Aktualitet

Tragjedia në Bulqizë/ Mister vdekja e nënës me dy fëmijët, dy dyshimet e hetuesve

Tragjedia në Bulqizë/ Mister vdekja e nënës me dy

Mbetet ende mister tragjedia që u shënua sot në Bulqizë, ku humbën jetën një nënë dhe dy fëmijë, ndërsa vajza adoleshente, Merita Tola, arriti të shpëtonte.

Rajmonda Tola, 45 vjeçe, u gjet e pajetë në banesën e saj në fshatin Ostren nga kunata e saj, së bashku me vajzën 22-vjeçare Rudina dhe djalin Fatjonin 15 vjeç. Ndërkohë vajza tjetër e shtëpisë, 16-vjeçare, u gjet me shenja jete, dhe ndodhet për mjekim në spitalin e Traumës në Tiranë.

Fillimisht u raportua se viktimat u asfiksuan dhe ndërruan jetë si pasojë e rrjedhjes së gazit nga bombola.

Një version i dytë, i cili po merret nën shqyrtim është helmimi nga ushqimi. Sipas burimeve për TCH janë marrë mostrat e ushqimit për të bërë analizat përkatëse.

Do jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të zbulojë shkakun e vërtetë, që coi në tragjedinë e rëndë.

Presidenti Ilir Meta shkroi lidhur me ngjarjen: “Jam thellësisht i tronditur nga tragjedia në Ostren të Bulqizës. Duke ndarë dhimbjen e madhe me familjen Tola, të afërmit dhe mbarë komunitetin e Bulqizës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj shërim sa më të shpejtë të vajzës së mitur që po merr ndihmën mjekësore. Do të jemi gjithmonë pranë familjes Tola!”

Ishte kunata e së ndjerës që paraditen e kësaj të premteje shkoi në banesën e viktimës por kur nuk i hapi derën njoftoi komshinjtë, të cilët pasi hapën me forcë derën e jashtme gjetën trupat e pajetë në dhomë.

Kryefamiljari Ylber Tola, ndodhet në Greqi, ku bën punë sezonale./ Tiranapost.al