Aktualitet

Je në Tiranë dhe nuk ke provuar këto restorante? Atëherë shih guidën e Tiranapost

Një ndër kënaqësitë më të mëdha në jetë është të ushqyerit. E ndikuar kryesisht nga kuzhina italiane, kohët e fundit gatimi po kthehet në një eksperiencë të jashtëzakonshme, sidomos fundjavave, kur kemi edhe më shumë kohë. Po edhe nëse s`ke kohë, apo e lodhur nga java mezi pret të të shërbejnë në fundjavë, dil në restorant. Në Tiranë mund të gjesh restorantet më të mira në vend që kanë menu e pjata të hijshme dhe të shijshme. Ke mundësi për të gjetur modernen, po ka edhe nga ato restorante ku mund të hash ushqime tradicionale shqiptare. Më poshtë ke disa sugjerime për disa nga restorantet më të mira në Tiranë, zgjedhja të takon ty dhe gjithë familjes, ose shoqërisë, se varet me kë do dalësh.

Kuzhinën më të mirë Italiane e gjeni në restorantin +39 Food & Club. Kuzhina e nivelit të lartë dhe verërat më të mira do t’ju bëjnë të mos e harroni si eksperiencë. Restoranti është vendi i duhur për ju që doni të zbuloni finesën e kuzhinës botërore të njohur dhe të shijoni artin e gatimit nga shefat më të mirë të kuzhinës, të cilët me shumë mjeshtëri kombinojnë përbërësit italianë në gatimet e tyre.

-Nëse po kërkoni të darkoni në një vend elegant me një kuzhinë të shkëlqyer, e gjeni në restorant Millennium Gourmet, i cili gjendet në zemër të Tiranës. Restoranti ka një dekor mjaft të këndshëm dhe të realizuar bukur i rrethuar me dritare të mëdha xhami që të lejon të shohësh nga pedonalja. Gatimet përgatiten dhe serviren me një estetikë të këndshme. Ne ju sugjerojmë të provoni Millennium Gourmet për shijen e gatimeve dhe cilësinë si edhe për vendndodhjen fantastike.

 -Restorant Umami është një restorant modern me dritare të mëdha, një kuzhinë transparente, ku ju ndërkohë që prisni porosinë, mund të shihni shef Renato Mekollin duke gatuar pjatën tuaj të preferuar. Emri i restorantit ka një domethënie të veçantë “Umami”, në Japonisht emërton fjalën e shijes së pestë, që nuk është as e kripur, as e ëmbël, as e thartë dhe as e hidhur. Restoranti ka një atmosferë të këndshme, me drita të zbehta, tavolina dhe karrige të rehatshme. Çdo gjë është e kombinuar me elegancë.

-Restoranti Melograno është një balancë perfekte e ndriçimit dhe shijes me një përkujdesje maksimale ndaj cilësisë dhe freskisë së ushqimit, të cilat do të bënin krenar shefat më të më të mirë në botë të kuzhinës italiane. Ky vend është shumë interesant sepse teksa ju prisni që porosia të jetë gati, mund të shihni nga xhami shefat duke gatuar për klientët në kuzhinë.

 -Mullixhiu i njohur për gatimet tradicionale dhe bio është restoranti i preferuar nga të huajt që vijnë në të vizitojnë Shqipërinë. Ky është një restorant i vogël “nga ferma në tavolinë”, i cili ofron gatime unike shqiptare të ndërthurura me kuzhinën moderne. Çdo detaj në këtë restorant është interesant duke filluar nga hapësira jashtë e restorantit me barishte dhe perime të mbjella që tregojnë produktet e freskëta. Mullixhiu ka fituar edhe çmimin si një ndër restorantet më të mira në Europë./ Copyright Tiranapost.al