Letra e një nëne për hapjen e shkollave në Shqipëri: Ja pse jam gati të heq dorë nga emocionet e klasës së parë të djalit

Tiranapost u ka dhënë mundësinë nxënësve, mësuesve, prindërve dhe kujtdo të japë mendimin për vitin e ri shkollor. Në klasa apo në Ëhatsapp? Si do zhvillohet mësimi? Si duhet? Cila është alternative më e mirë?
Pas letrës se djeshme të një maturanti, sot në redaksi ka mbërritur letra e një nënë që ishte pushtuar prej kohësh nga emocionet e klasës së parë të djalit të saj. Nuk dihet ende se ç`do bëhet, por ajo është gati të heqë dorë nga lezeti i ditës së parë të shkollës mëgjithë ata lotët e lumturisë. Për të, shëndeti mbi të gjitha.
Jam një mama, për të cilën shtatori do sillte emocionet klasës së parë për birin e saj, por na gjeti ky shtator me të tjera ethe.
Po mendoja t'ju shkruaja, apo jo, në lidhje me temën e hapjes së shkollave dhe kur lexova shkrimin e maturantit që thoshte: "për arsimin ia vlen gjithçka!", e ndava mendjen.
Të gjithë e kemi kaluar adoleshencën, bashkë me fatalitetet dhe hiperbolizimet e veta, ku një ndër gjërat që na është dukur motivi i jetës ka qenë edhe shkollimi. Por qoftë atëherë, aq më tepër në mes të kësaj pandemie, kjo shprehje nuk qëndron aspak! Nuk ka mbi SHËNDETIN dhe JETËN!
Jam dakord që mësimi online lë shumë për të dëshiruar, sidomos në shkollat e mesme, lëre pastaj 9 vjeçaret që nuk ka vlerë fare (ndoshta në nivel universitar më ndryshe), jam dakord edhe që fëmijët duhet të dalin, të kenë aktivitete me moshatarët se jo po dëmi psikologjik etj, etj., por me të vërtetë kompetentët dhe vendimarrësit për këtë çështje janë gati të rrezikojnë shëndetin dhe jetën e prindërve e familjarëve të fëmijëve që do shkojnë në shkollë?
Çdo ditë flitet për papërgjegjshmërinë e të rinjve që rrijnë pa maskë e distancë nga njëri-tjetri, e që kështu rrezikojnë familjarët e tyre. Po çdo të bëhet pastaj kur të vegjlit tanë të shkojnë në shkollë e mos të na kenë ne çekiç te koka: mos i prek gjërat e shokut/shoqes, mos e prek gojën, laji duart, mos u afro, mos përqafo, mos luaj.....se edhe mësuesja, një është, nuk ka 20 palë sy. Po kur të vijnë me gëzim në shtëpi e të turren te lodrat, të përqafojnë gjyshen a gjyshin, po sikur të kenë familjar që vuan nga mushkëritë, po vëllai/motra me imunitet të dobët? A nuk do jemi kështu gjatë gjithë kohës të stresuar e si në gjemba duke u shqetësuar për shëndetin tonë?
Po shohim se si po shtohen të infektuarit frikshëm në vendet e tjera. Ata vende që vendosën ti hapnin shkollat, i mbyllën prap. Të tjerë shtete me kapacitete spitalore shumëfish më të mëdha se tonat kanë vendosur mos ti hapin, të tjerë e kanë shtyrë vendimin për në tetor...
Diku nga fillimi i kësaj pandemie, në emër të JETËS, u mbyllën mijëra biznese, (pasojat ekonomike ndihen dhe do ndihen për ca kohë), por po shohim se si bizneset po përshtaten në situatën e re, gjithmonë duke ulur kontaktet ndërpersonale, për të mos rrezikuar përhapjen, e për të mbrojtur jetën!
Nuk e kuptoj! Çfarë dëmi i parikuperueshëm do ndodhte, po mos të hapeshin në shtator shkollat? DREQIN, ÇFARË KATASTROFE DO NDODHTE PO TË SHTYHEJ HAPJA E SHKOLLËS PAS VAKSINIMIT ANTI-COVID 19?
*Po ju çfarë mendoni? Mund t`i shkruani opinionet tuaja në [email protected] ose në faqen zyrtare të Facebook dhe Instagramit dhe ne do t`i postojmë në formë artikujsh.