Sa nje kafe nga Iva

Elif Shafak, kur dashuria shkon përtej një kopertine bastarde

Nga Iva Tiço/Kur zbulon një shkrimtar të mirë është pak a shumë si kur bie në dashuri: kujton detajet e takimit të parë, ndjesitë, aromat, dëshirën për të menduar për të dhe për t’i treguar të gjithëve arsyen se përse ke në sy atë dritë të veçantë. Siç ndodh pastaj me dashuritë, e krahason me të shkuarat, dhe vetëm kur kalon shumë kohë dhe shumë dashuri mund të thuash nëse ajo ishte më e madhja në jetën tënde, mund të thuash nëse ishte dashuri me shikim të parë, apo një ndjenjë që erdhi duke u bërë me e fortë bashkë me njohjen, nëse lë gjurmë apo thjesht kujtime e ndjesi të bukura.

Mbaj mend ende një nga të parat dashuri: Isabel Allenden me “Shtëpinë e shpirtrave”, që si çdo dashuri në moshën diçka më pak se 14 vjeç shoqërohej me me dalldi e pagjumësi e me sherr familjarësh kur u mor vesh gjithçka (im at më tha që nuk e lexonte dot librin pas meje, vetëm kur mendonte që ato rreshta aspak të papërshtatme për atë moshë i kisha lexuar dhe unë). E që prej asaj kohe, me gjithë historitë e tjera të dashurisë dhe shumë e shumë shkrimtarëve e romaneve të dashur që u futën mes nesh, për Allenden ruaj ende drithërimën e dashurisë së parë dhe nëse në stendë më shfaqet sërish emri i saj, lë gjithçka që kam në dorë për ta shijuar sërish, ndërkohë që ende nuk kisha gjetur diçka të ngjashme me “Shtëpinë e shpirtrave”… Deri disa javë të shkuara, kur përpara një udhëtimi ku në listën e gjërave që duhej të blija një mikesha ime gazetare, më kishte lënë porosi të gjeja ndonjë libër të shkrimtares turke Elif Shafak që ajo e kishte zbuluar në “The Guardian”, një roman i saj do na shuante kurreshtjen nëse kishim të bënim me një shkrimtare të mire, apo me një intelektuale që gazetat perëndimore e çmonin si një zë kundër Turqisë së sotme të Erdoganit. Dhe për një rastësi të çuditshme, fiks përpara atij udhëtimi, ndërsa zbulova që kisha harruar në shtëpi librin që po lexova dhe nisa të kërkoja mes rafteve të “Adrion”-it të vogël në aeroport diçka për të shtyrë udhëtimin, syri më kapi emrin Elif Shafak. Në shqip madje, botuar prej disa vitesh.

[caption id="attachment_153978" align="aligncenter" width="1280"](“Bastardja e Stambollit” në botimin origjinal dhe në shqip)[/caption]

Nëse nuk do kishte qenë për shtypin perëndimor dhe shkrimet e intervistat që i kisha lexuar shkrimtares, atë libër me titull “Bastardja e Stambollit” dhe me atë kopertinë nuk do e kisha blerë kurrën e kurrës, madje do kisha parë me një lloj përbuzjeje çdokënd që do e kishte në dorë. Por meqënëse kisha për qëllim ta blija, e bleva, dhe përtej neverisë së kopertinës që në paragrafin e parë më bëri të harroja gjithçka. Një fjali e parë që siç thotë Marquez të mbërthen dhe që tregon thelbin e librit (në fund, po si Marquez, do zbuloja që Shafak ka dhe fjalinë e fundit) e më tej një roman që nuk e lëshon dot më nga dora… Dhe mirë është të mos e lëshosh, se ajo dreq kopertine tejet bastarde e botimit në shqip të jep atë ndjesinë e keqe të një kalendari turk të fillim viteve ’90, ose më keq akoma, që botuesi shqiptar nuk e ka fare haberin se çfarë autoreje ka fatin të botojë, përndryshe nuk do synonte të thithte lexuesin që kërkon atë lloj kopertine dhe jo të bëjë promovimet normale për të lajmëruar ata që duan të zbulojnë një tjetër Isabel Allende që vjen nga Turqia. Sepse ai libër i Elif Shafak ishte i njëjtë me zbulimin e Allendes dikur. Një lloj realizmi tjetër magjik, në një tjetër shtëpi të banuar vetëm me gra në Stamboll, ku në vend të fantazmave të Klarës së Allendes këtu enden xhindet e mira e të këqija, ku botët femërore dhe jetët e pazakonta ndërthuren me një histori të madhe dhune historike, si ajo e genocidit turko – armen dhe ku humori i zi bëhet bashkë me shijet e ushqimeve, e ku çdo kapitull ka emrin e një ushqimi apo erëze.

Dhe si dikur me Allenden dhe pas saj me gjithë dashuritë e mëdha, Elif Shafakun duhet ta njohësh më tej, përtej “Bastardes së Stambollit”. “Dyzet rregullat e dashurisë”, historia e Shamsit tw Tabrizit në kërkim të Rumit dhe roli i dervishit në shndërrimin e klerikut të famshëm në poet pasionant e mbrojtës të dashurisë, është gjithashtu i botuar në shqip.

Për fat, me kopertinë shumë më normale, aq sa të më bëjë që pasi ta lexoj dalëngadalë, duke iu kthyer e nënvizuar gati në çdo faqe, ta bëj dhuratë dhe në pesë njerëz deri tani, e ta rekomandoj në disa të tjerë (në raftin e "Adrion"-it dje mbeti vetëm një). E kanë këtë dashuritë e mëdha: do që t’i ndash me të gjithë. Edhe nëse nuk janë të paraqitshëm në pamje të parë (prapë ajo dreq kopertine!) mund t’i dashurosh për atë që kanë brenda. Dhe këto janë dashuritë e vërteta!/Tiranapost.al

[caption id="attachment_153979" align="aligncenter" width="871"](Kopertina e librit "Dyzet rregullat e dashurisë)[/caption]