Videopodcast

Amore dhe Coca-Cola për Shqipërinë

Amore dhe Coca-Cola për Shqipërinë

Mira Kazhani: Në këtë podcast do të flasim për Coca-Colën. E di, edhe mua më pihet në këtë vapë një e ftohtë, por do të flasim për historinë e një familje që vendosi t`u sjellë shqiptarëve simbolin e parë të lirisë dhe perëndimit, siç ishte dikur Coca-Cola për ne, aq shumë e ëndërruar. Nuk mbaj mend nëse e kemi mbajtur në bufe në shtëpi, ndoshta jo, por nëse ka diçka nga fëmijëria, është reklama e saj dhe filmat me pijen edhe shishen e bukur. Më vjen shumë mirë që m`u dha rasti të kem një podcast për historinë e Coca-Colës në Shqipëri dhe familjes Busi. Ishin investitorët e parë me peshë që guxuan në vitin 1994, kur vendi ishte i brishtë, i varfër, i uritur. Dhe më duket janë të vetmit që rezistuan këtu plot 28 vjet. Sot do të flas me presidentin e Coca-Colës në Shqipëri, Luca Busi.

Intervista e transkriptuar

Luca, faleminderit! Faleminderit, sepse keni qenë të parët që keni ardhur këtu, por sidomos sepse keni rezistuar në një vend me demokraci të brishtë, probleme me korrupsionin. Jemi të ndërgjegjshëm. Nuk jemi suedezë.

Luca Busi: Sekreti ynë është puna e madhe që kemi bërë. Është pasioni i madh. Kishim një dëshirë shumë të rëndësishme, t`ia dilnim të transformonim një nga koorporatat globale në botë, në një biznes familjar dhe lokal, nga zeroja. Kjo do të thoshte edhe të bashkëveproje me ambientin e të vepronim me një etikë të fuqishme, për të arritur të jepnim përgjigjet më të mira për pyetjet e konsumatorëve dhe gjithë atyre që çdo ditë zgjedhin një nga produktet tanë. Po edhe të ndërvepronim me institucionet për të ndërtuar besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë për të gjithë komunitetin.

Mira Kazhani: Keni pasur ndonjëherë ndonjë moment dyshimi apo dëshirën për t`u tërhequr nga këtu?

Luca Busi: Vitet më të vështirë kanë qenë vitet e parë. Jam sfiduar mjaftueshëm. Edhe pse nga familja ime, unë i përkisja brezit të ri. Isha gjenerata që sapo po hyja në këtë aktivitet. Ishte situatë paksa mosbesuese. Në asnjë rast nuk shikoja asnjë sinjal shprese. Sepse pas më shumë se 40 vitesh nga Enver Hoxha, vendi në 1991-shin dukej keq. Pak vende kam parë që të dilnin kaq keq nga kjo gjendje. Rumania ka dalë shumë më mirë. Ne në Itali i kemi pritur të gjitha gomonet, njerëzit që e braktisën Shqipërinë. E lanë vendin, e braktisën dhe ishte vërtet një vend në ditët e fundit të jetës.

Mira Kazhani: Sa vjeç ishe në atë epokë?

Luca Busi: Për herë të parë që kam ardhur në Shqipëri unë isha 19 vjeç. Kam ardhur në fillim unë, pastaj Kristina. Kam ardhur unë me shefin e kompanisë së Coca-Colës dhe daja im. Kemi zbritur. Kemi bërë xhiron e parë, për të parë më shumë. Kemi fjetur në Durrës.

Mira Kazhani: Ku? E mban mend?

Luca Busi: Po. Në vilat e mbyllura. Te vilat në breg të detit. E prekëm nga afër realitetin. Një ekonomi e shkatërruar. Nëse e mbaj mend mirë pemët e prera për të bërë dru, kafshët të lidhura me litarë. Një situatë vërtet e vështirë. Po asnjë nga këto situata nuk e bënë të stepej familjen time. Ishim të vendosur. E ke parasysh? Është njësoj si kur lind dashuria e madhe. (qesh) Kristina që është luftëtarja në këtë investim, edhe kur përballej me ndonjë problem kishte atë grintën e vendosmërisë për të vazhduar. Nuk ka shfaqur kurrë asnjë sinjal dobësie.

Mira Kazhani: Dhe është grua ëë?

Luca Busi: Po e vërtetë. Kjo është e bukura e biznesit familjar. Mua më kujtohet si të ishte dje momenti që kemi vendosur të çojmë përpara këtë investim të madh në Shqipëri. Nga njëra anë ishim të angazhuar me Coca-Colën që e hapëm në 1994-ën dhe nga ana tjetër po studionin start up-in e Tepelenës, ujin e Tepelenës, që lindi në 1997-ën. Pra të gjithë faktorët e viteve të para ishin vërtet të errët. E shikonim me vështirësi një të ardhme pozitive për tregun dhe Shqipërinë, në ato vitet e para.

Pastaj vumë re PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto). Projektet e bukura dhe investimet e jashtme që ndiqnin modelin tonë po rriteshin. Po dëshmonin një lëvizje dhe nëse shohim 10 vitet e fundit është si një ëndërr që e shikon të bëhet realitet.

Mira Kazhani: Po Kristina me se merret sot?

Luca Busi: Kristina është shumë prezente.

Mira Kazhani: Është mirë?

Luca Busi: Është shumë mirë. Është shumë prezente në biznes. Merr pjesë në çdo mbledhje, në të cilat merren vendime të rëndësishme për biznesin. Jemi një grup i rëndësishëm me shumë përgjegjësi, sepse veprojmë me 5 kompani, më shumë se 210 milionë euro xhiro çdo vit. Janë 900 persona që bëjnë të xhirohen këto fatura çdo ditë. Një grup i mirë dhe një angazhim shumë i madh. Ajo është shumë prezente në disa mbledhje të rëndësishme gjatë javës, në të gjitha mbledhjet e rëndësishme mujore ku analizojmë targetet javore dhe KBA. Është shumë shumë prezente.

Mira Kazhani: Cila ishte gjëja e re që solle ti Luca kur more në dorë drejtimin?

Luca Busi: Unë në fakt ia dedikoj gjithë rrugën time drejt rritjes, Kristinës sime të dashur. Ajo më bëri të kuptoj më shpejt dhe t`i prek nga afër, për të kuptuar se çfarë brumi kisha. Gjatë kohës që kisha ca provime për në shtator, në vjeshtë, për rikuperim, më la të punoja gjithë verën në një pikë që shiste panine. Lëvizja me biçikletë. Tetë orë. Më paguanin, ndërkohë duhet të mësoja edhe për provimet. Isha 15 vjeç! Për të shtruar rrugën, për të qenë gati për të marrë drejtimin. Drejtimin e mora në fillim në kompaninë e parë të Coca-Colës në Siçili, një biznes me shumë vështirësi. Prezantova planin 5-vjeçar të rimëkëmbjes, me një plan biznesi me shumë kantierë, shumë gjëra për të sistemuar, për të ristrukturuar, për të riparë, për set up. Një punë e jashtëzakonshme dhe e mbajta drejtimin e kompanisë në 5 vite. Duke parë që e bëra mirë këtë punë, më zgjodhën për të drejtuar edhe kompanitë e tjera të grupit tonë. Pastaj erdha edhe për të drejtuar edhe CCBS.

Mira Kazhani: Ne shqiptarët kemi një frazë: Bëmë mama të të ngjaj! Në italisht kam përshtypjen që i thonë “Tale madre, tale figlio”.

Luca Busi: Faleminderit! Kur babai ynë u nda nga jeta, unë isha 10 vjeç dhe ajo 30, Kristina pati kurajën të niste të punonte dhe të tregonte vlerat e saj. Unë kisha peshën dyfishe të brezave. Pas babit tim, erdhi Kristina, e pastaj unë. Duhet ta bëja mirë, si për të, ashtu edhe për babain tim.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për shqiptarët e sotëm? Je këtu prej vitesh. Kemi ndryshuar ne? Si jemi si karakter, në sytë e ty? Jemi punëtorëve neve? Apo jemi pak më shumë si pjesa jugore e Italisë, që nuk i pëlqen të vrapojë shumë?

Luca Busi: Jo, jo. Kanë një qasje të mirë ndaj punës. Janë të shpejtë dhe shumë efikasë. Unë këtë shikoj. Këtë shikoj. Një dëshirë të madhe për të qenë të shpejtë. Efiçentë. Inteligjentë. Ka kaq shumë talente në Tiranë, në gjithë Shqipërinë. Sa herë që njoh dikë, mbetem i surprizuar. Ka kaq shumë talente. Gjëja që më mërzit nga ana tjetër është që ka gjithmonë një tendencë – që e kemi pasur edhe ne në Itali 10 vite më parë – grindjet dhe grupimet në punë, skemat, mbahet anë.

Mira Kazhani: Nuk punojmë në grup. Është tipike e jona

Luca Busi: Po. Secili punon sa për t`u dukur. Të punosh në grup është e vështirë dhe për fat të keq shumë herë punohet sa për sy e faqe, domethënë vetëm për të tjerët. Kur e vërteta në fakt është diçka tjetër! Këto janë gjëra që sigurisht s`më pëlqejnë, por këto janë larg rastit tonë që është specifik në këtë pikë. (qesh)

Mira Kazhani: Edhe ne jemi të ndërgjegjshëm, por vetëm kaq.

Luca Busi: Po, se është diçka serioze. Se të ndihmosh kolegun është si të ndihmosh veten. Është fitore e përbashkët. Të përballesh me një problem të vërtetë dhe jo vetëm sa për sy e faqe dhe të përballesh me jetën e përditshme! Kështu të luash sa për sy e faqe dhe t`i bësh një kurth kolegut, mua më duket shumë keq! (qesh).

Mira Kazhani: Flasim pak për Coca-Colën. Mua më pëlqen shumë. Po jo ajo zero. Nëse shkoj për të marrë një Coca-Cola, marr një Coca-Cola të vërtetë.

Luca Busi: Me sheqer.

Mira Kazhani: Ti e pi?

Luca Busi: Po. Sigurisht.

Mira Kazhani: Më thuaj të vërtetën.

Luca Busi: Po unë e pi dhe jam i çmendur për Coca-Cola Zeron. Kur jam me punë në kompaninë në Katania, në drekë marr gjithmonë, çdo ditë një Coca-Cola zero. Se Coca-Cola, ashtu si çdo produkt tjetër i yni, po Coca-Cola veçanërisht, të jep një buzëqeshje. Është një produkt që të jep energji pozitive.

Mira Kazhani: Ka shumë reklamë, por edhe antireklamë, për Coca-Colën, dietat… sidomos kohët e fundit. Mua më largon dhimbjen e kokën Coca-Cola për shembull. Është e vërtetë që është krijuar nga një farmacist?

Luca Busi: Po, Pemberton, në 1886-ën.

Mira Kazhani: Si është e mundur që këtë botë që zbulohet gjithçka, nuk ka më asnjë sekret, si ia keni dalë ta mbani sekret formulën?

Luca Busi: Kanë ditur t`i mbrojnë. (qesh) Ka funksionuar deri më sot. Kemi qenë gjithmonë të vëmendshëm, por edhe në fakt gjithmonë mungon një element. Nuk është rastësi, që nga njëra anë je në gjendje të rindërtosh disa pjesë, por të tjerat mungojnë gjithmonë. Përveç kësaj, ekzistojnë edhe sasitë për secilin element të formulës. Kjo është pika jonë e fortë dhe jemi shumë krenarë që kemi ditur ta mbrojmë formulën.

Mira Kazhani: Ti e di?

Luca Busi: Jo. Jo. Jo.

Mira Kazhani: Po Kristina e di?

Luca Busi: Do t`ia kërkojmë. Ndoshta ajo e di. (qesh)

Mira Kazhani: Diçka tjetër për të cilën biem të gjithë dakord janë reklamat e fundvitit të Coca-Colës. Ia kanë dalë gjithmonë të jenë të mirëmenduara, me mesazhe që të prekin zemrën. Po këtë si e keni arritur?

Luca Busi: Ne merremi me pjesën e prodhimit. Kjo është punë e pjesës së kompanisë që merret me marketingun. Po ndaj të njëjtin mendim me ty. Ata janë vërtet të zotët në fushatat e marketingut. Ata kanë krijuar reklama që kanë bërë histori në television në 30 vitet e fundit. Vazhdojnë akoma të bëjnë gjëra të bukura dhe me të njëjtën cilësi. Meritat shkojnë për menaxherin e marketingut të Coca-Colës. Pas kësaj fshihet një punë e jashtëzakonshme.

Mira Kazhani: Sa kushton një reklamë e këtyre nivele? Nuk është formula kjo. Mund të thuhet. (qesh)

Luca Busi: Kushton shumë. Unë nuk i kam këtu këto shifra. Në çdo rast ka një seri spotesh. Për shembull fushata e Krishtlindjeve, meqë është më klasikja, nuk është e njëjta në Europë, me atë që shfaqet në Meksikë, në Japoni, nuk është e njëjtë në Indonezi në Australi. Kështu që nuk di të të jap një përgjigje me shifra, por që kushtojnë shumë.

Mira Kazhani: Janë shifra, s`ka rëndësi.

Luca Busi: Kushtojnë se është produksioni, plus blerja e hapësirave për të shfaqur spotet në rrjetet kryesore televizive që të arrish popullsinë target ( të synuar)! Fushatat publicitare të Krishtlindjeve janë një shembull. Ajo e fundit me një baba… Dhe të gjitha bashkëpunimet tona të tjera me muzikën. Ato me FIFA-n për Kampionatin Botëror, për Kupën e Botës.

Mira Kazhani: Me Cristiano Ronaldon… (qesh).

Luca Busi: Cristiano Ronaldo është i vetmi që është paksa i pavendosur. (qesh) Luan me shishet kur i dalin përpara, por i largon kur i ka në tavolinë, ose godet gazetarët me to. Gjithsesi jemi sponsori më i madh i sporteve të ekselencës, për Kupën e Botës, futbollin. Ku është pasioni, është Coca-Cola.

Mira Kazhani: Ja reklama! (qesh)

Coca-Cola ka qenë gjithmonë avantgarde. Edhe këtu në Shqipëri. Para se të vija këtu mora vesh që ju jeni të parët që punoni me makina elektrike, eco-friendly. Mund të më tregosh diçka më shumë?

Luca Busi: Po, sigurisht. Kjo është diçka që e kam bërë tërësisht unë.

Mira Kazhani: Ti je Coca-Cola. (qesh)

Luca Busi: Kam zgjedhur të përdorim një rrugë që mbron mjedisin, që zvogëlon impaktin ambiental dhe të zvogëlojë çdo vit emëtimet. Kështu që e kam nisur shumë fort me Siçilinë, që në Itali jemi një nga agjensitë e para me zero emëtime të gazit serë brenda 2026-ës, dmth me ligj do jetë viti 2050, po për ta krahasuar ILI-n - një kompani që njohim - do e bëjë këtë në 2033-shin! Për ne do jetë 2026-sa, për pak vite! Pra e dimë çdo vit se çfarë duhet të bëjmë për të arritur këto qëllime. Kthehemi pas në Siçili, në 2015-ën, ishim kompania e parë në Europë që ishim Fuel Force, me makina elektrike. 110 makina elektrike kemi vendosur në territorin e Siçilisë dhe 70 stacione karikimi në territor. Donim të ishim të parët, por kemi gjithsesi ende për të mësuar.

Këtu e njëjta gjë. Jemi të parët që përdorim makinat elektrike në Tiranë, Durrës dhe Kavajë. Kështu punonjësit tanë lëvizin vetëm me makina elektrike. Kemi bashkëpunuar edhe me bashkitë për të vendosur stacionet e karikimit. Jemi shumë krenarë që kemi qenë të parët në Shqipëri.

Kemi instaluar panelet fotovoltaike që prodhojnë gati 70% të energjisë që na duhet.

Mira Kazhani: Ku shkoni për të ngrënë kur vini në Tiranë? A ka një vend që e ke më shumë për zemër?

Luca Busi: Punoj shumë. Është një kompani që ka ngarkesë. Unë jam mes Shqipërisë dhe Siçilisë. Unë qëndroj këtu gati 10, 11 orë në ditë. Kam nga 9 deri në 13 takime në ditë. Në mbrëmje, kur mbaroj ditën e punës shkoj për vrap nga Liqeni, siç bëra mbrëmjen e djeshme, ose shkoj në palestër për të bërë pak sport, se gjithsesi kam nevojë për të larguar stresin e për të djegur kaloritë.

Mira Kazhani: Keni një shtëpi këtu?

Luca Busi: Po, jemi në Kombinat. Jemi aty ku kanë qenë zyrat e Kombinatit. Kjo ka qenë zgjedhja e Kristinës. Kemi bujtinën tonë. Dhomat tona. Jetojmë aty dhe jemi shumë krenarë.

Mira Kazhani: Më bëhet qejfi!

Luca Busi: Ka qenë zgjedhje e Kristinës që u dashurua me atë godinë fantastike.

Mira Kazhani: Pak ditë më parë lexova një shkrim ku shkruhej se kishit marrë Çelësin e Qytetit.

Luca Busi: Po dhe jam shumë krenar për këtë.

Mira Kazhani: Më në fund.

Luca Busi: Jam krenar, sepse do të thotë që në fund fare po bëjmë diçka të mirë. Erioni ka qenë super që më bëri këtë nderim dhe më dha çelësin e Qytetit. Siç i thashë, ne do ta shfrytëzojmë këtë çelës për të lexuar të ardhmen. Për një të ardhme më të mirë. Ashtu si në Siçili, edhe këtu jemi zotuar të përpiqemi të lëmë një Shqipëri më të mirë për brezat e ardhshëm.

Mira Kazhani: Faleminderit Luca! Ma përshëndet Kristinën! Nuk e takuar kurrë. Po kam dëgjuar shumë për të. Është një personazh i fortë dhe e rëndësishme për Shqipërinë.

Luca Busi: Është kapitenia jonë.

Mira Kazhani: Është Çelësi më i rëndësishëm. Shkojmë të pijmë një Coca-Cola. Nuk e di nëse ti di ende t`i bësh ato paninet. (qesh)

*Ndalohet ribotimi pa lejen e editorit dhe po referuar burimin origjinal, bashkë me linkun e intervistës