Aktualitet

Mimoza Hafizi tregon përplasjen me Blushin: Ai nuk ka burrni

Pas reagimit nëpërmjet një statusi në Facebook dy ditë më parë, Mimoza Hafizi ka dhënë një intervistë për gazetën “Dita” ku përshkruan përplasjen e saj me Ben Blushin.

Hafizi në këtë intervistë thotë se nuk do të largohet nga LIBRA, ndërsa Blushi mund të ketë shumë projekte në mendje por nuk mund të bëjë asgjë me LIBRA-n pa pyetur 20 mijë anëtarët e saj.

“Po të shihni me vëmendje, edhe pas zgjedhjeve unë nga ana ime kam pasur disa prononcime dhe kam qenë e pranishme në media. Më pas, acarimi i marrëdhënieve me kryetarin dhe mbyllja totale e komunikimit me të, e stepi aksionin. Ai asnjëherë nuk e ka shpjeguar dhe nuk ka qenë transparent për këtë situatë që krijoi, megjithë insistimet e shumë prej njerëzve më aktivë që kemi rreth e rrotull. Në një parti të re dhe të hutuar nga humbja, izolimi i kryetarit mund të kthehet në një faktor izolimi të partisë. I duhet drejtuar kjo pyetje z. Blushi”, është shprehur Hafizi.

Gjithashtu ajo ka thënë se asnjëherë më parë nuk ishte fyer kaq rëndë nga dikush dhe për Ben Blushin duke iu referuar një shprehjeje shkodrane, tha se ai nuk ka burrni.

Kam përjetuar divergjenca shumë të rënda, hera-herës që preknin interesa të mëdha grupimesh, por asnjëherë nuk jam fyer kaq rëndë nga askush. Se ka një burrni, themi ne shkodranët, që shqiptarët e kanë kushdo qofshin ata, të pasur a të varfër, injorantë a të ditur, luajalë apo hileqarë, besnikë apo tradhtarë, oligarkë a mëditës. Kjo që më ka ndodhur te Libra dhe me z. Blushi del jashtë kodeve të burrnisë shqiptare”, shprehet Hafizi.

Ajo gjithashtu tregon sfidat e LIBRA-s, arsyen e largimit nga Partia Socialiste dhe detaje të tjera nga aktiviteti i saj politik dhe akademik. Intervistën e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Dita”./Tiranapost.al