25 Rreshtat e Mirës

Shokët e çadrës përbri

Shokët e çadrës përbri

Nga Mira Kazhani/ Në Jal ishte një diell djegagur dhe pikun e kalova në dhomë. Kur u ktheva, dallova prej së largu disa të rinj të ulur pothuajse në zonën e shezlongut tim. Afrohem e qetë, se tek e fundit - thashë me vete - nuk janë nga ato fytyrat që u thërrasin skiftera dhe kjo do ishte e tmerrshme dhe rrezikon të ta bëjë fundjavën si paraburgim me det. Një grup të rinjsh, që nga bisedat janë ose në universitet ose në master. Nuk duken më shumë se 22-23-vjeçarë. Flasin një anglishte ujë dhe tema moskokëçarëse por që reflektojnë një nivel mbi mesatar dhe parandjej që janë tipa dhjetash në shkollë, por siç ndodh me pushime, njerëzit i dorëzohen një lumturie që duket që nga temat e lehta dhe rregullat që thyhen: gjumi, ushqimi dhe stakimi me detyrat ndaj jetës. -A mund ta di sa vjeç jeni? -22 pak a shumë, të gjithë,- më përgjigjet një djalë që zotëron një komunikim të mirë dhe nuk ngjan me dy djem të moshës së tij tre çadra më tutje, që mbajnë varëse floriri të trasha dhe sillen sikur janë 40 vjeç. Por ata s’më interesojnë dhe përqendrohem tek grupi. Ky djali që më përgjigjet me edukatë, mësoj se studion në Angli. Ndërkohë, një vajzë pak si topçe, me dhëmbët e bardhë akull, ka ardhur nga Amerika (më vonë mësova që studion atje) dhe diskuton me shoqet gjithë batuta të ëmbla për Shqipërinë, sepse sa herë vjen i duhet të jetë e kujdesshme me çfarë nxjerr nga goja, se jemi gati për keqinterpretim. Nuk ia kujtoj dot emrin, por ishte plot karakter dhe bisedat e shokëve përbri çadrës nisa t'i përgjoj me kënaqësinë që të jep një libër i mirë, madje ky edhe më i vlefshëm. Jam gjithmonë kurioze të di se si janë të rinjtë e sotëm, çfarë thonë ata, çfarë ëndërrojnë dhe sidomos si jetojnë. Po, ata pëlqenin të pinin pak xhin dhe vodka në mbrëmje. I dëgjoja që mezi prisnin për një gotë të mirë në darkë. Ishin të mezipritur për këtë fundjavë. Siç thoshin dhe vetë, pas provimeve të duket sikur del nga një jetë e futesh në tjetrën. Janë plot adrenalinë dhe më pëlqen që nuk janë tipa të mërzitshëm; edhe të shkollës, edhe të qejfit! Çdo gjë në kohën e vet. Gjatë gjithë kohës binte telefoni i ndonjërit. Ishte ose një grup tjetër ose një shoqe me emra si Bora, Ada, etj., që udhëtonin ndërkaq drejt Jugut për t’iu bashkuar grupit. Erdhi një afrikane, e cila ishte në fakt britanike dhe shoqe e njërës prej shqiptareve që studionte atje. Dy francezë motër e vëlla gjithashtu ishin bërë pjesë e fundjavës në Jugun shqiptar prej miqësive me dy nga të rinjtë. Ines është një studente në Pragë për International Security dhe me të bëra një copë bisedë. -Jeni tipa dhjetash apo më duket mua? Inesi qesh, rrotullon sytë nga të gjithë dhe më thotë “po”. -Po këta të huajt, i keni sjellë ju? -Po, janë miq me disa prej nesh dhe i kemi ftuar të shohin Jugun e Shqipërisë. - Ku do punosh ti me këtë shkollën që po bën? Në Nato, në Ministrinë e Jashtme? Do ktheheni në Shqipëri? -Atë duam. Në mos, në Europë. -Po një ditë ne do jemi edhe Europa, - i them. - Po ne atë shpresojmë, po është komplekse shumë. Duhet ta duam të gjithë, - thotë Inesi! Dhe e pashë që po kishte dëshirë të pushonte pak nën rrezet e ngrohta të buzëperëndimit dhe preferova të mos fut më shumë hundët në çadrën e të rinjve, të cilët rrezatonin pamjen e pushimeve prej vërteti: atë që rrallë e sheh në Jugun tonë, mbushur me skiftera jo rrallë herë. Pak përshkrim: Në det tani po lahen francezët, britanikja me ADN afrikane fol e qesh me vajzat shqiptare, një tjetër sapo porositi kokteje dhe birra. Asnjëri nuk duket që të ketë një histori dashurie në mes. Janë dukshëm vetëm shokë të vjetër klase dhe mendoj se përbri çadrës sime është Shqipëria në Europë. Kaq afër, kaq e thjeshtë, me një anglishte si shpirt, me disa fytyra pa tualet, pa thonj të gjatë akriliku, me veshje të bukura si në Pinterest, që po tokin gotat e tyre. Britaniko-afrikania po përdredh belin teksa dëgjon muzikën më sfond, dy shoqe të saporitakuara po përqafohen me mall, një tjetër po shijon një birrë të ftohtë. Janë aq të mirë, sa të bëjnë të besosh se Europën po e sjellin avash- avash ata që s’i njeh askush, por që me sjelljen e tyre janë kartolina e Europës shqiptare! - Rubrika 25 rreshtat e Mirës është e përditshme dhe nuk lejohet ribotimi pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]