Shëndeti Ynë i Mendjes Te gjitha

Psikoterapia – një hapësirë për veten


Meqë sot është 1 mars dhe pranvera vjen, shumë ndryshime ndodhin brenda nesh. Çfarë duhet të dimë për veten dhe terapinë që mban larg ankthin që na troket në kraharor. Psikoterapistja Anxhela Gramo sjell një shënim të vlefshëm në blogun tonë Shëndeti i Mendjes

Dr. Anxhela Gramo, ECP

Erdhi në terapi me bindjen se formati i ndihmës që pati menduar, do t’i zgjidhte përfundimisht problemet e saj. Brenda dhjetë minutash përfundoi së foluri mbi shqetësimet e muajve të fundit, e më kërkoi t’i tregoja cfarë duhej të bënte për t’i hequr ato qafe ‘dua të jem ajo që isha, nuk jam unë kjo’.

Në fillim të viteve 2000 kur sapo ish prezantuar në Shqipëri psikoterapia psikanalitike, njerëzit nuk e kërkonin këtë shërbim. Kryesisht pas një urgjence psikiatrike, ata vinin të shtyrë nga familjarë ose mjekë, situatë kjo e cila në shumicën e rasteve e vështirësonte procesin e terapisë. Mungesa e vullnetit të plotë të klientit që paraqitej në dhomën e terapisë, sot është zëvendësuar nga dëshira e këmbëngulja për t’u përballur me ndryshime të konstatuara nga ata vetë. Nga ana tjetër, pritshmëria se ndryshimi duhet të vijë nga terapisti mbetet po ajo si 17 vite më parë. ‘Unë prandaj jam këtu të më tregosh cfarë nuk shkon me mua, pse kam ndryshuar. Çfarë duhet të bëj që të jem ajo që kam qenë’.

Nuk është e rastësishme që klientët e kërkojnë forcën e shpëtimit jashtë vetes. Mendësia e varësisë nga grupi, ku autoriteti ‘kujdeset’ e vendos për më të mirën e individit, nuk e lejon atë të shohë brenda vetes e të bjerë në kontakt me ndjesitë, tabu kjo, e cila vazhdon të mbajë peng sot, shëndetin mendor të njerëzve. Përveç pritshmërive mbi atë që pritet të ndodhë gjatë jetës, duket se refuzimi ndaj rritjes ushtron një tjetër presion të fortë së brendshmi. Në një luftë të vazhdueshme me ‘veten’, është e vështirë të ndash moshën kronologjike nga ajo emocionale; të gjesh ku fillon dhe ku mbaron prindi i rikrijuar ndër vite; ku fillon e ku mbaron iluzioni i fëmijës mbi nevojat të cilat nuk morën asnjëherë pergjigjje, por që nuk reshtin së thirruri përmes simptomave. Njerëzit vijnë në terapi të çlirohen tyre, por gjatë rrugës, nga seanca në séancë zbulojnë se me mbështetjen e terapistit, ata mund të gjejnë hapësirë për të sjellë ndryshime në jetën e tyre. Gjatë proçesit të terapisë, ata zbulojnë deshirën për të kuptuar nevojat e fëmijës brenda tyre, ta dëgjojnë atë kur flet, ankohet, qan apo ulëret. Mund të ndodhë që ky kuriozitet të shuhet sepse nuk është aspak e lehtë të jesh përballë vetes-fëmijë; kujtimet emocionale ngacmojnë dhimbje të së shkuarës, të cilat mund të rëndojnë situatën psikologjike të klientit në terapi. Pikërisht këtu, terapia mund të bëhet e papërballueshme për disa, të cilët vendosin ta ndërpresin atë. Për të tjerë, terapia vazhdon edhe pse më e vështirë. Ndjenjat e fajit ndaj prindërve dhe sakrificave të tyre tejkalohen prej nevojës për të njohur fëmijën kyçur brenda vetes.

Nuk mund të ketë prindër perfekte, por vetëm prindër të cilët kanë dëshirë të mësojnë si t’i duan fëmijët e tyre. Ndodh që prindërit edhe mund të mos ia dalin. Nuk dinë as ata sesi të orientohen mes vetes- fëmijë dhe vetes- prind. Proceset personale të rritjes përplasin vazhdimisht veten-fëmijë dikur të lënduar me veten-tjetër, psh dikush i suksesshëm në karrierë, në pamundësi kontakti me pjesën tjetër, mund të lëndojë të tjerët. Ajo që mund të kujtohet si traumë gjatë fëmijërisë mund të jetë një përpjekje e pasuksesshme e prindërve për t’iu përgjigjur urisë, zemërimit, trishtimit e ankthit të fëmijës. Donald Winnicott pediatër dhe psikanalist britanik e sheh detyrë personale të secilit, atë të njohjes së ‘real self’ dhe ‘false self’ për të krijuar një individ të aftë për t’u kujdesur për veten, edhe nese prindi nuk ka mundur të jetë ai/ajo që dëshiron fëmija. Është një rrugë e gjatë kjo, dhe psikoterapia një proces që lehtëson zbardhjen e raportit mes ‘veteve’ dhe hapësirën ndërmjet tyre që mund të errësojë kapacitetin e individit per t’i dhënë shpjegim iluzioneve të hershme.

‘Kam besim që ti do më tregosh çfarë duhet të ndryshoj që të bëhem mirë’ – vazhdoi klientja. Pergjigjja ime nuk arriti ta kenaqë, por, sic kuptuam më vonë, e shtyu atë të mendonte që kishte jo pak punë për të bërë në terapi./Tiranapost/