Morena Reka: S'jam penduar për asgjë në jetë… upss ndoshta për një gjë
Në fund të viteve '80 dhe në kapërcyell të demokracisë, në festivalet e RTSH-së, ngjarja më e madhe artistike kombëtare, ajo u shfaq si një yll premtues. Energjike, moderne, me tekste sociale dhe shpërthyese, siç ishin ato të atyre viteve.
Më pas nuk e pamë më, as vitin tjetër, as tjetrin, as dekadën tjetër, derisa u zhduk nga radari shqiptar.
Në këtë episod Morena Reka, sot mami e 4 fëmijëve, tre vajza dhe një djalë, me dialektin pak shkodran, e kujdesshme mos të thotë fjalë në anglisht, ka folur për jetën e saj në Amerikë.
Ka ikur 21 vjeç nga Shqipëria, e re është pak, fëmijë, dhe e ka vizituar për herë të parë këtë fundvit, grua, tek të 50-tat.
Pse? A ka patur një arsye të fortë? Varet sesi e sheh secili që do e klikojë podcast-in e Morenës.
Para se ta takoja kisha shumë mendime se kë do takoja. Në memorien time kisha vetëm portretin e saj 20 vjeç.
Në kafen tonë ajo u shfaq elegante, me jeans edhe UGGs, sa që vetëm kur qeshi e kapa që njeriu që ecte drejt meje, ishte ajo.
Nuk e kuptova mallin e saj e ndoshta edhe njëfarë pengu për ikjen nga Shqipëria në Amerikë, në kafen me të. Por në intervistë, po. Aty në skenë u shfaq “Morena, the real”
Me butësi dhe pa lënduar askënd, me një dëlirësi, do thoja unë, i tha të gjitha.
Podcasti "Zë me Mirën" u mbështet nga Credins Bank, Melia Durrës dhe Lajthiza
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore