Ekskluzive/ Mira Kazhani bisedon me ministren Nikolla: Më plasi zemra kur dëgjova thirrjen...
Kërkoja një foto në redaksi kur gazetarët raportonin se në oborr kish dalë Lindita Nikolla, por s’po e gjeja askund. Kërkuam në ministri dhe atje na thanë se ministrja kish dalë papritur dhe se askush nuk ishte vënë në dijeni dhe se kjo i kish gjetur të gjithë të papërgatitur. Edhe njerëzit e saj të afërt e kishin dëgjuar nga gazetarët.
Kur e telefonova, kisha bindjen se nuk do ta hapte, por në zilen e dytë Lindita Nikolla më thotë: Po, Mira, më thuaj.
Pse dolët në oborr?
-Më plasi zemra kur dëgjova thirrjen: Lindita, po vjen rinia dhe jo ushtria. Si mund të shoh të rinjtë në shi, që thërrasin emrin tim dhe të mos dal para tyre? Jam nënë, grua, nuk kam shpirt për këtë që po shoh dhe të mendoj për veten time.
“A keni kohë t'jua bëj disa pyetje, meqë ju kam në telefon?”, i kërkova ministres Nikolla dhe ajo u përgjigj, shpesh me një zë që dridhej nga emocionet dhe pa atë sigurinë që ne mendojmë për të pushtetshmit. Ajo është në ditën më të vështirë politike të saj. Qëndron në zyrë gjatë gjithë kohës dhe nga intervista me të, të krijon përshtypjen se është vetëm, edhe pse nuk e pranon.
Mira Kazhani: Zonja Ministre, ku po e ndiqni protestën?
Ministrja Nikolla: Jam në zyrë. Por e ndjek me mendje e zemër.
Mira Kazhani: Aty keni qenë gjatë gjithë këtyre ditëve?
Ministrja Nikolla: Po. Çdo ditë në zyrë.
Mira Kazhani: Zemra ju nxori sot në oborr? Apo detyra?
Ministrja Nikolla: Po. "Nëna" Lindita Nikolla, që sheh djem e vajza në shi, por edhe "Ministrja" që mendon se studentët kanë gjithmonë të drejtë.
Mira Kazhani: Çfarë të ka prekur më shumë në thirrjet e kësaj proteste?
Ministrja Nikolla: Së fundmi dëgjova thirrjet nën dritare: "Lindita, dil në shesh! Po vjen rinia, jo ushtria", dhe dola, sepse me plasi zemra. Dola dhe jo që nuk më tha kush pse u thirra, por u refuzova. S'ka asnjë problem, por pyetja ime është e thjeshtë: Kur do të ulemi të flasim për problemet dhe të bashkërendojmë forcat për të adresuar zgjidhjet?
Mira Kazhani: Nuk mendoni se ata kanë humbur durimin? S'duan të flasin? Nuk duhet ju të kishit folur më herët me ta?
Ministrja Nikolla: Unë kam dëgjuar çdo zë. Më thoni një rast që më kërkuan dhe unë nuk isha aty?
Mira Kazhani: Po atëherë si e shpjegoni këtë zemëratë të studentëve, që kanë qenë të shumtë në numër këtë herë?
Ministrja Nikolla: Kjo protestë nuk pati përshkallëzim. As një mungesë vullneti për të folur me ta. E kundërta është e vërtetë.
Mira Kazhani: Kujt i takon përgjegjësia e një kompleksi problemesh, për të cilat studentët po kërkojnë zgjidhje sot?
Ministrja Nikolla: Kjo protestë është katalizator për një dialog të madh mes gjithë aktorëve qeveri e universitet. Duhet komunikuar mbi të vërtetat dhe pastaj të drejtohet gishti ndaj fajtorit, qoftë edhe ministrja kjo. Veshja e mendimit dhe veprimit me dialog e konsensus janë armët që Lindita Nikolla nuk do t'i tradhtojë kurrë!
Mira Kazhani: A jeni në komunikim me kryeministrin Rama dhe cila do të ishte zgjidhja ideale sipas ministres së Arsimit?
Ministrja Nikolla: Kryeministri po e ndjek me shumë vëmendje protestën. Patjetër që kam folur.
Mira Kazhani: Thuhet se i keni ofruar edhe dorëheqjen tuaj si një valvul për të qetësuar situatën? Është e vërtetë?
Ministrja Nikolla: Kjo nuk ka rëndësi në këtë moment, mendoj.
Mira Kazhani: Kryeministri i ftoi të gjithë në zyrë, ndërsa ju zbritët në oborr. A nuk keni frikë që siç e thatë edhe dje, sepse jeni një grua 53-vjeç... përveç se ju refuzuan dhe ju shanë?
Ministrja Nikolla: Jo nuk më shau askush. Frikë? Nga studentët? Jo. Studentët janë pasuri.
Mira Kazhani: Çfarë bëni në zyrë gjatë gjithë kohës? Me kë flisni më shumë?
Ministrja Nikolla: Flas me Linditën! Por edhe me bashkëpunëtorë.
Mira Kazhani: Më krijoni përshtypjen që jeni vetëm? Ju kanë lënë vetëm?
Ministrja Nikolla: Jo! Nuk ndodh me skuadrën e arsimit të mbetem vetëm.
Mira Kazhani: Deri ku jeni e gatshme të lëshoni pe? Edhe deri tek rishikimi i ligjit të Arsimit të Lartë?
Ministrja Nikolla: Çdo gjë që komunikimi mbi të vërteta vendos. Po pres dialogun.
Mira Kazhani: Çfarë do t'u thoshit studentëve prapë?
Ministrja Nikolla: Jam gati kur, ku dhe si të duan të fillojmë dialogun. Me kushtin e vetëm, të shohim e dëgjojmë njëri-tjetrin.
Mira Kazhani: Si ndihet një njeri në pozitën tuaj kur lexon aq shumë meme, mesazhe dhe qëndroni në zyrë përballë të rinjve dhe me peshën e madhe të përgjegjësisë? Se dikush mund ta ëndërrojë që një ditë të jetë ministër, por ndodh edhe kështu...
Ministrja Nikolla: Normal, keq! Por këto punë nuk janë vetëm kapërdisje, por përgjegjësi.
*Ky artikull nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]
http://www.tiranapost.al/ministrja-del-ne-oborrin-e-ministrise-per-te-folur-me-studentet-por-studentet-e-refuzojne/