjithë të liroheshin dhe aty të matnim forcën e kuksianëve dhe atë të Lul Bashës.
Them kështu, se Lul Basha është duke i përdorur dhe manipuluar kuksianët e protestës. Ai nuk iu doli për zot atyre kur kaloi taksa me VKM dhe sidomos nuk u del dot për zot sot, krah LSI-së, që është firmëtarja e koncensionit.
Sa për mëngjesin: pamjet ishin si një kasetë e vjetër. Një film që e shohim shpesh. E pamë edhe vjet 3 muaj në çadër, dhe për kë ka memorie duhet të dijë, se Lul Basha të le në baltë, siç la shumë njerëz që i qëndruan me sanduiç në çadër, në të ftohtë, në diell, në besë të tij.
E kemi parë edhe me Edi Ramën këtë pamje, edhe me Taulant Ballën, që hipte dikur mbi policët, edhe "21 Janarin" apo "Gërdecin", apo grevën e gjatë të urisë, që as uria e Elsa Lilës nuk e bëri dot melodinë e pushtetit. Në pushtet nuk vihet me dhunë, sepse askush nuk ka ardhur e nuk do të vijë. Edi Rama, pavarësisht opozitës së dhunshme, erdhi në pushtet kur hoqi dorë nga këshillat me gjak. Sali Berisha nuk erdhi dot në pushtet as kur ia vranë heroin e demokracisë, Azem Hajdarin, as kur arkëmorti i tij kaloi para kryeministrisë. PD-ja erdhi vetëm kur gjeti formulën, hapi derën e ideve, fytyrave të reja dhe intelektualëve të vjetër.
Sot, PD-ja, pikërisht se shpartalloi idenë, është në pikë të zezë dhe qurravitet pas dhunës. Dhuna është fundi i çdo logjike, por, sot, opozita, në përpjekje për t’i bërë varrin Edi Ramës, po ia bën vetes. Sa për Edi Ramën, në qoftë frikacak, amin o Zot, sa i duhet këtij vendi një politikan që ka frikë. Fatkeqësitë na kanë ardhur nga ata që s’kanë pasur frikë.
Sa për kuksianët; të lirë do t'i shërbenin më shumë demokracisë. Në burg janë veç ushqim për kauzën e neveritshme të opozitës dhe një hall më shumë për shtëpitë e tyre, një pjesë të lodhura e drobitura nga pamundësia e politikanët mashtrues që kanë parë këto 27 vjet. Pse, naivë i dini kuksianët apo popullin në fund?!
Shihni si është votuar në 28 vjet dhe bëhuni krenarë që jeni shqiptarë. Sa për Lulin, ka dhënë disa herë prova që nuk është dot kuksian! 25 rreshtat e Mirës është një rubrikë e përditshme e tiranapost.al