Të vërtetat e thjeshta

Nganjëherë, rruga më e mirë për të ecur përpara, është të kthehesh pas

Nganjëherë, rruga më e mirë për të ecur

Për çfarë i përdor unë rrjetet sociale?

Për të marrë e dhënë informacion, e sigurisht edhe për të promovuar punën time. Jam shumë e lumtur të shoh se si në botë ka plot e plot njerëz që japin e marrin dije, kuptim, përmbajtje. Më besoni, ka edhe kështu, mjafton të vesh në vijë sistemin e kërkimit dhe algoritmi bëhet pozitiv e të sjell veç njohuri e mundësi para syve. E kështu, unë ndjek faqe të personave apo komuniteteve që fokusohen në elementin njerëzor të secilit prej nesh, në dimensione të ndryshme.

Shprehjen që i dha sot titullin shkrimit tim e dëgjova në një video pak ditë më parë, të publikuar nga Ema Sanchez Andrade Smith. Ajo është një sipërmarrëse fintech, e cila njihet për punën e saj në përfshirjen financiare të grave dhe është vlerëuar ndërkombëtarisht, përfshirë edhe lista si Forbes 30 Under 30, por në profilin e saj në instragram promovon stilin e jetesës skandinave (jua kam përmendur dobësinë time për kulturën e asaj pjese të Europës dsa herë😊), këndvështrime mëmësie e promovimit të vlerave njerëzore kudo në botë.E pra, në faqen e saj( me më shumë se 120 mijë ndjekës) ajo kishte postuar një video që tregonte se si në Danimarkë sistemi arsimor jo vetëm po ndalon përdorimin e celularëve nga nxënësit, por po i nxit ata të kthehen te shkrimi i dorës, libri, fleta, lapsi. Ja edhe videoja:


Unë e shpërndava këtë video në faqen time e zonja më falenderoi me një mesazh privat. Jo thjesht me një emoji të kursyer…por me fjalë, fjali të plota… Më bëri përshtypje se si ajo gjeti kohë por edhe vëmendje ta bënte këtë. Nganjëherë me shembujt që na serviren përditë na duket se të qenit i mirësjellshëm ka “dalë nga moda”, por fatmirësisht jo..thjesht ne mbase s’po ndjekim kanalet e duhura që promovojnë sjelljet njerëzore.Po në Instagram, pra, jam njohur edhe me Jared Cooney Horvath, një neuroshkencëtar i specializuar në shkencën e të nxënit dhe mënyrën se si funksionon truri gjatë mësimit. Ai thekson se leximi i thellë dhe i rregullt, veçanërisht nga libra që i mban në duar vetë fizikish, i shfleton vetë😊, është thelbësor për zhvillimin kognitiv, sepse aktivizon neurone të shumta të trurit që lidhen me gjuhën, kujtesën, përqendrimin dhe mendimin kritik. Sipas Horvath, leximi nuk është një aftësi natyrore, por një proces që truri e ndërton përmes praktikës së vazhdueshme dhe, pa këtë praktikë, aftësia për të kuptuar, reflektuar dhe mësuar në mënyrë të qëndrueshme dobësohet ndjeshëm.

Ja një video ku me zë e figurë na e shpjegon me fakte këtë:


U bënë shumë citime, shprehje, personazhe? S’ka asnjë problem, përkundrazi. Këtë po dua të them. Së pari që teknologjinë, rrjetet sociale domethënë në këtë rast, mund ta përdorim në të mirën tonë, jo të na përdorë, E së dyti, duke u ndalur te brendia, na duhet ta kuptojmë se mënyra sipërfaqësore, shpejtësia dhe mungesa e thellimit te informacionet që marrim, ka filluar realisht të na prekë thellë. Ndaj na duhet të ndalemi edhe të kuptojmë: çfarë po bëjmë? Por jo vetëm kaq, ngushtësisht sa leximi, teknologjia… por edhe koha që shpenzojmë, marrëdhëniet që po humbim në këmbim të ca fitoreve që në bilancin e fundit të një dite nuk na dalin gjithmonë të tilla… Mos na duhet ta marrim pak më ngadalë? Mos na duhet ta kuptojmë se rruga që kemi zgjedhur nuk është e duhura? Mos po gabojmë me veten? Mos po i çorodisim edhe fëmijët tanë? Kjo nuk është ftesë për të ndjerë tërë peshën e zgjedhjeve në jetë…

Është një mënyrë për të thënë që s’ka problem: mund ta marrim pak më qetë, mund t’ia lejojmë vetes gabimet, mund të nisim edhe njëherë nga e para apo ta lëmë diçka përgjysmë, mund të mësojmë të themi “më fal” e t’i pranojmë faljet e dikujt tjetër dhe të pranojmë se po… nganjëherë mënyra më e mirë për të ecur përpara është të kthehesh pas.