Aktualitet

Shkrimin që nuk e bëra për Kroacinë

Nga Enkel Demi/ Mira më dërgon një mesazh dhe më thotë: “Kel, ma bëj një shkrim për Kroacinë, se ti merr vesh nga futbolli”. Në fakt, unë nuk marrë vesh nga futbolli, jam ndjekës i tij. Në shtëpinë tonë, Saimiri, im vëlla e qan e këtë punë. Megjithatë u nisa të rreshtoj nja dy fjalë, por më parë thashë të bëjë një lundrim në rrjet, meqë dhe koha po mban. Kur befas hasa në qëndrime turlilloj, të cilat ma bënë kokën lëmsh.

I pari, ishte një shkrimtar shqiptar që i shkruante letër Presidentes Kolinda, të cilën uroj që dikush t’ia japë ta lëçisë.

I dyti, ishte një voyeurist që e kishte me merak të dëshmonte hiret e Kolindës së kolme me bikini.

I treti, ishte njëri që na vë në dukje sa katundarë dukemi po të bëhemi me Kroacinë.

I katërti, një antropolog që thotë se Ballist Morina dhe Luka Modriç janë si dy pika uji.

E pesta, një zonjushë beqare, e cila shpall që nëse kroatët janë ilirë, ata janë të shëmtuar si Luka Modriç, me rregull treshi edhe si Ballist Morina.

I pesti, i shet kroatët për sllavë që nuk e duan flamurin tonë, prandaj nuk duhet të biem në kurthin e tyre, varja që gjeneral Agim Çeku luftoi për pavarësinë e këtij vendi.

I gjashti dhe i shtati, grinden cili ka qenë më i rëndësishëm në suksesin e Kroacisë; Perisiç që luan me Interin apo Manzukiç që luan me Juven.

I teti, është ai që pushoi nga puna si të paaftë trajnerin Zlatko Daliç në Tiranë.

I parafundit jam vetë, sepse më pëlqejnë kroatët prej Franc fon Suppé, Milan Shuflaj që bëri aq shumë për albanalogjinë dhe arbëreshët e Zarës.

I fundit, është sulltani që doli në foto në Samitin e Brukselit me Kolindën duke bërë tifo për Kroacinë.

Po e mori në dorë sulltani këtë punë, ecën ters, tëpkë si i shkoi Juventusit, Bajernit a Lacios më parë. Prandaj, a ia vlen të bësh shkrim për Kroacinë? Tersi i Pojanit po ia dhuron Kupën e Botës Francës…

Po pse o burrë?

Blogu “C’è posta per te” nga Enkel Demi

*Kjo është një rubrikë e Tiranapost.al/ Ndalohet ripostimi pa lejën e editorit