Aktualitet

Mirë që ha në televizor, por mos fol me gojën plot

Nga Enkel Demi

Ai jeton në televizor. Dikur në opozitë vinte në lojë Berishën dhe përbetohej që në televizor do e shihnim rrallë e për mall. Sot, na ka mbirë në televizor i lartë si fikus që e kap drita. Në televizor na flet, na pyet, na shpotit, na vë në lojë, na ndëshkon, na rrit pensionin, na vendos traun e rrugës, në televizor ha, së shpejti në televizor do të dhj…

Natyrisht, cili jam unë që t’i them atij mos dil në televizor? Madje, nuk duhet ta çojë ndër mend, pasi dhe vetë dal në televizor qysh pa gdhirë që t’u them njerëzve se çfarë tha ai në televizor një ditë më parë. Por, ka kohë që bëj çudi, tek ai del në televizor, kur shtrohet për të ngrënë me të gjithë shpurën.

Në Durrës u shfaq tek hante me shoqninë. E para, Gjushit duhet t’i vendosë një nënkresë poshtë të ndenjurave që të ngjajë më dinjitoz me lugë në brez. E dyta, nëse nuk i lajnë duart, t’i kalojnë pak disifektant nga ato shishkat e vogla, se është më higjenike. E treta, të lutem mos fol me gojën plot. E katërta, Fideli nuk ka përse e kap byrekun me dorë dhe hop kosh drejt e në gojë. E fundit, na shtitë ngasjen, lëre pastaj të mendosh që mund të ketë njerëz që nuk kanë ç’shtrojnë në tryezë, por e gjejnë atë plot, natyrisht në televizor./ Tiranapost.la