Erblina Shehu rreth të 40-tave sot, është larguar nga Shqipëria për në Francë në moshën 17-vjeçare me studime. Atje ia ka dalë që të rritet profesionalisht dhe ka punuar në koorporata të ndryshme, ku puna e fundit ishte si Drejtoreshë Cilësie.
Një ditë bashkë me Silvanin dhe djalin e vogël Arturin, vendosën që të largohen nga Parisi, i cili nuk iu jepte më asgjë të re. Ishte si një film i përsëritur, ndoshta edhe pak i mërzitshëm. "Punën e bëja 'remotly' në distancë. Unë isha drejtoresha dhe kohën, mbledhjet, e çdo gjë e vendosja vetë kur dhe si", thotë ajo. Udhëtuan në Azi, më pas vendosën që të vijnë në Shqipëri. Për Erblinën ishte natyrale - thotë ajo.
Kishte shumë që i thanë se po bënte një hap prapa, kur në fakt ajo bëri hapa para. Sot pas 4 vjetësh thotë se në Tiranë ka gjetur një energji të bukur për jetën e saj. Ka dy biznese shumë interesante që do t'ju hyjnë të gjithëve në punë një ditë. Njëri ka të bëjë me Terapinë e Dritës dhe tjetri është një App që do të mësojë njerëzit për cilësinë e produkteve që ata blejnë, përmes një skanimi. Në këtë podcast kupton se jeta jonë varet thellësisht nga idetë dhe jo nga vendet.
Biseda e transkriptuar
Mira Kazhani: Erblina Shehu, emrin e ke si nga Dibra. Ti je gocë Tirane.
Erblina Shehu: E vërtetë. Faleminderit për ftesën së pari! Po, unë kam lindur në Dibër, por jam rritur në Tiranë deri në moshën 17 vjeç.
Mira Kazhani: Dhe këtu nis historia jote. 17 vjeç ti ke shkuar në Paris për studime dhe pas 20 vjetësh kur ti kishe një punë shumë të mirë, të sigurt në mes të Parisit, kishe partnerin tend Silvanin me të cilin keni një djalë, papritur vendos të kthehesh në Shqipëri, në Tiranë. Tani të gjithë njerëzit duan një punë të parashikueshme, një jetë të mirë, të superpaguar, akoma më mirë dhe në Paris, ti vjen dhe thua që është më mirë në Tiranë.
Erblina Shehu: E përmblodhe shumë bukur dhe shumë shpejt. Po të gjithave iu them po.
Mira Kazhani: Kur u takuam bashkë, ishte mamaje jote – duhet ta them këtë – që më telefonoi, e cila më kërkoi që ne të takoheshim bashkë që unë të mbështesja ty për një projekt tëndin në Tiranë. U habita shumë që ishe kthyer nga Parisi. Të telefonova dhe më the që jam kthyer se Parisi ishte “boring”. Më bëri përshtypje kjo, sepse ne këtu dëgjojmë shumë që të rinjtë duan të ikin. Absolutisht iu bën shumë mirë të ikin. Është eksperiencë. Po kjo anasjelltas, ky “shift-i” yt, kjo e kundërta, sikur kishe thyer një tabu për kontekstin e kohës ku jetojmë, mua më bëri shumë përshtypje. Çfarë ke studiuar ti në Paris dhe cila ishte puna jote atje?
Erblina Shehu: Unë kam tre mastera kryesisht bazuar Ekonomi-Financë, pak Juridik. Kam bërë pak Shkenca Politike. Së fundmi, bëra dhe master para 7 vitesh në Menaxhim Cilësie. Kam evoluar në koorporata të mëdha atje, me punë të sigurt, siç e the dhe ti. Me paga të mira dhe një kontekst jete shumë komfort. Pikërisht kjo ishte ajo që së bashku me tim shoq dhe tim bir, pasi im bir u rrit pak, na bëri që të mendonin ku do të ishte hapi i radhës. Ku do të shkonim në një vend tjetër, sepse jeta atje u bë shumë… ndoshta jo “boring” se aty e përmblodha me një fjalë, por ishim vërtet në një “comfort zone” që ishte i këndshëm, por duke qenë të dy me Silvanin njerëz që kërkojmë ta vëmë veten në vështirësi, që na pëlqen e reja, aventura, menduam ku do të shkojmë dhe ky proces na ka marrë në fakt disa muaj. Mos të them gati një vit. Nga momenti që vendosëm që do të lëviznim dhe si fillim nuk është se Shqipëria ishte vendi i parë në të cilin neve donim të vinim.
Mira Kazhani: Nuk ishte në axhendë. Nuk ishte në kalendarin tuaj.
Erblina Shehu: Vinim shpesh. Na pëlqente shumë mënyra sesi kishte evoluuar. Gjenim shumë ngrohtësi patjetër, sa herë që vinim këtu. Po kishim ide të tjera fillimisht. Filluam të lëviznim, të kisha mundësi si unë si ai që të punonim online që para pandemisë.
Mira Kazhani: Punonit në distancë që para pandemisë?
Erblina Shehu: Po.
Mira Kazhani: Mendova që kjo kishte ndodhur për shkak të pandemisë.
Erblina Shehu: Jo, jo ne punonim gia në distancë. E kishim të mundur të dy dhe filluam të udhëtonim edhe më shumë se më parë dhe madje bëmë një udhëtim disa-mujor në Azi. Vajtëm në Vietman, në Kamboxhia, në Singapor, në Malajzi, në Tajlandë.
Mira Kazhani: Si ia bënit me oraret? Për shembull si e kishe orarin kur ishe në Tajlandë?
Erblina Shehu: Ishim me laptopin gjithmonë me vete, kuptohet. Mbledhjet online. Po patjetër që kishim rënë dakord edhe me punëdhënësit respektivë që të kishim disa orare dhe disa ditë pune të plotë.
Mira Kazhani: Çfarë bëje konkretisht ti?
Erblina Shehu: Unë kam qenë drejtoreshë cilësie.
Mira Kazhani: Sa orë punoje? Apo s`kishte orë…
Erblina Shehu: Unë isha ajo që bëja axhendën time. Unë isha ajo që organizoja udhëtimet, auditet, mbledhjet, lëvizjet me ekipin. Isha shumë e lirë. Të them të drejtën ishte shumë punë ideale dhe shumë gjithëpërfshirëse, sepse kisha të bëja me të gjitha profesionet. Me pak fjalë, pasi udhëtuam disa muaj na erdhi në mendje Shqipëria. Madje ka qenë im shoq ai që tha po pse s`e kemi menduar? Pse jo Shqipëria? Për mua ishte shumë e natyrshme. Thashë ok. Për mua është edhe më e lehtë. Disa njerëz më thonin: Ua është çik si mbrapa. Pse duhet të kthehesh në vendin tënd? Ti ke qenë? Po në fakt kisha kaluar 20 vite larg vendit tim dhe kthehesha shumë pak, një javë, dy javë në vit. Nuk kisha mundësi më shumë, sepse kam punuar gjatë gjithë shkollimit tim, gjatë gjithë masterave. Kam qenë gjithmonë e okupuar gjatë verës për t`ia dalë vetë në një vend të huaj. Dhe më erdhi shumë natyrshëm, po pse jo. Shumë mirë. Gjithashtu im shoq e kishte me shumë kënqësi të më kuptonte më mirë dhe të kuptonte kulturën shqiptare.
Mira Kazhani: Ai është francez.
Erblina Shehu: Po. Lindur, rritur në Paris. Është hera e parë, përveç udhëtimeve për qejf dhe si turist, është hera e parë që ai ka ndryshuar vendndodhjen e tij. E ka gjetur veten shumë mirë këtu.
Mira Kazhani: Çfarë bën ai këtu?
Erblina Shehu: Ai merret me muzikë. Ka tentuar disa idera që kishte në biznes.
Mira Kazhani: Është Dj në profesion.
Erblina Shehu: Është producent dhe prodhon muzikë elektronike kryesisht.
Mira Kazhani: Sa vite u bëtë në Tiranë?
Erblina Shehu: Po kështu si padashje, edhe pse ka pasur vajtje-ardhje, po bëhen 4. Ikin shumë shpejt.
Mira Kazhani: Keni plane për të qëndruar apo si udhëtarë të botës keni një “next step”, një hap tjetër. E mendoni? Apo për momentin jo.
Erblina Shehu: Patjetër që ne jemi shumë të hapur për udhëtime, për të lëvizur. Po sot, unë të paktën kam nisur dy nisma që po i ndërtoj të reja. Që i quaj madje, për të bërë një analogji të thjeshtë, dy biznese të reja që i quaj si të ishin dy binjakë të porsalindur. Këtu gjej mbështetjen e duhur, njerëzit e duhur. Kam gjetur vërtet një frymë shumë stimuluese për t`i rritur këta dy binjakë në Tiranë.
Mira Kazhani: Ne ankohemi që punë ka, por s`ka profesionistë. Ku i gjete ti?
Erblina Shehu: Brezi i ri janë të paparë, sinqerisht. Shumë të etur për të mësuar, për të ndryshuar, për t`u përfshirë në projekte të reja. Nuk e di, mbase kultura ime, mënyra sesi unë i shoh, ndoshta i motivon. Tek të dy projektet jam rrethuar me shumë njerëz pozitivë dhe shumë kompetentë dhe profesionalë.
Mira Kazhani: Flasim pak për projektin që unë e pashë nga afër ditën që u takuam “Terapia e Dritës”, një kulturë shumë e njohur në Francë, - më the – që ti e ke futur në Tiranë. Është një lloj terapie e dritës për trurin. Pra kur je shumë i lodhur dhe siç njeriu shkon bën gjimnastikën e fizikut vet, është një lloj gjimnastike për mendjen, për mendimet. Kjo nuk ka lidhje fare me formimim tuaj, Apo ka dhe s`ka?
Erblina Shehu: Siç e thashë, qoftë unë apo im shoq jemi gjithmonë në kërkim të ideve të reja. Kështu u njohëm dhe me dritën hipnegogjike gjatë pandemisë. Hipnegogjia është ajo gjendja në të cilën ne ndodhemi përpara se ne të flemë gjumë.
Mira Kazhani: Ka lidhje me hipnozën?
Erblina Shehu: Jo.
Mira Kazhani: Ok. Mos ta ngatërrojmë. Tërhiqem. S`është puna ime.
Erblina Shehu: Është ai momenti kur ne jemi shumë kreativë dhe kemi ato gjetjet, momentet eureka, momentet uau që do donim shumë ndonjëherë të kishim një letër dhe një laps. Disa e bëjnë këtë si ushtrim përpara se të flenë, që t`i shënojnë këto ide. Pikërisht nga kjo vjen dhe drita në fjalë. Se nëpërmjet përdorimit të dritës dhe muzikës njëkohësisht ne arrijmë të shkojmë në këto lloj gjendjesh, ose gjendje të tjera që na bëjnë mirë. Na relaksojnë. Gjëja më e afërt që mund t`i afrohet për ta shpjeguar është meditimi. Po një meditim më i thellë, më i përshpejtuar në ndikimin e kësaj dritës. Është elektronika në mes kështu që procesi përshpejtohet dhe bëhet edhe më i thjeshtë. Neve qëndrojmë shtrirë, me sy mbyllur. Vëmë kufjet, dëgjojmë muzikë, drita pulson dhe ndërkohë ne hyjmë në një botë me ngjyra, me forma.
Mira Kazhani: Të gjithë shohin të njëjtën botë? Për shembull unë e provova dhe ta thashë atë ditë. Për 5 minuta ishte?
Erblina Shehu: 10 minuta.
Mira Kazhani: Ja s`e kam ndjerë kohën. Fillimisht pak një siklet i lehtë për ato ngjyrat dhe pastaj ambientohesh. Po mua për shembull më ndryshonin thjesht ngjyrat. Ishte si kaleidoskop me ngjyra.
Erblina Shehu: Po kjo është diçka që njerëzit thonë shpesh. Pjesa e kaleidoskopit, e imazheve që lëvizin, me ngjyra, me forma, masazhi i trurit. Dëshmitë janë nga më të ndryshmet. Asnjëri nga ne në fakt kur kemi bërë këtë test në grupe, asnjëri nuk sheh të njëjtën gjë, sepse gjithsecili nga ne është unik dhe ka botën e tij. Varet dhe shumë nga gjendja në të cilën ne ndodhemi.
Mira Kazhani: Çfarë shohin zakonisht për shembull? Çfarë të thonë?
Erblina Shehu: Janë dy kategori. Shumë kthehen në fëmijëri, në kujtime të bukura. Pjesa tjetër janë më shumë tek ngjyrat dhe tek imazhet kaleidoskopike.
Mira Kazhani: Ti vetë çfarë sheh?
Erblina Shehu: Unë jam shumë tek imazhet kaleidoskopike.
Mira Kazhani: Ngjakemi në këtë pikë. Çfarë do të thotë kjo?
Erblina Shehu: Nuk ka asnjë domethënie.
Mira Kazhani: Unë u gëzova. Mendova që jam mirë, edhe nuk e di që jam e lumtur (qesh).
Erblina Shehu: E rëndësishme është ajo që ne i fusim trurit tonë. Informacioni, stimuli, çfarë dëshirash kemi ne, çfarë duam që të arrijmë nëpërmjet këtyre seancave. Kjo është pjesë e procesit. Paraprakisht, para se të hyjmë në seancë, duhet t`i vëmë vetes një qëllim.
Mira Kazhani: Pra po thua që para se të shkojmë në një seancë, duhet të kesh një ide të qartë pse po e bën. Pra duhet ta kesh një mendim.
Erblina Shehu: Po, duke ditur gjendjen tënde, duke ditur problematikat e tua, ne vendosim së bashku cili do të ishte qëllimi, gjëja që duam të arrijmë.
Mira Kazhani: Për shembull dikush do ta fshijë një kujtim. Është e mundur përmes kësaj terapie?
Erblina Shehu: Po. Ka disa programe që na ndihmojmë për këtë. Unë kam përdorur shumë prej tyre, sepse në përditshmërinë time kisha imazhe, kujtime nga fëmijëria që më vinin dhe ishin parazitë. Nuk më ndihmonin në përditshmërinë time dhe nuk është se i kam fshirë, i kam, por thjesht nuk më ndikojmë më.
Mira Kazhani: Nuk vijnë aq shpesh?
Erblina Shehu: Jo, nuk më ndikojmë më në përditshmërinë time. Më ndihmon shumë që të fokusohem në axhendën e ditës, në takimet që kam, në objektivat që kam.
Mira Kazhani: A përplaset pak me profesionin e psikologut kjo lloj terapie?
Erblina Shehu: Absolutisht jo. Madje kam një mikeshën time shumë të mirë që është psikologe. E ka integruar në terapinë e saj. Mund të integrohet shumë mirë. Po patjetër që ne jemi ndryshe nga psikologu, sidomos psikoterapisti. Kjo është terapi drite, por nuk është një terapi e mirëfilltë siç mund ta bëjë psikologu.
Mira Kazhani: Dikush mund të vijë me idenë që me terapinë e dritës mund të fshijë gjithçka dhe nisë nga zeroja.
Erblina Shehu: Unë do ta lidhja më shumë me meditimin, me frymëmarrjen.
Mira Kazhani: Është më shumë si një lloj make up-i. Si një lloj higjiene mendore.
Erblina Shehu: Patjetër. Siç shkojmë në një sallë sporti për të trajnuar muskujt tanë dhe terapia e dritës kërkon të njëjtin impenjim dhe duhet të shkojmë me një objektiv.
Mira Kazhani: Sa seanca duhet të bësh?
Erblina Shehu: Për të kuptuar njëherë mundësitë që ofron kjo teknologji, minimalisht 5 këshillohen, sepse programet janë të shumta.
Mira Kazhani: 5 në muaj?
Erblina Shehu: Jo, 5 për ta kuptuar. Që mund të bëhen dy herë në javë. Më pas idealja është të mirëmbahet. Në fakt historia jonë me dritën nisi si një gjetje si fillim. E testuam pas pandemisë me tim shoq. Pas dy seancash vendosëm t`ia bënim dhuratë vetes. Ne nuk jemi asnjëri shumë të fokusuar tek dhuratat. Jemi më shumë të fokusuar tek eksperienca, udhëtimi, ushqimi. Por edhe pse diçka materiale dhe e prekshme, na pëlqeu shumë dhe thamë e kemi të nevojshme sot si pas pandemie, që të kemi një mjet të tillë që na bën mirë. E bëmë pjesë të përditshmërisë tonë shumë shpejt.
Mira Kazhani: Në fakt që pas pandemisë ka shumë studime dhe lajme që ka ndikuar shumë tek harresa. Nuk kapin shumë sensin e realitetit. Disa janë konfuzë. E kanë shumë me re kokën.
Erblina Shehu: Përqëndrimi është bërë shumë problematik.
Mira Kazhani: Ankthi, harrojmë më shpejt. Kush e ka shpikur këtë si teknologji?
Erblina Shehu: Kjo si teknologji është e vjetër. Them teknologji, por në fakt është një process natyral që ndodh edhe në natyrë. Këtu mund t`ju jap një sekret të vogël për ata që janë fansa të natyrës dhe arrijnë të gjejnë kohën gjatë ditës së tyre të shkojnë në natyrë, arrihet, në version më të lehtë kuptohet… Nëse vendoseni nën një pemë dhe keni diellin përballë, lëvizja e gjetheve me dritën e diellit të krijon pak a shumë të njëjtin sensacion në mënyrë shumë më të lehtë, kuptohet. Nuk vendos siç është në rastin e dritës në çfarë valësh do të shkosh dhe çfarë do të punosh, por sidoqoftë baza vjen nga kjo.
Mira Kazhani: Po që është e vërtetë. Tani që më kujtohet, fëmijë i shikoja ato dritat ndonjëherë kur shkonim tek gjyshërit në fshat.
Erblina Shehu: Memetizmi i natyrës është sekreti i të gjithave.
Mira Kazhani: Zgjedhjet më të mira në natyrë janë. Nuk e diskutojmë këtë. Duhet të jetë shpikje e ndonjë vendi të ftohtë, pa shumë diell, me sa kuptoj.
Erblina Shehu: Anglezë. Të dy shpikësit janë anglezë. Kjo është teknologjia e dytë që ata kanë zhvilluar. Quhet Roxiva. Mund ta gjeni edhe në internet. Njëri është neuroshkencëtar, psikolog, psikoterapist. Tjetri merret me elektronikën, me pjesën e ndërtimit të makinerisë. Ata vijojnë dhe çdo muaj ne kemi programe të reja. Është një qyp pa fund të pjesën e zbulimit edhe për ne vetë. Çdo ditë i provojmë edhe ne seancat e reja dhe punojmë me objektiva të reja.
Mira Kazhani: Ka shumë klientë? Vijnë shumë? E njohin?
Erblina Shehu: Ka filluar. Po është diçka e re dhe ka të bëjë me trurin. Kështu që njerëzit edhe duan ta provojnë, por edhe stepen.
Mira Kazhani: Për fat të keq ka një fokusim tek pjesa e jashtme e interesit sot të shoqërisë. Më shumë kurohemi së jashtmi, sesa së brendshmi. Luftë e madhe kjo, por në fakt zgjidhjet janë brenda dhe drita vjen nga brenda.
Erblina Shehu: Unë jam shumë dakord me këtë të fundit sidomos. Atë të parën nuk e di, është personale.
Mira Kazhani: Është perceptim dhe është e dukshme. Nuk ka nevojë ta vëmë në dyshim. Është kaq e dukshme po ta shikosh në modelet që promovojmë.
Erblina Shehu: Po patjetër. Po edhe fakti i të qenit i bukur nga jashtë na ndihmon për t`u ndjerë mirë nga brenda.
Mira Kazhani: Nuk po thotë njeri që të mos jemi të bukur nga jashtë, përkundrazi. (qesh). Pa atë ku do shkojmë! Duhet të jemi estektikë.
Erblina Shehu: Të gjitha janë të rëndësishme. Po që jemi shumë të bukur nga brenda. Me dritën unë e kam parë këtë dhe e shoh edhe në sytë e njerëzve pasi dalin. Sidomos eksperienca e parë është shumë mbresëlënëse për të gjithë. Dhe vërtet jemi shumë të bukur nga brenda. Thjesht duhet të marrim pak kohë që ta shohim veten.
Mira Kazhani: Tirana dhe Shqipëria në përgjithësi është një vend me dritë edhe me diell.
Erblina Shehu: Prandaj ishte në përzgjedhjen tonë. Përveç faktit që ishte dhe ynë.
Mira Kazhani: Po edhe fakti që ndoshta njerëzit këtu kanë dritë. Sa mund të kenë interes për ta bërë këtë? Apo s`ka të bëjë? Kjo është diçka më e fokusuar.
Erblina Shehu: Në fakt drita nuk ka të bëjë në vetvete fakti që ka diell apo jo. Patjetër që ndikon pozitivisht në shëndetin tonë, por do ta fusja tek këto mjetet holistike. Afrohet më shumë me meditimin, me njohjen e vetes. Është më “deep”, më e thellë si eksperiencë.
Mira Kazhani: Më fole edhe për një App që quhet Kungul, si kungulli, por me “l”, meqë “ll-në” s`e kanë shumë vende.
Erblina Shehu: Ky është binjaku im i dytë ose i parë. I kam nisur njëkohësisht. Kunguli është një aplikacion, ose një mjet që ndihmon konsumatorin të dijë çfarë ka brenda produkti që ai blen.
Mira Kazhani: Aty është Drejtoresha e Cilësisë.
Erblina Shehu: Këtu zgjohet eksperienca ime disa-vjeçare në cilësi. Në fakt historia ime me Kungulin nisi me tim bir. Nuk ka lidhje me cilësinë. Kur im bir lindi, shumë pak muaj më pas, pas shumë eksplorimesh dhe kërkimesh zbuluam se ai kishte lëkurë atopike. Që me pak fjalë do të thotë lëkurë shumë të ndjeshme. Nuk mund t`i vija çdo produkt. Qoftë shampoo, kremra apo deodorante. Aplikacioni Kungul me një skanim mundëson lexim të përbërësve. Jep në mënyrë shumë të thjeshtëzuar një sqarim për ata që e kanë me të shpejtë, me tre ngjyra. Ngjyra jeshile do të thotë që nuk ka ingredientë problematikë. Ngjyra portokalli dhe e kuqe do të thotë që përmban ingredient që mund të jenë të dëmshëm për shëndetin. Më pas është konsumatori ai që vendos për të, për ta marrë apo jo.
Mira Kazhani: Shumë interesante kjo!
Erblina Shehu: Në fakt kur im bir lindi dhe u gjenda përballë kësaj situate, në 2014-ën kjo, 9 vite më parë, zbulova në fakt që as çmimi, as vendi ku unë i blija produktet dhe as marka nuk kishin një domethënie. Shumë produkte që mund të ishin të shtrenjtë, që mund t`i blija në vende të besueshme përmbanin ingredient problematikë që mund të ishin kancerogjenë, çrregullues hormonalë, irritues, ose alergjenë.
Mira Kazhani: Sa afër je përmbylljes së Kungulit, të App-it? Se ku e lexova përpara disa kohësh që shumica e App-eve nuk ia dalin të kenë sukses. Ata që kanë sukses pastaj janë App-e.
Erblina Shehu: Në fakt aplikacioni është i karikueshëm për Android tashmë. Së shpejti do të jetë në Playstore. Jemi vazhdimisht duke futur produkte. Madje kemi bërë dhe një funksionalitet ku përdoruesi nëse nuk gjen një produkt, mund të na ndihmojë dhe ta fusi në aplikacion në mënyrë që ne më pas të japim një “scorim” të produktit dhe përbërësit që ai përmban. Është punë pafund. Kemi shumë idera për ta zhvilluar në vijim. Jemi në fazën që quhet MVP (minimal viable product). Është vetëm fillimi. Gjasat janë pozitive pasi kur e nisëm këtë punë testuam me njerëzit e afërm dhe të tjerë. Morëm një feedback se sa do ta përdornin njerëzit një aplikacion të tillë. Pothuajse 100%, 98% ishin të prirur që ta përdornin. Mbi 80% e tyre na thanë që do të ndikonte në zgjedhjet që ata do të bënin.
Mira Kazhani: Kjo tregon që po rritet një lloj ndërgjegjësimi. Unë vetëm datën e skadencës shoh në fakt, por duhet të mësohemi që të shohim. Kam një koleg që skanon çdo lloj vere dhe të thotë nëse vlen apo jo. Po as atë s`kam mësuar. Po kjo është shumë interesante dhe e rëndësishme që ne të dimë çfarë po konsumojmë.
Erblina Shehu: Ky është thelbi i aplikacionit Kungul që të informojë konsumatorin mbi përbërësit dhe të informojë. Se ky informacion do shumë kohë dhe nerva të rrish të kërkosh në interent.
Mira Kazhani: Do jetë një App që do funksionojë vetëm për Shqipërinë apo…?
Erblina Shehu: Aplikacioni do të jetë shqiptar, Made in Albania. Me ekip totalisht shqiptar dhe për këtë jam shumë krenare. Patjetër që ideja është që ne ta zhvillojmë dhe në botë, por gjeneza është këtu.
Mira Kazhani: Hap pas hapi.
Erblina Shehu: Ekzakt. Të shohim si do shkojn gjërat.
Mira Kazhani: Sa veta jeni që merreni me Kungulin?
Erblina Shehu: Jemi 8 veta sot.
Mira Kazhani: Goca, çuna?
Erblina Shehu: Goca, çuna, miks. Më shumë goca.
Mira Kazhani: Çfarë profesionesh kanë ata? Janë në punëra?
Erblina Shehu: Të gjithë janë në punëra.
Mira Kazhani: Jeni si vullnetarë. Jeni bashkuar aty për të bërë këtë…
Erblina Shehu: Po është një projekt në të cilin të gjithë besojmë dhe punojmë darkave, fundjavave.
Mira Kazhani: Ti ishe ideatorja.
Erblina Shehu: Po.
Mira Kazhani: Dhe ti gjete gjithë njerëzit. Për katër vite në Tiranë i ke gjetur të gjithë njerëzit.
Erblina Shehu: I kam gjetur për një muaj.
Mira Kazhani: Si i gjete?
Erblina Shehu: Po kjo është e bukura e Shqipërisë.
Mira Kazhani: Po të kërkosh gjen në Shqipëri?
Erblina Shehu: Po.
Mira Kazhani: Gjen kudo në fakt.
Erblina Shehu: Se çdo njeri njeh dikë që njeh dikë që ka bërë diçka të ngjashme dhe mjaftosh të kërkosh. Mjafton të vihesh, të përballesh, të thuash idenë tënde, ta ndash me njerëzit. Dhe ata që e besojnë menjëherë fillojnë bëjnë lidhjet dhe fillojnë telefonatat.
Mira Kazhani: Punoni të gjithë nga kompjuteri juaj, nga shtëpia, nga iPad. Nuk keni një zyrë që takoheni?
Erblina Shehu: Po kemi një zyrë. Kisha një ambient të vogël më përpara. Tani ka, lëvizur në një ambient ku kemi edhe ushqimin, edhe pijet, që quhet Oborri, një super vend tek Rruga e Kavajës.
Mira Kazhani: Aty ku u takuam bashkë dhe ishte shumë bukur oborri.
Erblina Shehu: Po është fiks oborr. Ka gjelbërim, ka ushqim, ka një vibe shumë të mirë.
Mira Kazhani: Ishte oborr me stil.
Erblina Shehu: Me stil është. Po stilin e bëjnë shumë dhe njerëzit dhe njerëzit aty janë shumë pozitivë. Jam vërtet shumë e lumtur dhe e kënaqur me këtu ku jam sot dhe e vlerësoj shumë çdo sekond, çdo moment në Tiranë. Jam vërtet e rrethuar me njerëz shumë pozitivë dhe po mësoj dhe unë shumë prej tyre.
Mira Kazhani: Edhe unë kam mësuar shumë sot nga ty dhe shpresoj publiku i këtij podcast-i, të gjithë ndjekësit të kenë parë tek ti mesazhin kryesor që e thotë historia jote. Që jetën nuk ta bëjnë vendet. Nuk ta bën as New York-u, as Parisi, as Roma, as Tirana, ta bëjnë idetë. Njerëzit duhet të kenë kurajën për t`u shkuar në fund ideve të tyre. Nuk ka rëndësi se si do dalin. Për shembull ti nuk e ke ditur çfarë do të ndodhë këtu, por i ke bërë. Sigurisht që të gjitha ato idetë vijnë edhe pas një formimi të përgjithshëm dhe pas një lloj stabiliteti të krijuar ndër vite. Nuk mund të nënvlerësosh peshën e shkollës që ti ke bërë, por më pëlqen shumë kjo kurajë për të ndryshuar, për t`u rishpikur, për t`u rilançuar.
Çfarë shenje je në horoskop?
Erblina Shehu: Binjakët.
Mira Kazhani: Prandaj bën nga dy gjëra ti.
Erblina Shehu: Nuk bëj dot vetëm një. Është një miks gjërash patjetër, formimi, historia ime, por është edhe shumë vibe i Tiranës, njerëzit që kam gjetur këtu, mikpritja është një element shumë i fortë i shoqërisë dhe vendit tonë që s`duhet ta humbasim. Duhet ta ruajmë lart dhe fakti që jemi shumë të prirur për të mësuar dhe për të ndryshuar. I përqafojmë shumë shpejt idetë novatore. Shumë më shpejt se në vendet e zhvilluara ku gjërat janë të ngritura, të ndërtuara.
Mira Kazhani: Më vjen mirë që dëgjojmë gjëra kaq të mira ne që nuk kemi ikur asnjëherë nga Tirana apo nga Shqipëria dhe kemi bërë këtë gavetën tonë siç thonë italianët, këtë rrugëtimin tonë këtu ndonjëherë harrojmë t`i shohim këto gjëra. Nuk e di, mbase s`është nga terapia e dritës. Kjo është nga eksperienca e jetës tënde.
Erblina Shehu: Ka ndikuar dhe terapia e dritës…
Mira Kazhani: Ndoshta edhe ajo të bën t`i shohësh gjërat me sy tjetër. Faleminderit Erblina! Të uroj shumë suksese me Kungulin, me Terapinë e Dritës, me Silvanin, me Arturin, edhe me Tiranën. Nëse do vendosësh të shkosh diku tjetër, eja na e thuaj në podcastin e radhës.
Erblina Shehu: Patjetër me shumë kënaqësi, por jam shumë mirë këtu.
Mira Kazhani: Shpresoj që të rrish këtu. Kemi nevojë për njerëz me ide.
Podcasti "Zë me Mirën" u mbështet nga Credins Bank
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore