Videopodcast

Intervista e javës/ Selami Xhepa: Gjërat në jetë nuk janë si në kopshtin e Edenit! Si Shqipëria mund të kapë trenin e ekonomisë së re

Intervista e javës/ Selami Xhepa: Gjërat në jetë nuk

Tre janë çështjet e kësaj jave. Të parën e paralajmëroi Edi Rama të dielën e 3 tetorit duke i paraprirë një krize të re në horizont, asaj të karburanteve dhe energjisë. Si do të jetë kjo krizë? Sa zgjat? Si zgjidhet sidomos dhe cila është Shqipëria, e ardhmja jonë?

Super-lajmin tjetër e paralajmëruan 600 gazetarë investigativë me qendër në Washington, D.C. “Pandora Papers”, investigimi me miliona faqe dokumentesh, ku liderë botërorë, ish-kryeministra dhe politikanë rezultojnë të kenë fshehur para në të ashtuquajturat parajsa fiskale. Një politikan nga Shqipëria thuhet se është aty brenda.

E treta ishte lockdown-i për 7 orë i Facebook, për rrjedhojë edhe i WhatsApp e Instagram. Në pandemi nuk dilnim, tani nuk flisnim. Kështu ndodh kur situata është sidomos monopol. Edhe pse shumica e shijoi atë ‘Break’, apo ‘pushim’.
Për këto tre momente që në mënyrë ironike i bashkon errësira, do të përpiqemi të hedhim dritë sot në një intervistë. Përballë meje do të ulet Selami Xhepa. Është Profesor i Shkencës së Ekonomisë, por që zotëron mirë edhe shkencën e fjalës e fabulën e çështjeve të ditës.

Intervista e plotë me Selami Xhepën, e transkriptuar:

Mira Kazhani: Të kanë bërë përshtypje tre çështjet e javës?

Selami Xhepa: Patjetër, janë çështje në fakt që kanë nisur në fillim të javës, por që në fakt ato do të kenë një jehonë mendoj edhe për shumë ditë dhe javë në vazhdim. Janë shumë sensitive, shumë kritike, sepse çështja e parë që përmende që lidhet me energjinë elektrike në fakt është më e gjerë sesa thjesht energjia, sepse një lëvizje e rritjes së çmimeve ka filluar tashmë të ndihet në ekonominë globale, në përgjithësi edhe në Shqipëri.
Çështja e dytë e “Pandora Papers” që vjen pas 5 viteve të “Panama Papers” po tregon një dekadencë morale të rendit të sotëm dhe deformimit serioz të sistemit tonë demokratik dhe politik që kemi krijuar si shoqëri. Për pasojë këto lloj dosjesh nuk bëjnë gjë tjetër veçse e tjerrin besimin e shoqërisë tek demokracia. Dhe e treta, në botën e ndërlidhur që jemi sot, fikja e internetit, si të thuash “lockdown” që pësoi media sociale, krijon një ndjenjë vetmie dhe izolimi tek individi, por nga ana tjetër tregon edhe rreziqet e mëdha të teorisë së vetërregullimit kur bëhet fjalë për industri kaq të mëdha. Pra, kur një operator, dy operatorë dominojnë gjithë tregun në një sektor të caktuar siç është edhe rasti i komunikimit publik.

Mira Kazhani: Po ta mendosh, duket sikur nuk do zgjasë aq javë, por vite.

Selami Xhepa: Të paktën jehona e debatit do të vazhdojë me javë, ndërsa nevoja për të reformuar shoqërinë, për të reformuar sistemin, në gjithë ato çështje, në të tre fushat që përmendëm, padyshim që do të zërë një periudhë shumë të gjatë kohe, për arsye se kjo realisht ilustron tranzicionin në të cilin ndodhet sot shoqëria njerëzore në përgjithësi.
Në radhë të parë kur flasim për çështjen e energjisë që po shndërrohet në çështjen më kritike të ditëve të sotme, një problem me të cilin po përballet jo thjesht Shqipëria, është një krizë në radhë të parë energjitike, për Europën, dhe në veçanti për Kinën, në të cilën kanë filluar dhe racionimet e energjisë elektrike: Pra ndërprerjet masive të energjisë elektrike etj, etj, shpreh një proces të rëndësishëm tranzicioni nga shoqëria aktuale, e cila i ka siguruar burimet e energjisë kryesisht nëpërmjet fosileve. Pra nëpërmjet djegieve të karburanteve tipike, të naftës, qymyrit, dhe një e dy të tretat e prodhimit botëror të energjisë, garantohen përmes këtyre rrugëve. Ndërkohë që presioni që ka sot shoqëria njerëzore për shkak të ngrohjes globale dhe ndryshimet klimatike, ky lloj presioni ka diktuar shoqërinë që të vendosë një prioritet më të rëndësishëm se energjia, që është qëndrueshmëria e planetit dhe e jetës në planetin tonë. Këto janë dy objektiva shumë konfliktuale dhe atë se çfarë ndodh aktualisht, unë e shikoj si një prirje afatgjatë të këtij tensioni. Manifestim afatgjatë të këtij tensioni. Dhe shoqëria është e detyruar të bëjë disa zgjedhje. Le të themi, vështirësive afatshkurtra për të paguar një çmim më të lartë në raport me qëndrueshmërinë e jetës së planetit tonë në afatin e gjatë. Zgjedhjet që kemi bërë janë të dyja të dhimbshme deri në fund, por në jetë gjërat nuk vijnë si në kopshtin e Edenit. Gjërat nuk rrjedhin prej qumështi dhe mjalti. Jemi të detyruar të bëjmë zgjedhje të vështira.

Mira Kazhani: Çfarë lidhje ka Shqipëria? Ne nuk e kemi të bazuar energjinë tek burimet e gazit, por e kemi tek uji dhe natyra.

Selami Xhepa: E para siç e thatë edhe ju, Shqipëria nga pikëpamja e kërkesës së brendshme varet nga uji. Pra ne e kemi thuajse 100% prodhimin të bazuar në burimet hidrike. Dhe nga kjo pikëpamje, pjesën më të madhe të konsumit ne e realizojmë përmes burimeve tona të brendshme, të gjenerimit të sistemit tonë të brendshëm. Edhe këtu ka disa probleme, sepse përsëri fenomeni i ngrohjes globale po prodhon thatësira të tejzgjatura. Në fakt ne kemi parë që për shumë muaj Shqipëria ka pasur probleme me reshjet. Kemi gati 5 muaj që nuk shohim një pikë shi dhe jo vetëm në Shqipëri. Po të lexoni ditët e fundit edhe në vendet skandinave që janë tepër të pasura me burime hidrike, siç e dini, gjithë sipërfaqja e tokës në ato vende është e mbuluar nga lumenj dhe burime hidrike, Danimarka, Norvegjia, edhe ata po përballen me probleme të thatësirës.
Kemi gati 10 vite që në Shqipëri nuk po investohet në sektorin e energjisë elektrike për të gjeneruar kapacitete të reja. Qeveria ka promovuar 2-3 projekte, të Karavastasë, 2-3 projekte të tjera për parqe diellore edhe një park eolik, por në fakt ka tre apo katër vjet që kur kanë përfunduar procedurat e tenderimit, që nuk ka nisur puna në terren. Asgjë konkrete nuk po ndodh në terren. Kështu që nga kjo pikëpamje, ajo që dua të them edhe njëherë është që, ky është roli i strategjive të qeverisë dhe i politikave koordinuese nga ana e qeverisë. Ndërton një vizion strategjik dhe ndërton projekte për ta realizuar atë vizion. Fatkeqësisht ne kemi qenë gjithmonë ‘Wait and go’, ‘Wait and see’, ose ‘Stop and go’.

Mira Kazhani: Si mund ta bëjë qeveria? Do ta bëjë, e ka strategjinë dhe nuk ka ekspertë apo janë ekspertët, por mungon strategjia? Cila mungon nga këto?

Selami Xhepa: Në përgjithësi, Shqipëria ka aderuar edhe në Traktatin e Europës Juglindore për Energjinë. Pra nuk është se Shqipëria nuk i njeh rrugët dhe principet që duhet të ndërmarrë për të mbështetur vizionin dhe strategjitë për zhvillimin e ardhshëm të sektorit të energjisë elektrike. Ajo që mungon mendoj unë është përkushtimi i burimeve të nevojshme financiare nga ana e qeverisë për të përmbushur këtë lloj misioni. Fjala vjen, Shqipëria ka pasur prej kohësh një detyrim për liberalizmin e tregut të energjisë elektrike. Ky është një nga detyrimet që ne e kemi marrë që në vitin 2007 në kuadrin e Traktatit të Europës Juglindore. Po të shikosh sot realizimet e Shqipërisë, pra flasim për pas gati 15 vitesh, pra gati një dekadë e gjysmë, po të shikosh realizimet e Shqipërisë në raport me liberalizmin e tregut të energjisë, arritjet janë jashtëzakonisht modeste dhe janë më të dobëta se sa të Maqedonisë.
Tjetër, nisëm projektin e krijimit të bursës, si një projekt transparent ku ballafaqohet kërkesa dhe oferta, atëherë kjo platformë do të zhbënte të gjithë ato praktikat korruptive në tenderimin, në blerjen e energjisë elektrike. A është realizuar ky projekt?

Mira Kazhani: Po pse nuk ka një bursë për enegjinë, për sa kohë ajo është mall? Përse nuk e kemi?

Selami Xhepa: Ekzakt, kjo është thirrja që bëj edhe unë. Pse nuk e kemi, kur e kemi edhe në objektivat e qeverisë? Pra qeveria thotë do të kijojmë bursën, pati një nisje të procesit dhe procesi u ngri. Sot asnjë gjë nuk është realizuar konkretisht.

Mira Kazhani: Kemi ekspertë në këtë fushë?

Selami Xhepa: Fatmirësisht Shqipëria në fushën e energjisë elektrike ka trashëguar një gjeneratë kuadrosh jashtëzakonisht të mirë. Kanë qenë nga ata kanë ideuar dhe kanë qenë pionierët e gjithë sektorit të energjisë elektrike dhe nga kjo pikëpamje kjo përbën një trashëgimi jashtëzakonisht interesante dhe nga pikëpamja e burimeve njerëzore. Një pjesë prej tyre tashmë i përkasin brezit të tretë dhe që ndoshta nuk janë në gjendje për të ofruar atë që ata disponojnë në mënyrë aktive, por trashëgimia e tyre është në fakt nëpër auditorët e universiteteve, sepse brezat e rinj të padagogëve janë formuar prej tyre. Ndaj mendoj që në këtë fushë Shqipëria nuk ka probleme.

Mira Kazhani: Nuk kemi nevojë të marrim borxh nga bota?

Selami Xhepa: Ne sigurisht që mund të marrim borxh nga bota në këndvështrimin e industrive të reja. Fjala vjen integrimi i sistemeve të reja, të inteligjencës artificiale, shkencat e menaxhimit. Kjo është një ndërdisiplinë, nuk është vetëm thjesht disiplinë energjitike. Pra sigurisht ne kemi nevojë për të marrë mjaft nga bota, ato që janë elementet e reja të dijes së sotme, por në kuptimin bazik, pra elementët bazik të formimit të burimeve njerëzore, unë mendoj që në vend ekzistojnë. Jam plotësisht dakord me atë që ne jemi një shoqëri që nuk duhet të presim të marrim punëtorë nga Bangladeshi, sepse një ekonomi bëhet tërheqëse duke tërhequr mendjen, duke tërhequr trurin.

Mira Kazhani: Ekonomia e dijes.

Selami Xhepa: Kjo është ekonomia e dijes. Ndërsa ekonomia e ‘pret copa dhe qep kanotiere’ është të konkurrosh me Bangladeshin dhe jo të konkurrosh me vendet e Europës ku ne duam të shkojmë.

Mira Kazhani: Si mund të bëhemi gati? Si do të ishte një formulë e mirë që ne të bëhemi gati fiks për të ardhmen, për atë që bota i thotë ‘New Economy’ (Ekonomia e Re)?

Selami Xhepa: Ndërtimi i fondamenteve për Ekonominë e Re, Ekonominë e Dijes, Ekonominë e Shekullit të 21 në të cilën bota ka hyrë, duhet të fillojë që nga formimi i universiteteve, formimi i inteligjencës së re, formimi i kuadrove të reja, i profesionistëve të rinj dhe në veçanti tek modernizimi i kurrikulës duke integruar në shkollën tonë, në gjithë sistemin tonë të dijes, ato që janë dijet e sotme bashkëkohore. Flas këtu për sistemet e reja të inteligjencës artificiale e të tjera. Kjo ndikon edhe në mënyrën e formimit të profesioneve të botës së nesërme.

Mira Kazhani: Si mund të jemi ne më efiçentë? Çfarë masash mund të marrim? Një shembull që do të ishte interesant.

Selami Xhepa: Kemi pasur disa iniciativa nga ana e qeverisë gjatë viteve të fundit për ndërtimin e 2-3 impianteve të mëdhenj për gjenerimin e enegjisë nga burime diellore, pra energjisë diellore, pra dy parqe fotovoltaike dhe një park eolik, por që fatkeqësisht asgjë nuk ka filluar në terren. Po përtej gjenerimit të këtyre burimeve të reja energjitike, një mundësi e jashtëzakonshme e përfitimit të burimeve shtesë të energjisë, është efiçenca e përdorimit të energjisë që ne prodhojmë aktualisht. Aq nivel energjie sa ne prodhojmë, nëqoftëse do të përdorej me racionalitet dhe në mënyrë efiçente nga konsumatorët shqiptarë do të ishte e barabartë me ndërtimin e një hidrocentrali si Skavica. Nëqoftëse të gjitha banesat e qytetarëve do të kishin standardet ndërtimore që kanë sot vendet e Bashkimit Europian, nga pikëpamja e efiçencës energjitike, eco, etj, dhe jo me dritaret e shtëpive që në pjesën më të madhe të kohës rrinë hapur, pra nevoja për ta ngrohur shtëpinë është shumë më e madhe sesa nevoja që do ishte nëse këto banesa do ishin njësoj me standardet që kanë ndërtimet e vendeve të BE-së.
Pra ne (do thosha për analogji) mund të ndërtonin një hidrocentral shumë të madh, të ri, pa e ndërtuar atë hidrocentral, thjesht duke investuar në përmirësimin e standardeve të banesës apo të mënyrës sesi e shfrytëzojmë ne energjinë në familjet tona.

Mira Kazhani: Biznesmenëve për shembull në fushën e ndërtimit, duhet t`u imponohet një ekspert i kësaj fushe, në mënyrë që ata të kuptojnë sesi mund ta zbatojnë që në majën e një kulle në Tiranë të ketë panele diellore?

Selami Xhepa: Së pari qeveria është një aktor shumë i rëndësishëm. Kjo nuk mund të imponohet në sektorin privat. Në sektorin privat ne mund të imponojmë standarde mjedisore të cilat i bëjnë efiçente nga pikëpamja e përdorimit të energjisë, gjithë ndërtesat, si për shembull veshjet e banesave. Ama përdorimi i këtyre lloj teknologjive mund të jetë një avantazh jashtëzakonisht i madh për blerësit apo për vetë ndërtuesit. Qeveritë së pari duhet të japin modelin e tyre. Ne kemi ndërtesa publike pafund, spitale, shkolla, ndërtesa të tjerë publike të cilat mund t`i bëjnë, mund të investojnë. Pra qeveria mund të udhëheqë me shembullin e vet, pra “leading by example”.

Mira Kazhani: A mendoni që ka ardhur momenti të shkëputemi disi nga politika neoliberale, të mos ua dorëzojmë të gjitha koncensionimeve, të mos koncensionohet gjithçka, edhe të kalojmë pak tek idetë që i shërbejnë qëllimi publik?

Selami Xhepa: Në fakt habia ime më e madhe ka qenë qëndrimi jashtëzakonisht i djathtë i një forcë të majtë, siç ishte Partia Socialiste që ka shkuar do të thosha deri në ekstrem duke koncensionuar edhe disa shërbime që janë tipike publike, si disa shërbime shëndetësore. Por për t`u kthyer tek pyetja juaj parimore, e para në botën e sotme nuk ka një sektor, që është si i tillë i dhënë, që është më efiçent se një sektor tjetër. Shumë kompani publike për shembull sot në Kinë, në Brazil në vendet e tjera të botës janë kompani publike dhe janë ndër më efiçentet në botë.
Në qasje filozofike unë nuk shoh që duhet të bëjmë preferenca, jo private, jo shtetërore. Publikja, interesi publik është një interes madhor i gjithë shoqërisë. Nga kjo pikëpamje unë them që politikat duhet të shikojnë në mënyrë neutrale dhe jo preferenciale, pavarësisht nga pronësia. Nëqoftëse ne shikojmë në mënyrë neutrale, duke i dhënë hakun gjithkujt që e meriton, ai që e meriton të konkurrojë, le të konkurrojë. Po marr një rast shumë konkret. Bashkia e Tiranës në vazhdimësi ka bërë pastrimin e qytetit nëpërmjet konçensionit me firma private. Kryetari aktual i bashkisë e hoqi, e zhbëri këtë praktikë, krijoi një ndërmarrje publike dhe për mendimin tim ajo ka funksionuar shumë më mirë. Qyteti i Tiranës është shumë më i pastër sesa dikur. Pra nga kjo pikëpamje nuk ka arsye që ne duhet të jemi detyrimisht partizanë.

Mira Kazhani: ‘Pandora Papers’ ka tërhequr vëmendjen, shumë lexues në Tiranapost.al, por besoj në çdo media është parë me kuriozitet edhe fakti që ishte një politikan shqiptar dhe bëhet fjalë për 13 kompani. Çfarë janë këto parajsat fiskale dhe problemi është ligjor apo është më shumë etik?

Selami Xhepa: Fatkeqësisht më shumë është një problem etik në fakt, sepse pjesa më e madhe e transaksioneve janë ligjore, por ajo që do të thosha e rrit skepticizmin e shoqërisë është që si ka mundësi që vendet e zhvilluara të cilat normalisht predikojnë një sjellje të shëndetshme, moral të lartë shoqëror, ndjekjen e kulturës fiskale, respektimin e standardeve demokratike, nga ana tjetër kanë krijuar nëpër disa offshore të cilat i përdorim për të fshehur pasuritë e tyre dhe kjo është ajo ana morale. Për shembull, veprimi që ka bërë Tony Blair, është një veprim që nuk ka problem ligjor sepse ligjërisht ai është krejtësisht në rregull. Ka bërë një transaksion ekonomik, por në qoftë se do ta shiste siç ia ka shitur individit do të paguante një taksë 450 mijë dollarë për buxhetin e Britanisë, ndërsa duke e shitur në një formë tjetër ka shmangur pagimin e një takse. Ligjërisht nuk ke ç`i thua, por moralisht ke ç`i thua shumë. Këta lloj liderësh duhet të shërbenin si shembull për të gjithë shoqërinë. Së dyti vendet e zhvilluara duke adaptuar rregulla të posaçme për industrinë financiare, sidomos disa prej tyre, Zvricra, Litenshtejni, Luksemburgu, Monaco, etj kanë adaptuar sisteme të sekretit bankar në të cilën të gjithë të pasurit e pandershëm, të gjithë pasurinë e popullit të tyre, jo të vetën, e kanë përvetësuar në mënyrë individuale duke e vendosur në këto qendra offshore. Nga ana tjetër, liderët e sotëm globalë, autokratët e sotëm globalë, të cilët përsëri nuk dalin vetë, sepse Putin për shembull nuk shfaqet vetë, ama gjithë enturazhi i Putin shfaqen që kanë përvetësuar pasuritë natyrore të Rusisë me të cilat janë pasuruar sot dhe po blejnë pasuri të paluajtshme, jo vetëm në Britaninë e Madhe, por në gjithë botën. Problemi edhe njëherë i kësaj është etik. Sigurisht që ka çështje ligjore. Çëshjet ligjore lidhen me individë të caktuar të cilët kanë bërë afera korruptive, por nuk është vetë ‘offshore’ problemi ligjor. Problemi ligjor qëndron tek mënyra e krijimit të pasurisë së këtyre individëve që i vendosin në qendrat offshore.

Mira Kazhani: Pra kushdo mund të hetohet nga mënyra sesi e ka vënë atë pasuri që ka fshehur? Nuk ndëshkohesh, gjykohesh për fshehjen, por për mënyrën sesi e ke bërë atë shumë.

Selami Xhepa: Po ekzakt. Ose në raste të veçanta, nëqoftëse ke bërë evazion fiskal. Për shembull biznesmeni shqiptar që rezultoi në ato dosje i ka transferuar paratë atje apo është paguar nga kompania boshnjake, atje ku jeton ai në Arabi, diku nga vendet e Arabisë dhe për ato të ardhura që mund të jenë me burim nga Shqipëria, nuk ka paguar taksa, në këtë rast mund të dënohet për evazion fiskal. Pra e para është kryesisht një problem moral dhe duke qenë një problem moral ngre edhe një shqetësim të madh, global. Se pjesa më e madhe e parave vijnë nga vendet e pazhvilluara, vijnë nga vendet e varfra, nga vendet që kanë probleme serioze me arsimin, me shëndetësinë, me pensionet me agjendë sociale ‘formidable’ (të frikshme), dhe në fakt këto para duke shkuar atje dhe duke mospaguar taksa i lënë këto vende akoma dhe më shumë në varfëri. Këtë gjë, vendet e pasura nuk duhet t`ua lejojnë këtyre diktatorëve apo autokratëve të botës në zhvillim. Duhet t`i mbyllim këto, siç thotë një autor “Ishuj spetikë”, sepse nuk janë në fakt qendra offshore apo qendra të tërheqjes së kapitalit normal financiar.

Mira Kazhani: Çfarë është paraja për ty profesor? Është tundim i madh paraja dhe ajo sa më shumë shtohet, aq më pak është, për disa njerëz? Çfarë i ndodh njeriut në raport me paranë dhe sidomos në këtë kohë që jetojmë po ta vësh re është kthyer në gjithçkanë e botës?

Selami Xhepa: ‘I like the question’. (Më pëlqen pyetja). Marrëdhënia ime personale është “arms length” (marrëdhënie korrekte, pavarësie të shkëputur nga njëri-tjetri), normalisht vetëm për aq sa më duhet për të kryer nevojat e mia dhe të familjes dhe është më shumë se mjaft.

Mira Kazhani: Sa është mjaft për shembull për një profesor modest ekonomie?

Selami Xhepa: Varet nga stili i jetës që bën gjithsecili. Po për një jetesë normale nuk është e nevojshme që të kesh ndonjë pasuri të madhe.

Mira Kazhani: Për shembull, unë kam mësuar që ju shkoni në punë pa makinë. Nuk shpenzoni për karburant.

Selami Xhepa: Patjetër, këtë e bëj edhe për arsye mjedisore, sepse më pëlqen të jem ekologjik, sigurisht që edhe ecja të bën shumë mirë. Nuk do të thosha që e bëj për kursim në rastin konkret, por mendoj që është një pjesë e mënyrës time të jetesës. Marrëdhënia e njerëzimit me paranë është ndoshta gjëja më komplekse që kam parë unë si individ. Kompleksitetin e shoh në këto dy këndvështrime. Historikisht dhe në thelbin e vet paraja është për të rritur shkallën e lirisë së individit. Pra njeriu e do paranë për t`u bërë më i lirë dhe për t`u bërë më i lirë, nuk është e nevojshme që të kesh malin me para. Mjafton për të bërë stilin e jetës normal, modest, të gjithë një bark kemi, siç thotë populli. Të bëjmë një standard jetese dhe kjo është e mjaftueshme. Por fatkeqësisht po ta shikojmë në histori, për pjesën më të madhe, paraja jo vetëm që nuk është një mjet i zgjerimit të lirisë, por është shdërruar në një mjet shkllavërimi, pra njerëzit janë bërë skllevër të parasë. Dhe nga kjo pikëpamje, sidomos kjo pjesë e sipërme e shoqërisë, sepse janë dy grupe, kjo është pjesa e shoqërisë së pasur, që e ka paranë qëllim në vetvete. Pastaj shoh një pjesë tjetër të shoqërisë që është në ‘bottom’, në fundin e zinxhirit, e cila e çmon shumë si virtyt mospasjen e parasë. Edhe kjo sigurisht nuk është aspak korrekte dhe serioze, sepse sipas një analize të fundit nuk të bën më të virtytshëm mospasja e parasë.

Mira Kazhani: Ndryshimet klimatike të mjedisit po i thonë njeriut që jo çdo gjë e blen paraja. Ndoshta disa gjëra që i ka blerë paraja po kthehen në një lloj bumerangu.

Selami Xhepa: Ky është problemi i stadit të sotëm të shoqërisë tonë që nuk po dimë cak dhe nuk po vendosim cak. Pra ne kemi rendur pas një bote materiale dhe kemi harruar shpirtin njerëzor. Kemi harruar metafizikën. Ky në fakt është një fenomen i botës së re, i shekullit të 21. Po të shikojmë deri në vitet 1980 njerëzimi ka pasur një tjetër lloj sjellje edhe në raport me bollëkun ekonomik. Ndërsa sot bollëku ka arritur në përmasa të paimagjinueshme dhe në fakt ekonomia nuk është për të shërbyer nevoja, por për të krijuar nevoja. Pra teknologjia sot krijon nevojë. Pra nuk është konsumatori dhe ekonomia që i shërben një nevoje që e ka konsumatori, por është vetë teknologjia që e krijon një nevojë të konsumatorit. Pra jemi bërë të varur, sidomos kur flasim për produktet e natyrës teknologjike.

Mira Kazhani: Si për shembull me Facebook-un që një ‘lockdown’ prej 7 orësh e kaloi në errësirë një pjesë të komunikimit, se për pasojë ishte edhe WhatsApp dhe Instagram që u bllokuan. Nuk pati komunikim. Pas këtij momenti lexova pothuajse 90% e komentuesve e duartrokisnin dhe thoshin që kishin qenë të lumtur që ishin pa të, por në fakt ne jetojmë edhe falë teknologjisë dhe kemi krijuar këtë lloj varësie.

Selami Xhepa: Unë kam filluar pedagog në vitin 1989 dhe kur jepja lëndën e Tregtisë së Jashtme u flisja studentëve për përdorimin e faksit si një instrument për të lidhur kontrata me tregjet ndërkombëtare pa shkuar në vendin konkret dhe pa e takuar personin dhe flisja për faksin pa e parë me sy asnjëherë. Ndërkohë sot faksi më ngjan histori. Nuk e njeh njeri. Ideja është kjo. Kur faksi ishte revolucioni më i madh i komunikimit, botës, që kur ka lindur njerëzimi, deri në vitet ’80, tani po të shikojmë nga viti 2000 dhe këtej gjithçka ngjan histori. Ka një si ndërprerje me thikë bota e shekullit të 20 me shekullin e 21.

Mira Kazhani: Edhe me 2010-ën është një kohë tjetër.

Selami Xhepa: Sigurisht, çdo dekadë tani ngjan me shpejtësi supersonike. Shpejtësia e ndryshimit të shoqërisë tonë është e jashtëzakonshme.
Kjo lloj varësie që kemi krijuar e para nuk duhet të abuzohet dhe e dyta nga pikëpamja e politikbërjes rregullatore, duhet që të krijojmë sisteme të cilat e bëjnë shoqërinë më të mbrojtur. Pra nuk mund të ketë një operator që të ketë monopolin gjithandej.

Mira Kazhani: Ju jetoni shumë në Facebook?

Selami Xhepa: Unë nuk jam fare përdorues i rrjeteve sociale me përjashtim të WhatsApp-it për qëllime pune. I vetmi rrjet ku jam është LindedIn që është rrjet profesional.

Mira Kazhani: Ndiheni kështu mirë?

Selami Xhepa: Jam shumë shumë mirë. Gjykimi im personal madje është që rrjetet sociale më shumë e kanë ndarë shoqërinë.

Mira Kazhani: E kanë shtrembëruar realitetin dhe i kanë dëmtuar njerëzit.

Selami Xhepa: Ekzakt. Dhe kanë krijuar grupe shoqërore që janë shumë agresive në komunikim me njëri-tjetrin. Njerëzit komunikojnë vetëm me një grup dhe nuk komunikojnë me gjithë shoqërinë. Pra duket sikur rrjetet i sjellin njerëzit bashkë, por në fakt kanë sjellë bashkë vetëm grupe të caktuara, por jo gjithë shoqërinë.

Mira Kazhani: A është çështje kohe edhe kjo e rrjeteve sociale? Do të kenë një fund në një moment të caktuar, deri sa të shpiket diçka tjetër që një Zot e di?

Selami Xhepa: Me këtë shpejtësi që kanë ndryshimet teknologjike nuk është e çuditshme dhe nuk ngjan aspak futuriste, sepse në fakt mendoj që kemi arritur në një kohë ku i vetmi kufizim që kemi është imagjinata jonë.

Mira Kazhani: Si e shikon të ardhmen tënde? Për shembull moshën e tretë ku do ta kalosh në fshat apo në qytet?

Selami Xhepa: Do ta kaloj vetëm në fshat duke punuar tokën.

Mira Kazhani: Nuk do shkruani libra?

Selami Xhepa: Libra do shkruaj sa kohë që jam në shkollë. Kur të dal në pension do të shijoj vetëm lidhjen me tokën, me natyrën.

*Intervista nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Çdo riprodhim dhe keqinterpretim i artikullit do të ndiqet penalisht.

Na kontaktoni në email: [email protected].