VIDEO

Video/Marsi vjen me njolla. Por ka një lajm të mirë për lëkurën

Video/Marsi vjen me njolla. Por ka një lajm të mirë për

Erdhi periudha e marsit kur unë dëgjoj shoqet e mia që flasin për solarët, markat, faktorët mbrojtës. Unë e përdor gjithë vitin solarin, e megjithatë njollat janë aty dhe tani në mars vetëm sa errësohen e shtohen më shumë. Ndihmëëëë!!!!

Nga Dr.Silvana Mishtaku

Njollat (hiperpigmentimet ) nga dielli janë një problem estetik shqetësues për shumë femra, por edhe për meshkujt. Sic e kampërmendur edhe në shkrime të mëparshme, faktorët që rrisin ndjeshmërinë e lëkurës ndaj diellit janë të shumtë (shtatzani, ndryshime hormonale, genetike, etj) dhe përcaktimi i tyre na bën të jemi më efektiv në trajtimin. Është shumë e rëndësishmë që si fillim të konsultoheni nga afër me një dermatology, për të përcaktuar llojin e njollave, shkaqet dhe për të përjashtuar sëmundje sistemike, që mund të fshihen pas këtyre njollave (tiroide, mbiveshkore, vezore, etj). Krahas pjesës mjekësore, në varësi të stinës në të cilën kryeni vizitën përcaktohet edhe lloji i trajtimeve që mund të aplikohen për të trajtuar estetikisht njollat me efikasitet maksimal dhe në mënyrë të sigurt.

Për të trajtuar hiperpigmentimet mund të aplikohen produkte të ndryshme lokalisht (në lëkurën me njolla) me përmbajtje lëndësh depigmentuese si acid azelaik, acid kojik, hidrokinone, retinoide dhe vitamin C, të cilat janë më të sigurta në përdorim gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit. Po kështu një sërë procedurash dermo-estetike janë më të përshtatshme te kryhen para fillimit të verës si lazera të fraxionuar, peeling kimik, mikrodermoabrazion etj. Por shpesh ndodh të kujtohemi për njollat vetëm në fillim të pranverës, ku numri i trajtimeve antinjollë kufizohet. Në këtë periudhë për të trajtuar njollat aktuale në mënyrë të sigurt dhe efikase do të sugjeroja mezoterapinë antinjollë (injektim i lëndëve depigmentuese në mezodermë) si dhe dermapen me lëndë antinjollë. Kjo e fundit konsiston në mikroshpime të shumta në sipërfaqen e lëkurës dhe aplikimin e lëndëve depigmentuese në sipërfaqe të saj.

Është më e përshtatshme se mezoterapia nëse keni njolla të vogla ose të shpërndara në të gjithë fytyrën, apo në zona ku mezoterapia është e dhimbshme (mbi buzë). Dermapen mban patentën e teknologjisë “mikroneedling”, dhe ka një kohë rekuperimimë të shkurtër se trajtimet me lazera. Gjithsesi duhet që pas trajtimit të tregoni kujdes me ekspozimin në diell dhe të zbatoni këshillat e mjekut.

(Dr. Silvana Mishtaku) Përsa i përket kremit mbrojtës, ai është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm, për të mos krijuar njolla të reja, ndaj duhet të tregoni kujdes të vazhdueshëm me oraret dhe kohëzgjatjen e ekspozimit në diell. Po kështu duhet të dini se suksesi i trajtimeve antinjollë është më i madh në rastin e njollave të reja, sesa në ato të vjetra, ndaj mund të kryeni në këtë periudhë trajtime të tilla, të tregoni kujdes të vazhdueshëm me ekspozimin në diell dhe të riktheheni pas verës te mjeku juaj dermatolog. *Autorja Dr.Silvana Mishtaku është dermatologe-venereologe, Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3 Email: [email protected] Instagram : silvanamishtaku