VIDEO

Çmimi i bashkimit tonë!

Çmimi i bashkimit tonë!

Nga Mira Kazhani/ Të premten në Elbasan zbarkuan dy qeveri shqiptare. Dy kryeministra shqiptarë. Dy flamuj shqiptarë që ishin stampuar edhe në maskat anti-Covid. Dëgjuam dy versione për një komb. Dyshi nuk na tremb ne vendit të shqiponjave që edhe atë të parët e shqiptarisë e zgjodhën me dy kokë, si një simbol të pushtetit, që në lashtësi.

Për festat e nëntorit po ju sjellim një dyshe më shumë. Ata janë simbol i pushtetit të dashurisë. Një metaforë e gjetur për bashkëjetesën Tiranë-Prishtinë. Çifti Jonida Vokshi dhe Besnik Krapi janë vetë fabula e gjallë e bashkimit.

Besniku, një prishtinali mendjehollë e me humor, por jo pa pasion e erëz politike thotë se bashkimi s`ka nevojë për letra, firma, qeveri apo politikanë, madje sipas tij, prej këtyre të fundit patriotizmi dhe bashkimi janë bastarduar. Pa përmendur emra, por është kaq i kuptueshëm se për kë flet. Kë nënkupton.
Jonida si një nuse e bukur sjell anën tjetër të medaljes. Tolerancën dhe ngrohtësinë e gjuhës me të cilën mbështjell mesazhet e saj.

Dy njerëz, burrë e grua, njëri prishtinali, tjetra tironse, që qeshin e bëjnë plane, që jetën e ndajnë ikejá në Rrugën e Kombit. Në atë rrugë ku ndoshta kanë ndarë bisedat më të rëndësishme të jetës, bashkë me planin për një shtëpi. Vendimi është marrë. Në Tiranë do të jetë e ardhmja. Dhe kanë të drejtë! Sepse Tirana është kryeqyteti që kryqëzon gjithë rrugët e shqiptarisë.


Intervista e transkriptuar

Mira Kazhani: Për festat e Flamurit e Pavarësisë doja një podcast që të simbolizonte Shqipërinë tonë, patriotizmin, po larg klishesë apo ndonjë patetizmi. Një fabul pa propagandë. Një histori njerëzore. Shkurt një histori dashurie si balsam për festat.

Ne jemi një komb dhe dy shtete. Ata janë një martesë dhe dy kryeqytete. Nuk kanë ende një shtëpi. Asnjë më shumë sesa ata të dy, nuk jeton në Rrugën e Kombit. Kur janë në Tiranë ai jeton tek vjehrra, kur janë në Prishtinë jeton ajo tek vjehrra.

Jonida Vokshi dhe Besnik Krapi! Mirëserdhët!

Jonida Vokshi: Mirë se ju gjetëm!

Besnik Krapi: Mirë se të gjetëm!

Mira Kazhani: Erdhët vetëm e veç, nuk ishit as sot bashkë njëkohësisht?

Jonida Vokshi: U nisëm bashkë njëkohësisht nga shtëpia, por me dy makina, pasi sapo të mbarojë intervista me ty Mira, Besniku kthehet në Prishtinë, unë qëndroj në Tiranë, kthehem në shtëpi domethënë, me makinën time.

Besnik Krapi: Këtë herë kam ndjenjur goxha shumë, 5 ditë.

Jonida Vokshi: Po, se zakonisht janë më shkurt. Dy ditë këtu, dy ditë në Prishtinë. Një ditë në Tiranë, një ditë në Prishtinë. Ndodh edhe brenda ditës.

Besnik Krapi: S`di çfarë do bëjmë kur të blejmë shtëpi këtu, kur të vendosim.

Mira Kazhani: Vërtet, kur ta vendosni për të blerë shtëpi ç`do bëni?

Besnik Krapi: Divorc.

Jonida Vokshi: Po se jemi mësuar kështu tani.

Besnik Krapi: I blejmë dy shtëpi, edhe rrimë.

Jonida Vokshi: Jemi kështu vajtje-ardhje tek njëri-tjetri.

Mira Kazhani: Po akoma nuk keni një plan për shtëpinë edhe se ku do ta blini për shembull në Prishtinë apo në Tiranë?

Besnik Krapi: Në Prishtinë e kemi.

Jonida Vokshi: Në Prishtinë e kemi shtëpinë. Unë në Prishtinë nuk shkoj tek vjehrra. Në Prishtinë shkoj tek burri, tek shtëpia jonë. Ndërsa planet që mendoj tashmë janë të afërta, janë për të marrë një shtëpi në Tiranë. Pasi Besniku vërtet shkon dhe vjen, ka projekte në Prishtinë, por ndërkohë ka edhe bashkëpunime në Tiranë. Kështu që momentalisht e ka të tillë punën që mund ta bëjë edhe nga Tirana, edhe nga Prishtina si producent që është në kompaninë e tij. Kështu që po mendojmë avash-avash të divorcohemi, domethënë të jetojmë në Tiranë.

Mira Kazhani: Besnik, si e mendon jetën në Tiranë?

Besnik Krapi: Njësoj, si në Prishtinë. Kam 10 vjet që punoj intensivisht me co-produksione Kosovë-Shqipëri. E ndjej atë traun në autostradë se paguaj shumë lekë në kufi, por kufirin s`e ndjej.

Mira Kazhani: Jonida ti nuk e kujton periudhën socialiste, ka qenë një poezi e Natasha Lakos…

Jonida Vokshi: Unë kam lindur kur sapo vdiq xhaxhi Enver. Domethënë kam kapur pak këtë periudhën e Ramiz Alisë.

Besnik Krapi: Kur ka vdekur Enveri?

Jonida Vokshi: Një vit pas. Në 1985-ën, unë kam lindur në 1986-ën.

Besnik Krapi: Në ’85-ën ka vdekur Enveri? Kam menduar në ’89-ën.

Mira Kazhani: Po, kam qenë unë 5 vjeçe, kështu që ajo është 5 vjet më e re sesa unë.

Është një poezi e periudhës socialiste e Natasha Lakos shumë e famshme dhe moderne për kohën.

20 qindarka për të folur me ty,

30 qindarka për të ardhur tek ty,

50 qindarka për të bërë dashuri…

Vetëm se je e keni me euro Rrugën e Kombit. I keni bërë llogaritë, sa shkon aman, kurioze jam?

Besnik Krapi: Vallaj mua më shkon shumë. Nuk i kam bërë llogaritë, por mendoj që jam një nga taksapaguesit më të mëdhenj në Shqipëri. Unë e kam nënshtetësin, por përndryshe do më kishte takuar një dekret se paguaj goxha.

Mira Kazhani: Do nënshtetësinë? E ke dëshirë ta marrësh?

Besnik Krapi: E kam, e kam.

Jonida Vokshi: Jo, e ka.

Mira Kazhani: A e ke marrë?

Jonida Vokshi: Ok, le ta zbulojmë prap. E ka marrë se Besniku është martuar me mua.

Besnik Krapi: Por, nuk e kam marrë se jam martuar me ty. Unë e kam marrë se kam deklaruar që jam producent, bashkë-prodhues.

Jonida Vokshi: Po, e vërtet. E ka marrë nënshtetësinë. Në lidhje me këtë çështjen sidomos të pagesave të autostradës, tani që po e mendoj, e kemi një grup në Instagram me miqtë tanë nga Prishtina dhe sa herë unë apo Besniku, vijmë apo shkojmë, gjithmonë e kemi si ritual që fotografojmë ‘toll’-in pasi edhe e diskutojmë shpesh, duhet, nuk duhet, kushton shumë. Mos duhet bërë një përjashtim për njerëzit që udhëtojnë më shumë. Pse është aty dhe nuk është më përpara, diskutime të tilla, dhe kemi këtë grupin që sa herë komentojnë se ja, i paguam edhe 5 euro. Po të numërojmë fotot, mund të bëjmë një llogari.

Mira Kazhani: Po e mendoni ndonjëherë që ndoshta edhe falë rrugës udhëtoni edhe më shpejt dhe e keni më të lehtë për njëri-tjetrin? Më përpara ndoshta do të bënit atë rrugën, sa zgjaste 8 orë?

Besnik Krapi: Jo, s`isha martuar hiç. 12 orë.

Jonida Vokshi: Ka qenë shumë e tmerrshme. Ose kishte ardhur dhëndër në Tiranë përfundimisht, ose e kundërta. Nuk e di se çfarë do kishte ndodhur, megjithëse edhe tani për shkak të rëndesës së trafikut nuk është më kollaj siç ka qenë para pak vitesh, që mund ta bëje edhe diku për 3 orë, 3 orë e pak, me ndonjë ndalesë rrugës. Tashmë është rënduar shumë trafiku edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, edhe shkon rreth 5 orë.

Besnik Krapi: Janë shtuar martesat në autostradë.

Jonida Vokshi: Edhe kjo lëvizja Tiranë-Prishtinë na ka ndihmuar shumë dhe këtë e kemi vënë akoma dhe më shumë re gjatë periudhës së pandemisë. Sidomos kur nuk mund të lëviznim askund tjetër a e di si na dukej lëvizja Tiranë-Prishtinë? Ajër.

Mira Kazhani: Të dukej 5 euroshi asgjë, si qindarkat e Natasha Lakos.

Jonida Vokshi: Kur nxirrnim ID aty në kufi, nuk e di ishte një lloj ndjesie sikur do fluturoje diku, që të kaloje kufirin, pavarësisht se ne jemi një, ai kufiri ekziston.

Mira Kazhani: Besnik mendon që s`do duhej të ishte ajo pagesa?

Besnik Krapi: Jo, unë mendoj që s`do duhej të ishte. Unë i kuptoj rregullat dhe taksat, por mund të prisnin edhe pak.

Jonida Vokshi: Këtu për shembull nuk pajtohemi. Unë mendoj që duhej të ekzistojë.

Besnik Krapi: Mund të prisnin edhe pak. Unë për shembull i them Jonidës pse s`ka dalje. Ka hyrje po s`ka dalje. Nëse ti vjen edhe udhëton nga Vlora deri tek ‘toll’-i, ke punë deri tek një teze aty pranë. Ti domethënë do të shfrytëzosh rrugën nga Miloti deri tek toll-i pa lekë, kurse unë paguaj. Duhet të jenë dy apo jo? Hyrje dhe dalje. Prandaj unë mendoj që është gabim. Duhen dy dhe unë e paguaj. Ai që hyn, paguan. Ai që del, paguan.

Jonida Vokshi: Unë mund të kem rezervat e mia përsa i përket vlerës që është caktuar, nëse është shumë. Po që duhet të ekzistojë, sigurisht. Sepse ajo e mirëmban. Unë kam përjetuar edhe borën në atë rrugë edhe menjëherë edhe pastruesit e borës, u lirua. Gjë që është shumë e mirë, pasi ti mund të udhëtosh dimër-verë dhe duhet ajo.

Besnik Krapi: Edhe unë mendoj që kurrë s`ka qenë në kushte më të mira autostrada. Larg humorit, pagesa është e lartë. Duhen lehtësira për njerëzit që udhëtojnë shpesh, por edhe dalje duhet të ketë. Çdo autostradë ka hyrje dhe dalje.

Mira Kazhani: Tani duhet ta zgjidhësh ti këtë histori.

Besnik Krapi: Nuk kam kohë.

Jonida Vokshi: Ne prandaj erdhëm.

Besnik Krapi: Unë s`kam kohë, por po ia lë Jonidës. Ishallah. Kurrë më e mirë në botë s`ka qenë. I jam mirënjohës.

Mira Kazhani: Është e vërtetë, se edhe falë kësaj është shtuar komunikimi edhe bashkëjetesa jonë.

Çfarë mendoni për bashkimin kombëtar ju të dy? Keni mendime të ndryshme apo aty pajtoheni?

Besnik Krapi: Ja Emi (vajza) është bashkimi kombëtar.

Mira Kazhani: Në fakt kjo është arsyeja. Unë e thashë në fillim. Doja të bëja diçka për festat e flamurit dhe edhe për të folur edhe për bashkimin, atë bashkëjetesën tonë, se ne jemi shqiptarë, pavarësisht se në shtetin e Kosovës, apo në shtetin e Shqipërisë, apo pavarësisht se në diasporë. Shqiptaria është kudo njësoj dhe ne na bashkon flamuri, gjuha jonë, përtej dialekteve, kemi një gjuhë dhe një gjak. Po ajo që më vjen më shumë keq ndonjëherë është se shpeshherë kjo lloj bashkëjetese kthehet disi në propagandë, kthehet në një patriotizëm nuk dua të them patetitk, por ndonjëherë të rrezikshëm, që nuk është patriotizëm, është një nacionalizëm ekstrem.

Jonida Vokshi: E shfrytëzojnë. Unë mendoj që bashkimi kombëtar është një temë e gjerë dhe me shumë xhepa për të cilën mund të flasim pafundësisht, prek politikën, prek love story-t, prek bashkëpunimet përsa u përket fushave të ndryshme, siç është fusha artistike. Për shembull unë bashkim kombëtar nuk quaj vetëm bashkimin si popull, heqjen e kufijve. Bashkim kombëtar është edhe fakti siç është martesa jonë. Se ka shumë djem apo vajza të Kosovës që kanë marrë djem apo vajza nga Shqipëria.

Mira Kazhani: Ti e njohe Besnikun ngaqë shkoje në Prishtinë dhe luaje rolet atje si aktore.

Jonida Vokshi: Pikërisht. Nga bashkëpunimet. Për shkak të bashkëpunimeve kanë ndodhur edhe martesa. Ka bashkëpunime në kinematografi shumë të suksesshme. Në teatër, në muzkë, nëpër festivale dhe kjo është gjë e mirë. Për mua ky është ai bashkimi i mirë kombëtar, që ne të ndajmë eksperienca.

Mira Kazhani: Por jo ai bashkimi me letra? Jeni për një kryeqytet, një kryeministër, një president? Ai bashkimi që fliste për një kohë të gjatë Vetëvendosja, por tani e ka moderuar dhe Vetëvendosja.

Besnik Krapi: Unë mendoj që bashkimi kombëtar është në ndjejnë, në ato që kemi ndjerë të gjithë. Qëllimi ka qenë të hyjmë në Europë, të jemi shtet i zhvilluar, demokratik, pastaj ne kurrkush s`na ndal të jemi bashkë. Mendoj që e kanë bastarduar bashkimin kombëtar politikanët, jo ne. Se ne e kemi bërë. Për shembull televizioni, Digitalbi ka bërë bashkimin e parë kombëtar kur ne kemi parë televizor njësoj si Vlora. Mbas këtij bashkëpunimi janë filmat, thjesht është bastarduar prej politikanëve jo fort të mençur. Ne merremi se shohim shumë televizor.

Mira Kazhani: Kush i ka më të mençur politikanët? Ne të Tiranës apo ju të Prishtinës?

Besnik Krapi: Ne jemi një gjak edhe një komb, por unë besoj që kanë abuzuar shumë me këtë bashkimin kombëtar. Ai ka ekzistuar dhe do ekzistojë gjithmonë, thjesht është ndarje teknike e cila në një të ardhme me siguri do jetë një në tërësi, e plotë.

Mira Kazhani: Besnik të pëlqen politika? Je njeri që i ndjek fushatat me interes? Voton gjithmonë?

Jonida Vokshi: A mundem të ta jap unë këtë përgjigje me një histori shumë të shkurtër?

Mira Kazhani: Po.

Jonida Vokshi: Unë kam qenë shtatzënë dhe tre muaj e fundit, ato më të vështirët, me rastisën e izoluar. Sapo u mbyllëm. Sigurisht që nuk ishte e thjeshtë. E stërpërsëritur kjo, nuk dua ta përsëris. Dhe darkave unë doja të rregulloja regjimin, sepse m`u prish pak regjimi i gjumit për shkak të situatës më zinte vonë dhe doja të mendoja për Emin. Doja të flija herët, por nuk mundesha sepse Besniku nuk fle pa dëgjuar një debat politik çdo darkë, të Kosovës apo të Shqipërisë. E vë telefonin çdo natë, çdo natë.

Mira Kazhani: Edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë? I ndjek të gjitha?

Besnik Krapi: Unë i ndjek se për shkak të punës që bëj ka shumë rëndësi gjithçka që ndyshon. Një ligj, diçka që ka ndryshuar, dua të jem ‘update’ me gjithçka që ndodh në vendin tim edhe në vendet ku unë punoj, sigurisht. Tani kam qejf të shikoj çfarë ka ndodhur për të qenë i informuar kaq.

Mira Kazhani: Çfarë të bën përshtypje tani për shembull, në Kosovë? Çfarë të bëri përshtypje në këto zgjedhje?

Besnik Krapi: Këto zgjedhje (që kisha pasur qejf të vinin dhe në Shqipëri, po më duket se do vijë shumë shpejt) është vetëdijësimi i votuesit. Votuesi në Kosovë nuk e ka aspak problem a je Hashimi, a je Albini, a je Isa a kush je, ta fut shpullë votë fytyrës në momentin që ti s`je aty për atë. Për këtë e dua popullin tim më së shumti. Del asnjë incident në zgjedhje, edhe ta fut shpullë fytyrës.

Mira Kazhani: Si e shpjegon këtë? Pse ka arritur kjo lloj qytetarie dhe ky lloj vetëdijësimi tek kosovarët? Fakti që ka shumë moshë të re?

Besnik Krapi: Fatkeqësisht një prej analizave që dua të tregoj është kjo: njëri tha një ditë që në Gjermani janë populli, si ta them, më i padijshëm në kuptimin që nuk shohin politikë, nuk e dinë as kë kanë kryeministër dhe dalin në vota dhe zgjedhin. Në Kosovë dhe në Shqipëri nuk mund ta mashtrosh atë popull se sheh debate çdo ditë. Në prime time nuk ke kulturë, por ke debat. Kështu që mund ta mashtrosh atë person ndaj edhe ta fut me shpullë fytyrës.

Mira Kazhani: Është mirë që kemi në prime time shumë politikë?

Besnik Krapi: Është tmerr. Fatkeqësisht thashë.

Mira Kazhani: Se unë për shembull mendoj që është një gjë shumë e tmerrshme dhe po i konsumon dhe i lodh njerëzit. Stacionet italiane i kanë për shembull, por i kanë gjithmonë pas orës 23:00.

Besnik Krapi: Po prandaj unë e kaloj ditën dhe para se të fle them hajde t`i shoh çfarë po ndodh, diçka interesante. Tek ne është tmerr i Zotit. Tek ne njerëzit më të famshëm janë analistët politikë. E imagjinon dot.

Mira Kazhani: Edhe në Tiranë është e njëjta gjë.

Jonida Vokshi: Edhe tek ne.

Mira Kazhani: Po për Tiranën çfarë mendon? Për politikën e Tiranës? Për shembull kurioze jam ç`mendon për kryeministrin Rama, për këta personazhet, i ndjek?

Besnik Krapi: Nuk jam fort.

Mira Kazhani: S`e kisha në plan të të bëja pyetje politike, por ngaqë e pashë që je njeri që e ndjek politikën.

Jonida Vokshi: Për politikën tonë i kam thënë unë mos fol se e ka gruan artiste.

Besnik Krapi: Unë mendoj që po zhvillohet shpejt. Çdo herë që vij në Shqipëri, shoh që diçka të re ka.

Mira Kazhani: Tirana çfarë ka më të mirë sesa Prishtina Besnik? Se ty (i drejtohet Jonidës) do të të pyes për Prishtinën.

Besnik Krapi: Hapësirën. Edhe një lloj edukate. Për shembull në Tiranë sa herë që dal pasdite unë shoh plot restorante me familje nga nipi deri tek gjyshi duke ngrënë darkë. Një kulturë që ne nuk e di për çfarë arsye nuk e kemi pasur deri tani. Shihet që është traditë, një lloj lumturie, harmonie familjare edhe në restorante. Kurse hapësira në kuptimin që në Prishtinë të duash të dalësh për një kafe s`ka mundësi mos të dalë dikush të pyesë: Besnik çfarë bëre? S`kam ku. Është e ngushtë, është e vogël. Kurse në Tiranë ke hapësira, rrugë më të gjera, ajër më të lehtë, deti afër, gruaja e të tjera e të tjera.

Mira Kazhani: Ah sa e bukur kjo e fundit.

Jonida, Prishtina çfarë ka një gjë që nuk e kemi ne këtu (se ne ia dimë edhe të metat vendit).

Jonida Vokshi: Burrit, po më thotë.

Mira Kazhani: Përveç burrit.

Jonida Vokshi: Ajo që tha Besniku është një fenomen që mund të shikohet ndryshe nga ai dhe ndryshe nga mua. Mua për shembull më pëlqen në Prishtinë kjo gjë. Sepse unë akoma kur shkoj atje më duket vetja si mysafir. Domethënë që ndihem shumë mirë. Kam një lloj ngrohtësie. Më pëlqen fakti që shkoj nëpër vende ku i njoh të gjithë njerëzit, që kam atë atmosferën që në Tiranë mbase nuk e kam për shkak të jetës, të rutinës rri shkurt apo nëse rri gjatë, rri me njerëzit që unë dua, që janë shumë pak dhe të përzgjedhur. Ndërsa atje më duket si festë sa herë shkoj. Kështu që kjo atmosfera në ato vendet që janë pak dhe që gjithë njerëzit njihen me njëri-tjetrin mua më duket si një lloj ngrohtësie, si diçka ndryshe nga ajo që bëj në Tiranë.

Besnik Krapi: Është mysafire. Burri gatuan dhe i lan rrobat. Merr pushimet në Prishtinë. Normal që i pëlqen.

Jonida Vokshi: Edhe kënaqem. Po e vërtet.

Mira Kazhani: Emi, Emi i vogël si po flet? Gjuhë letrare, gjuhë Tirane, gjuhë Prishtine?

Jonida Vokshi: Emi në katër fjalët e para që po thotë deri tani…(ndërhyn Besniku)

Besnik Krapi: S`e di as vetë se çfarë po thotë.

Mira Kazhani: Si po i thotë, si duket?

Jonida Vokshi: Mesa duket është në rrugën e gjuhës letrare.

Mira Kazhani: Për shkak të mamit tënd, ngaqë rri shumë me gjyshen?

Jonida Vokshi: Besoj. Për shkak të gjyshes vet, për shkakun tim, por edhe Besniku e ka thyer goxha. Sigurisht që e flet dialektin e tij, por e ka thyer goxha, e ka të zbutur.

Mira Kazhani: Mua më pëlqen dialekti i Prishtinës. Tek burrat sidomos më duket shumë i ëmbël.

Jonida Vokshi: Edhe mua, ndaj e zgjodha. Për shembull nuk thotë adapter, por i thotë karikues. ‘Më jep çik karikuesin’.

Besnik Krapi: A e di pse? Se u lodha duke i përkthyer njerëzve. Aman një adapter. Ajo vjehrra thoshte: Çfarë do more? I thoja unë një karikues. Tani përtoj edhe e kam kthyer. Se edhe kur del me shoqërinë thonë: Si the more.

Jonida Vokshi: Edhe mua më ndodh kjo kur shkoj në Prishtinë. Më dalin shumë fjalë të dialektit.

Mira Kazhani: Çfarë fjalësh për shembull?

Jonida Vokshi: Po nuk e di tani se më vijnë natyrshëm. Po për shembull them: Ku e parkova kerrin?

Mira Kazhani: A e thua dhe ti. Para shumë vitesh disa shoqe nga Prishtina kur më kanë takuar (ishin shumë të këndshme dhe mbi të gjitha mua më duken, ata të Prishtinës, përveçse në art njëherë, ne kemi skenën, ju keni artin, edhe në kinematografi ju po më dukeni që jeni më përpara dhe më vjen shumë mirë, se nuk është punë gare po është një gjë që e kanë dhe pikë domethënë, nuk e di për shkak të dialektit edhe në muzikë, edhe zëri, ambienti, nuk e di), por ajo që më pëlqente atëherë ishte dhe fakti që ishin goca shumë të lirshme, shumë të gjalla, ndoshta nuk ishim neve ende aq të dalë, sepse nuk ishte bërë as liberalizimi i vizave. Bëhet fjalë për ndoshta viti 2007, 2008, edhe ato nuk po them që më përqeshnin, por iu vinte shumë për të qeshur kur unë iu thoja: Mirë jam, mirë fare. Kjo ‘fare’ iu bënte shumë përshtypje.

Besnik, si të duket gjuha jonë letrare?

Jonida Vokshi: Edhe Besniku i ka ca kështu.

Mira Kazhani: Mos dukemi si të llastuar?

Besnik Krapi: Jo, tingëllon shumë bukur. Sidomos tek femrat.

Jonida Vokshi: Ça bëre mirë? Hë mo moo…

Besnik Krapi: Ose u ngrit Emi përpara dy netësh në 4 të mëngjesit kishte temperaturë. E kish Oca në dorë (vjehrra) u ngrit vjehrri thotë: E moj Vjollca çfarë ka?

Ka pak temperaturë.

Hë mo mooo…

Thashë burri 75 vjeç nuk bën hë mo mooo… O burrë çfarë flet ashtu.

Jonida Vokshi: Do ta shikojë babi këtë.

Besnik Krapi: Po le ta shohë. Mos e bëj më këtë “Hë mo mooo…” (imiton babain e Jonidës)

Jonida Vokshi: Besnikut i pëlqen shumë tek femrat sesi tingëllon, duket sikur edhe ashtu është vërtet, i duhet sikur neve kurrë nuk nevrikosemi, ndërsa tek meshkujt i tingëllon pak më e butë seç duhet për gjininë mashkullore.

Mira Kazhani: Krushqia si komunikon me njëra-tjetrën, për shembull prindërit e tu dhe prindërit e Besnikut merren vesh?

Jonida Vokshi: Edhe kur nuk merren vesh i fusin një të qeshur me njëri-tjetrin.

Besnik Krapi: Nëna ime e ka problem.

Mira Kazhani: Ka pasur ndonjë fjalë kur janë keqkuptuar?

Besnik Krapi: Janë keqkuptuar plot herë, por e kanë kaluar me të qeshur. Ose ka bërë nëna ime kështu ë, ë (imiton). Më ka parë mua si për të thënë “Çfarë po thotë”.

Mira Kazhani: E di kush është fjala ime e preferuar kur flasin këta prishtinalinjtë. Nuk është se kam jetuar, por i dëgjoja në rrugë tek ato kafet e bukura “çika jem”. Edhe fjala çikë është e bukur.

Jonida Vokshi: Unë sa herë komunikoj me Besnikun kur është në Prishtinë, për Emin, gjithmonë i shkruaj “çika”, asnjëherë nuk i shkruaj goca apo Emi. “Fjeti çika”, “çika është mirë” se dhe mua më pëlqen shumë si tingëllon si fjalë.

Mira Kazhani: Sa ditë rrini larg në javë?

Jonida Vokshi: Ka ndodhur që ka ndenjtur edhe një javë Besniku, më së shumti, sidomos që kur ka lindur Emi. Më së shumti ka qëndruar një javë pa ardhur.

Besnik Krapi: Llogarit pagesat.

Jonida Vokshi: Kur arrin dita e tretë, arrin aty ku nuk mban më dhe niset, qoftë edhe kur jemi takuar jashtë Tirane, kemi ngrënë drekë, se ka pasur sërish punë atje. E ka parë çikën, kemi qëndruar disa orë dhe është kthyer prapë në Prishtinë.

Mira Kazhani: E bën kjo distanca martesën pak më interesante?

Jonida Vokshi: Po sigurisht se na merr malli.

Besnik Krapi: Kur më vjen burri nga stani fër, fër, fër ma bën fustani.

Jonida Vokshi: Sigurisht që po, por ka edhe atë anën tjetër të medaljes. Se edhe ne kemi nevojë që të rrimë, jo unë më shumë sesa goca për Besnikun dhe Besniku për gocën, që të jenë bashkë gjithë kohën. Dhe sikurse ka këtë pjesën që e bën më intensive dhe e bën aspak të mërzitshme marrëdhënien tonë. Megjithëse ne edhe kur kemi qëndruar non-stop nga mëngjesi deri në darkë, sidomos në periudhën e izolimit, që edhe mund të ishim zënë, nuk ndodhi. Bëmë edhe një prodhim tonin që të humbnim mendjen me “Gjirafa Video”, që xhironim materiale ditë për ditë. Kjo gjë na mbante me një projekt, por na mbante edhe mirë nga mendtë e kokës, sepse gjithsesi unë isha në muajt më të vështirë të shtatzënisë. Kështu që nuk ishte e thjeshtë. Por duhet të vijë momenti që ne të marrim atë shtëpinë në Tiranë dhe të vendosemi këtu.

Besnik Krapi: Po presim oferta.

Mira Kazhani: Po mirë, mund të shërbejë edhe podcast-i ynë për oferta.

Jonida Vokshi: Do ishte yll.

Mira Kazhani: Ku do e preferoje shtëpinë në Tiranë, në çfarë zone?

Besnik Krapi: Nëse do ishte mundësia në qendër. Fare mos të ecja askund. Nëse do ishte mundësia aty tek teatri. Tani s`është teatri aty më, veç aty. Tek Plazza, te Skënderbeu, tek kali.

Jonida Vokshi: Dhe tek stadiumi nuk është keq.

Mira Kazhani: Ekonomikisht ju jetën tuaj ekonomike e keni të bazuar tek arti? Ti Jonida me rolet. Me role dhe produksion Besniku.

I dilet me art Besnik?

Besnik Krapi: Nëse e quan produksionin art, atëherë i dilet me produksion me vështirësi, por nëse flasim për aktorë, regjisorë që janë të varur me “freelance” (me angazhime) jo absolutisht jo.

Mira Kazhani: Jonida aktualisht është freelance?

Jonida Vokshi: Momentalisht po. Gjithsesi edhe unë kam këto mënyrat e mia sesi të mbijetoj pa artin.

Besnik Krapi: Bën biznes.

Jonida Vokshi: Unë jam me projekte momentalisht. Ne mbaruam projektin me xhirimet e serialit HOT dhe po përgatitemi për xhirimet e sezonit të dytë. Kështu që gjithsesi kjo gjëja më mban dhe përveçse më mban të angazhuar, po edhe kam një pagesë kundrejt kësaj që nuk është aspak e vogël fatmirësisht, sepse ne e dimë që pagesat përsa i përket artit tek ne janë akoma goxha të vogla, por ndërkohë unë menaxhoj edhe faqen time të Instagramit me kontrata, me reklamime të tilla. Është një lloj mini-biznesi për mua.

Mira Kazhani: Çfarë mendon Besniku për Instagramin?

Jonida Vokshi: Besnikut kjo gjëja i pëlqen sigurisht, sepse mua më sjell fitime, por nga ana tjetër e streson pak sepse duhet që herë pas here të më bëjë foto, edhe unë e lodh. Jo, po s`më pëlqen kjo, s`më pëlqen ajo.

Mira Kazhani: Kush e mban thesarin në shtëpi?

Jonida Vokshi: Të dy bashkë.

Mira Kazhani: Kush shpenzon më shumë?

Jonida Vokshi: Unë.

Mira Kazhani: Ti blen edhe për Besnikun.

Jonida Vokshi: Blej edhe për Besnikun.

Besnik Krapi: Nuk me di numrin e pantallonave.

Jonida Vokshi: Vetëm të pantallonave nuk ta di. Kjo e ka një shpjegim. Madje më së shumti kohët e fundit unë po bëj shopping për Besnikun dhe për Emin sesa për veten. Por për pantallonat, Besniku është shumë problematik tek modeli i pantallonave, nuk është puna tek numri. Unë ia kam harruar numrin sepse i them vetëm pantallona nuk të blej. Kam hequr dorë sepse ato që i kam blerë nuk i ka veshur kurrë dhe më ka thënë çfarë janë këto. Se janë xhepat kështu, ç`është kjo prerja, ç`janë këto pantallona që del ky zogu i këmbës këtu.

Besnik Krapi: A vesh unë pantallona që rrinë ngjitur pas trupit.

Mira Kazhani: Sa ka që veshin kështu në Tiranë.

Jonida Vokshi: Dhe kam hequr dorë.

Besnik Krapi: E di si themi ne, t`i veshësh pantallonat me këto të këpucëve.

Jonida Vokshi: Përsa u përket këpucëve, këmishave, çdo gjë tjetër ia di shijen. E miksoj pak me shijen time.

Besnik Krapi: E mësove më në fund.

Mira Kazhani: Je dakord Besnik që Tirana është kryeqyteti i gjithë shqiptarisë?

Besnik Krapi: Po, është. Më përmasat që ka, zhvillimit që ka marrë, me kulturën. Mua më pëlqen shumë. Tirana është shumë vend i bukur.

Mira Kazhani: Ishe më i gjatë seç të kisha menduar nga Instagrami i Jonidës.

Besnik Krapi: Thuaj gruas time.

Mira Kazhani: Unë e di që Instagrami nuk është shumë për t`u besuar (jo i Jonidës).

Jonida Vokshi: Kur jemi martuar dhe zgjodha sandalet për ditën e dasmës, pashë një palë që më pëlqyen shumë, u dashurova, por ishin shumë të larta. Madje kam qenë me mamin e Besnikut edhe i thashë që nuk mund t`i blej këto se dal më e gjatë se Besniku, se ishin nja 8 cm. Iu bë shumë qejfi. U gëzua shumë. Dhe mora një palë që ishin goxha të ulëta, që ishin edhe komode për mua. Pavarësisht pastaj se unë përfundova me atlete që të mos isha unë më e gjatë se Besniku, por të ishte Besniku më i gjatë se unë.

Besnik Krapi: 1.79.

Jonida Vokshi: Unë s`e kam problem këtë. Besniku më thotë që je shumë e shkurtër. Por që unë nuk jam. Jam 1.70. Më thotë je 1.50, 1 metër e gjysmë mbi tokë.

Mira Kazhani: Më keni dhënë shumë kënaqësi sot.

Besnik Krapi: Edhe ti neve.

Mira Kazhani: Dua që t`ia them Besnikut, por dua që ta them edhe publikisht Jonida Vokshi, e ke njohur këtë djalin që qenka me kaq humor, kaq simpatik dhe i mençur, në një kohë kur bënte role. Ishte një djalë i thjeshtë, ishte ende aktor, edhe e di si është puna (nuk e di ç`ndodh në Prishtinë), por në Tiranë ka një pretendim aspak serioz për vajzat e bukura të ekranit, sikur ato duhet të gjejnë ndonjë biznesmen, të kenë një lloj jete disi misterioze, papritur të shfaqen me lukse që nuk e kupton se ku i blejnë e nga ku i marrin. Kur ti bëre këtë zgjedhjen, unë të kam vlerësuar shumë. Kam thënë: Bravo Jonida! Ky është një shembull dhe model se lumturinë e gjejmë tek këta njerëzit me humor, tek këta djemtë e mirë (mos u ofendo ë) që nuk ka nevojë të jenë CEO dhe as Jeff Bezos, as personazhe të një natyre tjetër. Ka qenë një shembull dhe një mesazh që ke dhënë ti si vajzë e bukur që ishe, në vëmendjen e të gjithëve. Ishte Besnik.

Besnik Krapi: Është akoma.

Mira Kazhani: Është ti e di këtë. Po tani është e martuar ajo, edhe po të jetë, është e martuar. Atëherë ishte vetëm, ishte single. Ishte beqare. Kjo është historia e një çifti me kaq shumë humor.

Besnik Krapi: Unë mendoj që lumturia është jo tek lekët, por tek shpirti dhe tek ndjenja. Ne jemi miliorë me Emin. Supermiliarderë në fakt.

Mira Kazhani: Edhe me Jonidën je milioner?

Besnik Krapi: Padyshim. Pa Jonidën s`do ta kisha as Emin.

Ishim duke xhiruar një film. Filmin “Derë e hapur” të Florenc Papas e xhironim në Pogradec. Unë isha co-producent, por ndërkohë nuk e kishim bërë publike. As ekipi i filmit tim nuk e dinte që ne ishim bashkë. Jonida luante me Luli Bitrin rolin kryesor edhe vjen kohë për t`i vënë mikrofonin. Kishim një tonist nga Maqedonia, e kam shok, kisha punuar dhjetë vjet me të.

Mira Kazhani: Ishit fshehtas në atë kohë?

Besnik Krapi: Po fshehtas.

Jonida Vokshi: Nuk e dinte askush, askush.

Besnik Krapi: Edhe ai fillon po i vinte mikrofonin, kishte dhe një bark silikon si shtatzënë, por nejse në atë moment nuk e kishte, edhe më thirri në gjuhën e tyre “Çiço, çiço, çfarë femre”.

Thashë kush është duke i thënë këtij tani që është femra ime. A është budall. Dhe unë thashë dalëngadalë duhet të nisim ta bëjmë publike. Edhe vendosëm ta bëjmë publike. Të nesërmen në mëngjes jo, por pak më vonë.

Mira Kazhani: E pe gruan e jetës tënde tek Jonida?

Besnik Krapi: Jo, s`e di. Nuk e di. Me Jonidën kemi filluar njëçik me instikt gjërat. Jemi kënaq bashkë, Kurrë s`e kisha menduar që do martoheshim.

Mira Kazhani: Jeni ndarë ndonjëherë?

Besnik Krapi: Jena përla.

Mira Kazhani: Përla, çfarë domethënë?

Jonida Vokshi: Jemi përlarë, jemi zënë.

Mira Kazhani: Sa ka zgjatur 3 ditë?

Besnik Krapi: Jo ka zgjatur shumë më gjatë. E ka inatin e keq. Edhe unë e kam.

Jonida Vokshi: Nëse nuk kërkon falje Besniku edhe kur e kam unë gabim, nuk e di pse e kam këtë. Nuk është se më pëlqen ky tipar tek vetja. Edhe se e di që gjithmonë Besniku, do të thotë jo “më fal”, por do shkruajë i pari, do flasë, edhe e pres. Më pëlqen kjo gjëja.

Mira Kazhani: E ke marrë mbiemrin e Besnikut besoj.

Jonida Vokshi: Jo, kam mbiemrin tim.

Mira Kazhani: Vokshi, e ke të bukur mbiemrin.

Jonida Vokshi: Madje donim që edhe Emit t`i vendosnim mbiemrat e të dyve. Në Kosovë e lejonin, i lejojnë dy mbiemrat, këtu jo.

Besnik Krapi: Për shembull Emi Vokshi Krapi, ose Emi Krapi Vokshi. Këtu jo.

Mira Kazhani: Duhet të pyesim.

Jonida Vokshi: Jo, nuk lejohej se pyetëm.

Vetëm një mbiemër mund të vendosje. Mund t`i vendosje emra sa të duash. Gjithsesi Emi ka mbiemrin e Besnikut se edhe ajo na duhej, por unë mbajta mbiemrin tim.

Besnik Krapi: Nëse diçka nuk shkon është Jonida Krapi. S`ka kuptim ajo punë.

Mira Kazhani: Ju faleminderit!

Jonida Vokshi: Mira faleminderit ty!

Mira Kazhani: Nuk kam bërë shumë intervista, kam bërë intervista simpatike, por nuk jam argëtuar deri më tani, si me ju, me askënd. Me gjithë respektin ishit shumë simpatikë dhe o Zot i madh u shtofshin çiftet kaq të mirë si ju, me kaq humor.

Jonida Vokshi: U kënaqëm shumë!

Mira Kazhani: Rroftë humori edhe rroftë dashuria! Ishit çifti i duhur për Festën e Flamurit, për dy kryeqytete, për bashkimin, për martesën!

Jonida Vokshi: Gëzuar festën!

Besnik Krapi: Gëzuar festën! Ja bashkimi kombëtar (Besniku puth Jonidën).

Jonida Vokshi: Faleminderit, u kënaqëm!

Mira Kazhani: Gëzuar festën të gjithëve!

*Ndalohet ribotimi i kësaj interviste pa referuar burimin dhe bashkëlidhur linkun origjinal të Tiranapost.al