25 Rreshtat e Mirës

Nise sot ditën me një unfollow!

Lajmësi nuk vritet, thotë populli. Por kur lajmësi është i rremë, si mund të mbrohemi prej lajmit?
Nise sot ditën me një unfollow!

Mbrëmë e gjithë Tirana përfundoi në panik në rrugë për shkak se në dy portale Syri.net dhe Shekulli u dha një lajm me mesazhin “Braktisni shtëpitë se vjen një tërmet edhe më i fortë”. Terror! Po sikur të ishte e vërtetë?!

Një lajm i paverifikuar, që do të shënjojë gazetarinë famëkeqe online të kësaj kohe e që skuq faqen e kujtdo që i thotë vetes gazetar!

Pasojat e lajmit të rremë këtë herë kaluan çdo limit njerëzor, sepse nuk qe nga këto gënjeshtrat rutinore që jemi regjur, as nga ato me rreze të shkurtër, apo nga ato fletërrufetë personale. Këtë herë rrena shkoi larg, tek një qytet i tërë! Çfarë ndodhi nga ky nxitim për të gënjyer? Fëmijët e vegjël i zgjuan nga gjumi dhe dolën me pizhame rrugëve dhe disa qeshnin se e merrnin për përrallë, për fat, por disa shikonin me sytë e trembur, rrugëve. Të sëmurët e lexuan, të moshuarit u trembën për vdekje, një qytet doli në rrugë i terrorizuar. Si asnjëherë sot është koha të flasim për pastrimin nga barërat e këqinj online, për vetërregullimin që duhet bërë, edhe me ndihmën e lexuesve. Lexuesit sot janë dëshmitarë të historisë së tyre personale, sepse ndërkaq njerëzit e jetës publike e kanë provuar të paktën nga një herë, në mos sistematikisht dhunën e gënjeshtrës!

Duhen ndarë një herë e mirë kamikazët nga gazetarët! Duhen ndarë ata që gazetarinë e përdorin si fishek dhe ata që janë të ndërgjegjshëm se ky profesion nuk është automatik, por fuqi e fjalës! Nuk është gënjeshtër e nxituar, por siç thotë Heminguej ‘letërsi e nxituar’. Na duhet të kthehemi tek letërsia e nxituar sa më parë!

Këtë e vendosim bashkë me lexuesit. Ju sot keni në dorë të bëni diçka. E vendosni vetë kujt t’i bëni unfollow dhe kështu bashkërisht mund të rrisim një treg informativ me kritikë, debate të ashpra, fakte, prova, fundja dhe gabime, të mbahet edhe anë, se asnjanës nuk ka, por të ndalim çmendurinë nëse ka vërtet ndonjë mënyrë për ta bërë.

Për fat të keq nuk shpresoj tek ligji, por tek ndërgjegjja e lexuesve, të cilët duhet të vendosin rregullat e tyre. Edhe sponsorët prestigjiozë e kanë në dorë të ndjekin përmbajtjen (Vodafone e ka bërë për hir të së vërtetës!) Ky nuk është thjesht një fenomen ku nuk gjen dot figurat dhe emrat, apo thjesht diçka që e ndjen... Fenomeni ka emra dhe fytyrë dhe ti lexues gjykoje vetë. Këtu shumë të mirë nuk ka, por të paktën a mund të mos jemi varianti i keq? Besoj që po!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]