Kontribues25 rreshtat e MirësTe gjitha

Burrat që s’qajnë, burra prej vërteti


Nga Mira Kazhani /Nuk e kisha paramenduar ndonjëherë se do ta gjeja veten duke bërë tifozllik për skuadrën e futbollit të Kroacisë. Por, kurrë mos thuaj kurrë. Ndodhi, dhe aspak për arsye fubtolli sesa nevoje për pak krenari. Tekefundit, krenaria është një ndjenjë që buron nga dashuria, por ndryshe nga të gjitha ndjenjat ka prestigjin e fisnikërisë. Është një ndjenjë e fisme kur nuk përdoret vend e pa vend dhe kur nuk teprohet. Shumica e shqiptarëve u bënë kroatë në finalen e botërorit të futbollit. Logjika është e thjeshtë: janë dora jonë, histori e përafërt, gjak dalmatësh, autoktonë, ballkanas dhe pse jo ishte një skuadër që tregoi vlera dhe zemër në këtë kampionat. Kroatët nuk fituan dhe iku e mbaroi kjo punë, por ka diçka që në humbje sikur nuk u vu re, a ndoshta syrit të dikujt i ka shpëtuar: mungesa e lotit. Kroatët u dërrmuan dhe një Zot e di çfarë ndjejnë ata burra që i sheh me gjasë gjithë bota në fushën jeshile ndërkohë që sapo kanë humbur ëndrrën më fisnike, një shans që zor se të vjen dy herë në derë: Kupën e Botës. Kërkova foto dhe pamje të kroatëve që qanin. Kisha bindjen se nuk ka mundësi që të mos qajnë, se kështu bëjnë të gjithë dhe qyshkur shoh futboll kam fiksuar aq burra që qajnë dhe më duket romantike e më prek përherë së thelli. Këtë herë asnjë pikë loti, asnjë burrë që qyrrashej para kamerave. Fytyra plot dhimbje, por pa u bërë si gra në fushë. E pranoj, më pëlqejnë burrat që nuk qajnë, që dhimbjen e mbajnë në gji. Këta janë ballkanasit, me historinë e tyre disi të vrazhdë, të ashpër, me luftëra e gjyshër të vrarë mes vedi, por edhe të identifikueshëm, autoktonë, autentikë, të talentuar, që në fitore dhe humbje të paktën nuk qajnë.

Rubrika 25 rreshtat e Mirës është e përditshme dhe nuk lejohet ribotimi pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]