Videopodcast

Pse në Kosovë po lulëzojnë të rinjtë në politikë

Pse në Kosovë po lulëzojnë të rinjtë në

Nga Mira Kazhani/ Sot do të flas me një politikan të ri të Kosovës. Jemi bashkëmoshatar, por sot e takoj për herë të parë. Dikur kur ishim 21-vjeçar, ai këndonte ndërsa unë me siguri këtej kufirit vallëzoja me muzikën e “Ritmit të Rrugës” në ndonjë kafe të Tiranës, quasi romantike. Ka kaluar shumë nga ajo kohë. Ai mbetet sërish i ri po në politikë si model, si mendësi. Memli Krasniqi



Intervista e transkriptuar

Mira Kazhani: Memli faleminderit!

Memli Krasniqi: Faleminderit ty për ftesën!

Mira Kazhani: E kam ndjekur karrierën tuaj. E kam ndjekur që kur bëtë atë kapërcimin - madje ndoshta pak në mënyrë romantike - dhe më ka bërë përshtypje. Po pyetja ime e parë është: Si futet një njeri në politikë? Me ambicien për të qenë njëshi apo ka edhe nga ata që futen se e dinë shumë mirë se janë të lindur për të qenë dyshi, treshi, katra…?

Memli Krasniqi: Unë s`e kam pasur asnjëherë ambicien që të jem njëshi. Unë jam futur në politikë, sepse përkundër karrierës sime paraprake në muzikë, që në shumicën e këngëve të mia kam trajtuar problematika politike, sociale të atyre konteksteve të kohës në të cilën kemi krijuar muzikën tonë, e kam parë që ndikimi është i limituar. Njerëzit i pëlqejnë ato mesazhe, i mbështesin, duartrokasin, por që realisht ndikimin real, social dhe zbatues nuk e ke. Përkundër kësaj kam pasur edhe pjesën e background-it akademik, sepse kisha studiuar Shkenca Politike dhe ne në Kosovë si gjeneratë, fëmijë të viteve `90, siç është ajo thënia e famshme - edhe nëse ti s`do të merresh me politikën, politika merret me ty- s`kishim sesi e shmangnim politizimin tonë. Unë i besova vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Hashim Thaçit si kryetar, i cili donte të hapte partinë, i cili ishte dhe vetë shumë i ri në moshë kur kishte udhëhequr Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Drejtorinë Politike, Delegacionin e Kosovës në Rambuje, Partinë Demokratike dhe kështu u bashkova me atë ide për të dhënë një kontribut.

Mira Kazhani: Memli, më shumë sesa kryetarët në Kosovë, kryetarët e partive- që padyshim duhet të kenë edhe ata rolin e tyre, nuk e di mirë këtë- ajo që bën përshtypje në Tiranë dhe në Shqipëri është elektorati kosovar. Një elektorat danez, një elektorat nordik, i mprehtë që të gjykon. Tani të ngreh, tani të ul. Krejt ndryshe nga ne shqiptarët që ende jemi të verbër për hir të së vërtetës dhe në këtë pikë mendoj që ndoshta është ky elektorat që po i mban dhe po i zgjedh të rinjtë në politikë më shumë?

Memli Krasniqi: E vërteta është dhe duhet vlerësuar fakti që në Kosovë, procesi demokratik në përgjithësi dhe ai elektoral në veçanti vërtet janë të konsoliduar. Ndoshta edhe për arsyen që kemi mbajtur shumë shpesh zgjedhje, sepse përtej zgjedhjeve lokale që kanë mandate të rregullta, zgjedhjet parlamentare asnjëherë nuk kanë arritur që të përmbushin qeveritë mandatin e plotë dhe janë mbajtur më shpesh. Ta zëmë, unë jam zgjedhur 6 herë deputet nga viti 2007. Sikur mandatet të zgjatnin, do duhej të ishte nja 10 vite më vonë. Dhe konsideroj që kjo në njërën anë. Dëshira e flaktë edhe ai vullneti për të pasur shtetin e konsoliduar i qytetarëve të Kosovës si meritë e tyre, ka ndikuar që vërtet të kemi një emancipim të madh të votuesve të cilët nuk janë tifozë, nuk janë militantë. Normalisht që partitë politike kanë mbështetësit e pakusht, si secila parti, që janë edhe zyrtare, militant, por që realisht si numër dhe si përqindje janë zvogëluar nga viti në vit në Kosovë. Andaj edhe mund të shihni këto përmbysje elektorale. Kanë mbetur pak fare komuna që në Kosovë nuk ka ndryshuar qeverisja nga partia në parti. Ka pasur transfer demokratik të qeverisjes nga partia në parti, në nivelin qëndror, ose edhe rasti i fundit, kur tash një vit, Vetëvendosje fitoi në Kosovë 50% të votave, ndërsa vetëm 8 muaj më vonë, pati një përmbysje të këtij rezultati në zgjedhjet lokale. Ne si PDK dolëm fitues relativ të zgjedhjeve.

Mira Kazhani: Më pëlqen ta shtjellojmë pak këtë filozofi politike të politikanit dhe të elektoratit, votuesit në Kosovë. Për shembull, një gjë tjetër që lë shumë mbresa në Tiranë dhe që komentohet muajt e fundit, është që kundërshtarët atje e falenderojnë njëri-tjetrin, ndërsa tek ne ende shqyhen publikisht. Mund të ketë ndikim ai sensi patriotik që është ende mes jush dhe ju keni pasur një armik të huaj, ndërsa ne e kemi kërkuar armikun tek njëri-tjetri dhe po shtrojmë njëri-tjetrin pak më shumë?

Memli Krasniqi: Mendoj se nuk është kaq e thjeshtë. Besoj që është meritë e një pjese të mirë të partive politike në Kosovë dhe lidershipit të këtyre partive që e kanë krijuar këtë sens të përgjegjësisë për të mos kontestuar rezultate të cilat nuk duhet të jenë të kontestueshme sepse proceset janë të rregullta, fair, demokratike, të monitoruara dhe nuk kanë arsye të kontestimit. Unë besoj që Partia Demokratike e Kosovës dhe liderët e saj në të kaluarën kanë luajtur rolin kryesor. Mbaj mend vitin 2004, kur unë isha pjesë e PDK-së tashmë, ne kemi pranuar rezultatin zgjedhor duke qenë parti humbëse, parti e dytë, në 11 të natës, katër orë pasi ishin mbyllur votimet, pa pasur ende rezultatin final. Ose tjetra, duke qeverisur, ose duke qenë pjesë e bashkëqeverisjes në vitin 2011, kryetari Kadri Veseli, vetëm tre orë pasi ishin mbyllur votimet nga rezultatet e parakohshme që merrnim, doli dhe tha: E pranojmë rezultatin dhe do të jemi në opozitë. Kjo gjë është vazhduar të bëhet në masë të madhe edhe nga parti të tjera, edhe nga kandidatë të tjerë në nivelin lokal dhe kjo vërtet ka ndihmuar që qytetari i Kosovës të ketë besim në proces, të ketë besim që vota e tij është domethënëse dhe e implementon ndryshimin, të ketë sensin e nevojës për të qenë pjesëmarrës i këtij procesi, gjë që unë besoj shumë e ka fuqizuar edhe e ka konsoliduar demokracinë në vendin tim.

Mira Kazhani: Ky pozitivitet që vjen nga Kosova i ka bërë të rinjtë atje që t`i afrohen më shumë politikës? Se në Tiranë ka një lloj stepje. Dhe le të themi, ta pranojmë, unë mund të ta rrëfej këtu publikisht që po pate fatin të takosh ndonjë kryetar partie, mund të katapultohesh direkt ministër i rëndësishëm. Nuk është se njihen shumë strukturat. Si funksionon tek ju? Si futet një i ri në politikë?

Memli Krasniqi: Unë mendoj që përfshirja e të rinjve në politikë është vërtet shumë e rëndësishme dhe domethënëse. Po po ashtu e vërej që në kuptimin e angazhimit direkt, konkret, të përkatësisë partiake, duket një rënie e këtij trendi nga viti në vit. Mund të jetë e arsyeshme, mund të jetë e kuptueshme, por kjo nuk do të thotë që së paku në Kosovë ka rënë pjesëmarrja në jetën publike, së paku përmes votave. Në Kosovë të rinjtë kryesisht derën e parë e kanë përmes organizatave rinore të partive politike, ata që dëshirojnë vërtet të krijojnë një karrierë, një ngritje në hierarki në mënyrë të natyrshme. Përtej kësaj ka edhe raste kur rekrutohen – në kuptimin pozitiv të fjalës- edhe nga lidershipi partiak, kuadro të caktuara, potenciale të caktuara, të cilat i vlerësojnë që mund të jenë premtues pa pasur nevojë të ngjiten në shkallët e karrierës dhe hierarkisë partiake.

Unë personalisht kam hyrë në politikë si një 24-vjeçar. Dhe nuk jam bashkuar drejtpërdrejt në strukturat e Partisë Demokratike, por kam punuar bashkë me shumë kolegë të mitë që kishin përfunduar Shkencat Politike, në Qendrën e Studimeve Politike, që ishte një tip “think tank” brenda Partisë Demokratike të Kosovës dhe që ndërlidhej me kabinetin e kryetarit të atëhershëm Z. Hashim Thaçi. Më pas, kjo afri, kjo përkatësi më nxiti që të garoj për pozicionin e kryetarit të rinisë të PDK-së dhe mora besimin e të rinjve në atë kohë dhe pastaj vazhdova karrierën.

Mira Kazhani: Prishtinës i mungon energjia e dikurshme. Ndoshta e lidhim dhe me kohën tonë, kur kemi qenë më rinor ne. Mund të jem gabim…

Memli Krasniqi: Edhe ajo ka mundësi… (qesh)

Mira Kazhani: Se është çështje moshe dhe sesi i sheh disa gjëra, por çfarë ka ndodhur në fakt? Ka një lloj demotivimi në Prishtinë dhe për çfarë ka nevojë atje rinia më së shumti? Sepse është një rini shumë e talentuar.

Memli Krasniqi: Këtë përgjigje mund të ta jap nga dy perspektiva. Vërtet nuk është se Prishtina apo Kosova ofron mundësi të mëdha për të rinjtë e vendit tonë dhe kjo është edhe empirikisht e dëshmuar për faktin që ka një numër të madh, në rritje, të të rinjve dhe të rejave që kërkojnë perspektivën jashtë vendit. Ka qenë tmerruese për mua që numri rekord i aplikimeve për viza pune jashtë vendit, vetëm në dy ambasada në Gjermani dhe në Zvicër, ka kaluar numri 100 mijë për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Kjo po të vlerësohet në vakum, tregon për një lloj depresioni të përgjithshëm tek të rinjtë që nuk shohin perspektivë në Kosovë. Po në anën tjetër ka një vibrim të pandalshëm që rinia e Kosovës e jep në katër anët e vendit tonë e në mënyrë të veçantë padyshim në Prishtinë. Ndoshta është e vërtetë kjo pjesa e dytë e konstatimit tuaj që ne nuk i kemi 21 vjet, siç the në fillim, por 42, edhe është dyfishi e ndoshta nuk jemi pjesë aktive aq sa ishim dikur e krejt zhvillimeve në kuptimin e jetës që ndodh tek të rinjtë e vendit tonë, qoftë aktiviteteve, qoftë jetës së natës, e cila për të thënë të drejtën, në Prishtinë është shembull, është e jashtëzakonshme dhe përkundër faktit që nuk është një qytet metropol për nga numri i banorëve apo i mundësive, apo i territorit, ka një unikalitet të cilin duhet ta them që nuk e gjen as në Tiranë e as në shumë qytete më të mëdha. Këtë e shoh që të rinjtë e shfrytësojnë dhe kjo është ndoshta një sihariq, një kompesim për gjëra të tjera të munguara të cilat i kemi. Po a mund të jetë diçka më mirë? A duhet të bëhet më shumë? Është absolutisht evidente.

Mira Kazhani: Si ish-ministër Kulture, si djalë që vjen nga muzika, dua që të ma shpjegosh, por jo si politikan, si Memli më shumë, si e shpjegon, ka diçka në ADN-në e kosovarëve që kanë këtë lloj talenti në muzikë: Dua Lipa, Rita Ora? Në kinema: Blerta Basholli kishte të listuar në Oscar filmin “Zgjoi”. Po ka pasur edhe raste të tjera… Kaq shumë talente, si e shpjegon? Edhe në inovacion janë fantastikë.

Memli Krasniqi: Besoj që Kosova ka aq shumë histori, aq shumë përvojë, aq shumë emocion sa që të gjithë njerëzit që e kanë përjetuar në forma të ndryshme të kaluarën tonë, që janë artistë, vërtet kanë inspirim të mjaftueshëm për të bërë mrekulli e për të bërë gjëra të bukura që edhe i kanë bërë. Padyshim që Dua Lipa është nder për krejt shqiptarët, sidomos me atë që po bën ditët e fundit, me këtë turneun që është prolonguar dhe që është i niveleve të yjeve më të mëdha të botës që kanë ekzistuar ndonjëherë. Rita Ora, po ashtu. Po edhe të tjerë, si Bebe Rexha që është e Dibrës. Për mua është shumë e rëndësishme kur i shoh talentet e Kosovës që janë siç thuhet anglisht “homegrown”, të rritur e të kultivuar brenda kontekstit të Kosovës me krejt sfidat edhe problemet të cilat i kemi jetuar, në faza të ndryshme. Filma të tillë si filmi i Blerta Bashollit, por edhe filmat e Blerta Zeqirit më herët, filma shumë interesantë të grave të cilat i kanë dhënë jetë asaj që tashmë ka filluar të quhet vala e re e kinematografisë kosovare. Janë projekte të cilat i bëjnë nder Kosovës, por besoj i bëjnë nder edhe kombit shqiptar në përgjithësi, sepse kanë arritur që të krijojnë një identitet të ri artistik për ne dhe të tregojnë ngjarjet më të rënda të Kosovës, pa qenë shumë eksplicit. Duke qenë se unë Znj. Fahrije Hoti, që ka inspiruar këtë film, e njoh mirë, kam pasur fatin që të bashkëpunoj me të, duke qenë në një moment edhe ministër i Bujqësisë, është e jashtëzakonshme dhe historinë e saj e di mirë. Është e jashtëzakonshme se në mënyrën më të mirë të mundshme ajo paraqet jo më për një Memli që e di historinë, apo ndonjë qytetar të Kosovës apo Shqipërisë që mund të dijë historinë, por për një amerikan, një italian, një francez, për një aziatik tregon një vuajtje të Luftës së Kosovës, pa u marrë drejtpërdrejt me luftën, ky është edhe talent. Kjo është diçka e jashtëzakonshme që meriton të ketë një trajtim edhe më dinjitoz nga ana e institucioneve të vendit. Unë kam pak emocion personal sepse duke qenë në vitin 2011-2014 ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kinematografisë i kam dhënë një relevancë edhe një prioritet të rëndësishme. Nuk është se kemi bërë namin, por gjeta një buxhet 350 mijë euro arrita ta çoj 850 mijë euro, me planifikim 1 milionësh për vitin e ardhshëm, që përsëri ishte buxheti më i vogël në rajon. Por që e mbollëm farën dhe korrëm disa suksese të tjera të mëvonshme, duke qenë se Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në rajonin tonë që çdo vit ka së paku 5 filma, në 5-6 festivale të kategorisë A, merr shpërblime poshtë e lart dhe përmes kësaj pune realisht ngrihet lart edhe emri i vendit tonë, i kombit tonë, e pastaj krijohet një hapësirë për të treguar edhe histori të tjera të Kosovës që nuk njihen mjaftueshëm jashtë.

Mira Kazhani: Rita Ora apo Dua Lipa, nëse do duhej të zgjidhje se s`bën?

Memli Krasniqi: E kam të vështirë. Kam njohje me të dyja. Kam njohje me prindërit e të dyjave. I kam përcjellë që nga dita e parë. Të dyja nuk janë njësoj. Padyshim që kanë meritën e vet, por Dua Lipa është një nivel i jashtëzakonshëm artistik.

Mira Kazhani: Më në fund një përgjigje si Memli dhe jo si politikan.

Det apo mal?

Memli Krasniqi: Det. Mal më pak, det më shumë.

Mira Kazhani: Shqiptar apo kosovar?

Memli Krasniqi: Shqiptar. Unë nuk i shoh identitetet si përjashtuese, i shoh si rrathë koncentrik. Ne në makroplanin identitar jemi shqiptarë, pastaj jemi kosovarë. Unë jam edhe prishtinali. Mund të jemi ulpianas, se është lagje brenda Prishtinës. Po identiteti ynë bazik është identiteti shqiptar.

Mira Kazhani: Prishtina apo Tirana?

Memli Krasniqi: Prishtina.

Mira Kazhani: Ndonjëherë në kohë të lirë këndon?

Memli Krasniqi: Nuk këndoj po muzika është pjesë shumë e rëndësishme e jetës time sot e kësaj dite se është pjesë e emocionit, është pjesë e shpirtit. Ndjek çfarë ndodh në skenën shqiptare. Vitet e fundit ka qenë shumë më e lehtë ndoshta për shkak të rrjeteve sociale dhe Spotify-t e kështu me radhë, por muzika më ndikon shumë edhe tek humori. Në fakt, në varësi të humorit dëgjoj edhe muzikën. Realisht ka qenë dhe mbetet pjesë e identitetit tim personal dhe do të jetë e pandryshueshme kjo.

Mira Kazhani: Çfarë muzike dëgjon kur vjen në Rrugën e Kombit për në Tiranë?

Memli Krasniqi: Është interesante po t`jua tregoj unë playlist-ën time në Spotify, njerëzit do thonë: ky s`qenka në rregull. Se aty mund të gjeni nga Blues, tek Heavy Metal. Pastaj këngë të vjetra popullore e deri tek Pop Music, këngë aktuale shqiptare, gjithçka. Kështu që varet…

Mira Kazhani: Prej kontekstit të ditës ndoshta? Shqetësimit? Një mërzie?

Memli Krasniqi: Po shumë. Shumë herë varet prej humorit të ditës dhe në bazë të asaj pastaj i ndryshoj playlist-at.

Mira Kazhani: Çfarë duhet të ketë ndodhur që të dëgjosh muzikë popullore?

Memli Krasniqi: Disponim pozitiv më shumë.

Mira Kazhani: Heavy Metal tregon që je i shqetësuar?

Memli Krasniqi: Jo. Është interesante që kohët e fundit kam gjetur në Spotify një bllok të vjetër të viteve `70 të “Croatia Records” kur Kosova ende s`ka pasur një shtëpi diskografike. Ka publikuar këngë të vjetra të fillimeve të Sabri Fejzullahut, të Shyqyri Nimanit, po edhe këngë të tjera të Hashim Shalës dhe Tahir Drenicës. Kjo më ka bërë që pa i dëgjuar 2-3 herë nuk iki nga playlist-a. Heavy Metal, ndonjëherë kur është ndonjëfarë intensiteti, tensioni, i kthehem disa prej këngëve dhe bandave që i kam dëgjuar shumë vite më herët.

Mira Kazhani: Ke pasur momente kur ke thënë që mos nuk bëra mirë që u futa në politikë, pjesë e një intrige, pjesë e një dite a momenti të errët?

Memli Krasniqi: Unë besoj që secili njeri, për secilën punë që bën, ka momentet e dyshimit, për të qenë I sinqertë. Mosrealizimi i pritshmërive që mund të kesh, ose zhgënjimi prej një situate apo personi apo çështje… natyrshëm që të sjell pikëpyetje të tilla. Pastaj mendon alternativa. Por që pastaj sensi i misionit dhe potenciali i mundësive për të bërë diçka të mirë, brenda atij ideali që të ka futur fillimisht në këtë punë, del më i madh edhe e përpin edhe vazhdon punën.

Mira Kazhani: A nuk i than pak politika njerëzit?

Memli Krasniqi: Edhe i than në aspekte të caktuara. Unë për vete jam munduar që së paku të mos ndryshoj. Që kur kam hyrë në politikë edhe kur kam pasur pozicione të rëndësishme shtetërore, qeverisëse, partiake, kam qenë nënkryetar i PDK-së që nga viti 2013, tani jam kryetar, unë mundohem që të paktën pjesën e personalitetit tim, të rrethit tim, funksionimit tim, të mos e ndryshoj. Shpresoj shumë që e kam arritur. Besoj shumë që e kam arritur. Miqtë e mi që s`i kam ndryshuar kurrë, vetëm i kam shtuar gjatë viteve, ndoshta e dëshmojnë më mirë. Po që është e nevojshme besoj që të ruhet kjo pjesë e normalitetit, sepse në fund të fundit më e mira e të mirës, është që çdo gjë të shihet si një vend pune. Unë gjithmonë pozicionet e mia politike i kam parë si vend pune, jo si të përjetshme. Se njeriu edhe mund ta ndryshojë drejtimin, pozicionin, karrierën. Ngrihet, ose jo edhe kjo më ka ndihmuar të mundohem ta ruaj modestinë time dhe të mos bie në kuthin e asaj që shumë njerëz i kam parë rrugës, që bien në kurthin e kompleksit të madhështisë.

Mira Kazhani: Ke tre fëmijë, Vera, Bora, Mali? Ata, kanë një lidhje me Shqipërinë?

Memli Krasniqi: Nuk kanë një lidhje direkte me Shqipërinë. Kanë qenë në Shqipëri, padyshim. Po ajo që më ka mbetur peng e që dua ta realizoj shpejt është se kishim planifikuar bashkë me Melizën, bashkëshorten time, në vitin 2020, në pranverë, të bënim një tur në Shqipëri. Prita që Vera të rritej pak, të bëhej 7 vjeç, që të mbante mend dhe më shumë, meqënëse Bora është e madhja, pastaj është djali Mali, edhe ai plan na dështoi për shkak të pandemisë. Viti kaluar ishte sërish pandemik, ky vit është viti i angazhimeve të mia të mëdha, të cilat nuk e di sa do më lejojnë kohë, por që ndërlidhja e tyre me Shqipërinë është e natyrshme, sepse besoni apo jo, unë mendoj që pothuajse secila familje kosovare vazhdon t`i rritë fëmijët me dashurinë për Shqipërinë.

Mira Kazhani: Faleminderit Memli Krasniqi! Të uroj suksese dhe rrugë të mbarë, se je për rrugë sot!

Memli Krasniqi: Shumë faleminderit për ftesën dhe kalova shumë mirë me pyetjet e tua!

Mira Kazhani: Më vjen mirë! Çfarë muzike do dëgjosh rrugës pas kësaj interviste me mua? Që të kuptojmë cili ishte humori dhe ndjesia që more nga Tirana?

Memli Krasniqi: Momentalisht jam në mendjen time mes Adele dhe Dua Lipës.

Mira Kazhani: Edhe Adele, edhe Dua Lipa janë shumë mirë. Faleminderit!

Autor: Mira Kazhani

Ky podcast u mbështet nga Abi Bank

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore