• Shqip
  • English
  • E martë, 20 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Shëndeti Ynë i Mendjes Të gjitha

    Nuk ka vetëm një mënyrë për të folur mbi shëndetin mendor


    Olta Tuholi, Nën Kryetare, Analiza e Grupit në Shqipëri/ Prej disa javësh jetoj në Milano, ku kureshtare, midis të tjerave, mbi shëndetin mendor jam munduar të observoj veçanërisht qëndrimin e individëve ndaj këtij fenomeni. Mund të them, që deri më tani, nuk e kam ndjerë prezencën e shëndetit mendor të paraqitur në një formë të izoluar institucionalizimi duke bërë si rrjedhojë problematikat e saj të vështirë për tu identifikuar. Në vënd të glorifikimit të spitaleve psikiatrikë dhe fshehjes së individëve që vuajnë mbrapa mureve të tyre, vihet re harmoni midis individëve në shoqëri pamvarësisht kushteve psikologjike apo fizike të së tashmes. Në një mënyrë apo tjetrën, realitetin e problemeve të shëndetit mendor këtu e gjen kudo pasi duket sikur njerëzit nuk tremben prej saj e si rrjedhojë ndjen që ato nuk janë [domosdoshmërisht] për tu fshehur.  Sapo futem në metro shoh reklama të shpeshta në lidhje më shfaqje apo ekspozita të shumëllojshme mbi gjëndjet emocionale dhe psikologjike tek individi. Tema si psikopatologjitë, surrealizmi i ëndrrave, depresioni, ankthi e të tjera duket sikur janë pjesë e gjuhës së jetës së përditshme. Vendos të shkoj e të shoh shfaqjen monolog ne teatër mbi pikturën e Edvart Munch “The Scream”. Kjo pikturë është tepër e njohur për influencën që ka patur në zgjerimin e kuptimeve dhe njohurive mbi konceptin e ankthit. Ankthi është një fenomen tepër i përhapur, simptomat e së cilës shpeshëherë anashkalohen nga individët që vuajnë nga to.

    Për një orë të tërë gjatë shfaqjes aktori si edhe regjisori i saj na mbërthen me një tekst egzistencial nga ku papritur dëgjohet ajo, e “thirrura”, e ardhur si pasojë e mërzisë së madhe, e vetmisë së individit edhe pse mes njerëzve, dhe e frikës së të ndjerit ndryshe nga të tjerët pikërisht prej pasojave që ajo sjell.

    Sigurisht, pamvarësisht qytetit ku jetojmë simptomat e ankthit e të tjera, janë universale; ndryshimi qëndron se si një shoqëri apo tjetra reagon ndaj tyre. Mbi të gjitha, rol mjaft të rëndësishëm ndaj mirëkuptimit si edhe pranimit të  gjëndjeve të ndryshme [nga tonat] psikologjike ka edhe edukimi ndaj subjektit në fjalë. Ndoshta në kulturën tonë, fenomeni i shëndetit mendor merret aq shumë seriozisht, i veshur me ngjyrime të tepërta akademike dhe institucionale saqë kthehet padashur në tabu. Në këtë mënyrë, individi mund të mendojë që vuan nga “diçka” tepër serioze për aq kohë sa nuk gjen mënyra interpretimi alternative.

    Gjëndjet e shëndetit mendor nëse trajtohen si raste të “veçanta” dhe të izoluara rrezikojnë të kthehen vetvetiu në problem. Një pacient më është shprehur dikur që sapo shoqëria mori vesh që ai vuan nga simptomat e ankthit filluan ta “shohin” apo trajtojnë ndryshe duke evituar rregullisht batutat apo situatat e të qeshurave. “Do doja të më trajtonin si gjithë të tjerët dhe jo me mëshirë”, shprehet ai.

    Ndoshta mund të fillojmë të  flasim dhe mendojmë rreth shëndetit mendor në mënyra të ndryshme, duke i vënë rëndësi më tepër komunikimit të tij si një karakteristikë e jetës së përditshme. Një mënyrë kreative komunikimi mund të jetë ai nëpërmjet artit. Në fund të shfaqjes së Munch mund të shihje lehtësim ne sytë e pjesmarrësve; ata ishin të tensionuar dhe me pikëpyetje por dhe të lehtësuar si mbas mbarimit të një stuhie apo sikur sapo kishin dalë nga zyra e terapistit./ Blogu – Shëndeti ynë i mendjes/ Copyright Tiranapost.al