Shëndeti

Përballë frikërave që fshehim

Dikur, gjithkush do të bëjë ndalesat e veta. Edhe pa e kthyer kokën pas, shpesh do të ketë kujtime të gjendjeve të së shkuarës që do na vizitojnë e do kërkojnë me ngulm vëmendjen tonë. Sa më shumë i afrohemi brengave tona, aq më pranë kuptimit të problemeve të shëndetit mendor, jemi.

Dr. Anxhela Gramo, psikoterapiste/ Orët e para të prezantimit të studentëve me lëndën e çrregullimeve të shëndetit mendor, më ngacmojnë kujtime të hershme personale lidhur me atë që kisha vendosur ta konsideroja, pa e njohur, si sëmundje pa shpëtim që të shënjon ‘fatin’ e të kthen në ‘turpin' e vetes dhe të të tjerëve përreth.  Dëgjoj me kureshtje opinionet e tyre të ndrojtura, por ndjej që e kam të vështirë të mos reagoj ndaj paragjykimit të asaj që edhe sot pas 20 vitesh, mbetet njësoj. Gjithnjë e më shumë sot, flitet për ngjashmëritë sesa për të ndryshmen nga ne, por crregullimet e shëndetit mendor vazhdojnë të perceptohen si gjendje shëndetësore që i perkasin vetëm një grupi njerëzish, atyre ‘të sëmurë e të rrezikshëm'. Në fakt, po të përpiqemi ta shohim pak më ndryshe, mënyra sesi ne vendosim ta gjykojmë këtë grup, reflekton mënyrën si ne ‘mbrohemi’ nga frikërat tona për t'u perballur me ato që ndjejmë se na përngjasojnë e na bashkojnë me ‘ata’ që nuk janë ‘ne’. Kjo mendësi, e cila na shkëput prej realitetit të pasigurt dhe kaotik ndaj të cilit ekspozohemi njësoj, mund të jetë burimi i së keqes, së cilës i ruhemi dhe i shmangemi vazhdimisht.

Miq, shokë e të afërm nuk flasin më për ‘ata’ që nuk ‘nuk janë mirë’, por për veten e tyre ditë pas dite, pa humor, pa gjumë, mbërthyer në situata paniku dhe reagime zemërimi të pashpjegueshme; të zënë në kurthe konfliktesh pa shkak me partnerin, kolegen apo fëmijën. Shqetësimi i tyre duket se perfundon me ndarjen e ‘hallit’me tjetrin. Edhe pse pjesërisht ndihmon ventilimin e emocioneve, kjo është një mënyrë tjetër ikjeje prej thelbit të shqetësimit. Pse nuk kam gjumë? Pse reagoj me zemërim? - janë pyetje të cilat nuk ia bëjmë aq shpesh vetes për shkak të rezistencave tona të përballjes me burimin e frikërave. I vetmi ndryshim mes nesh është vetëdija për të pranuar atë që nuk shkon tek ne. ‘Unë nuk kam asnje problem; problemi je ti'. Me c'duket, përgjegjësi për sjelljen tonë reaktive ndodhet gjithnjë jashtë nesh. Arrijmë në këtë mënyrë të qetësojmë e të bindim veten që me ne, cdo gjë shkon mirë dhe se dikush tjetër duhet ‘të ndreqet'. Natyrisht që frika se mos luajmë mendsh bëhet aq kërcënuese sa eliminimi i dyshimeve për një mundësi të tillë, duke e transferuar rrezikun tek tjetri, është e vetmja mënyrë shpëtimi.

Duket e vështirë të takosh sot njerëz pa përjetime apo gjendje të vështira emocionale. Pa këto gjendje nuk do kishte kuptim ajo që përpiqemi të jemi e të bëjme në jetë. Ndjesitë që ato provokojnë mund të na ndihmojnë të komunikojmë së brendshmi. Humbja psh, ndihet pavarësisht prej nga vjen. E ndjejmë dhe e flakim atë tutje sepse ndryshe, nuk do ia dilnim dot. Intensiteti i lartë i përjetimeve personale prej ndarjes fizike apo emocionale nga dikush apo dicka (e rëndësishme për ne) na zhvesh nga aftësia për të mbrojtur veten sic do të donim. Në shoqërinë e sotme të konsumit, ku pasiguria dhe pabarazia sociale janë të pashmangshme, rritja e ndjeshmërisë sonë nuk është e rastësishme. Përplasja me këtë realitet na vë në kontakt me ndjesinë e humbjes - si atë që humbasim brenda vetes cdo ditë me melankolinë tonë, ashtu edhe humbjet që ndodhin aktualisht në jetët tona.

E kundërta ndodh kur ndalojmë të kuptojmë vuajtjen tonë prej humbjes si ndjesi; fitojmë jo vetëm një përvojë të re komunikimi me veten, por edhe një mundësi për të komunikuar ndryshe me të tjerët rreth nesh.

Dikur, gjithkush do të bëjë ndalesat e veta. Edhe pa e kthyer kokën pas, shpesh do të ketë kujtime të gjendjeve të së shkuarës që do na vizitojnë e do kërkojnë me ngulm vëmendjen tonë. Sa më shumë i afrohemi brengave tona, aq më pranë kuptimit të problemeve të shëndetit mendor, jemi. Studentët sot, nuk mjaftohen vetëm me tekstin e çrregullimeve të shëndetit mendor, por kërkojnë të dinë më shumë pikërisht për atë që nuk gjendet aty, por diku tjetër./ Blogu – Shëndeti ynë i mendjes/ Copyright Tiranapost.al