Videopodcast

Ekskluzive/ Rruga drejt lumturisë vs botës abstrakte të parave

Ekskluzive/ Rruga drejt lumturisë vs botës abstrakte të parave

Nga Mira Kazhani/ Është e vetmja intervistë që doja për Krishtlindje dhe erdhi si një dhuratë ekskluzive për lexuesit e TIP! Për herë të parë në një rrëfim aspak të ngurtë, me humor, autoironi, paqësor sidomos, Arqipeshkvi i parë shqiptar (lindur dhe rritur në Shqipëri) Imzot Arjan Dodaj!

Është Arqipeshkvi më i ri në botë, 43 vjeç. Ai ka ikur nga Shqipëria në vitin 1993, në moshën 16 vjeçare, e ka provuar edhe në 1991-shin, por pa sukses. Siç thotë ai në ato fillime duhet të ketë patur “thirrjen laçjane” për të ndërmarrë aventurën e emigrimit.

Më pas në Itali duke salduar, duke punuar antiquare, u gjet në thirrjen e Zotit, që siç thotë Shën Agustini, - “Zotin e kërkova kudo, por ai kish qenë brenda meje më shumë sesa unë brenda trupit tim”, - (ai i referohet shpesh gjatë bisedës librit të tij, që e quan më të rëndësishmin pas Biblës “Konfesione”, në shqip "Rrëfimet").

Nuk folëm vetëm për Zotin. Folëm për lumturinë, për paranë, për dashurinë, për gënjeshtarët, për përçarësit, për politikanët, për stresin, për Tiranën, për basketbollin (dikur ka luajtur në Kurbin) madje edhe për pastat ‘Carbonara’ që Imzot Arjani i pëlqen shumë.

Është një bisedë që duhet ta dëgjojmë pavarësisht kujt besimi fetar i përkasim. Sepse para së gjithash ne duhet të kuptojmë çfarë janë demonët që po e lodhin shoqërinë e kësaj kohe, keqkuptimet e mëdha për formulat e suksesit, dhe sidomos në një botë ku ka bollëk, miliona, por nga ana tjetër kaq shumë stres! Pse nuk jemi të lumtur?!!

Intervista e Transkriptuar

Mira Kazhani: Të gjithë bëjmë një rezyme në fundvit dhe këto Krishtlindje janë të dytat që botën e gjejnë shumë të ndryshuar për shkak të pandemisë. Puna ka ndryshuar. Aeroportet s`janë më të njëjtët. Shkenca s`është më në garë me fenë, por me “fake”-un. Shëndeti ynë varet nga mutacioni i radhës. Një mikrob transformoi jetën tonë. Ka njerëz që kanë humbur të dashur, ka edhe që ia kanë dalë për fat të mirë. Ka stres, pasiguri për të ardhmen ndoshta pak më shumë. Edhe në Shqipëri si kudo! Janë ngjarje që në fund na mësojnë që çdo mbijetesë ama ka në thelb një kohë të vetëm, besimin. Për mua bisedë më të gjetur nuk do të kishte veçse me dikë që është më afër Zotit, besimit dhe mesazhit për këto Krishtlindje, me Arqipeshkvin më në fund shqiptar në krye të Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj.

Imzot Arjani, faleminderit për këtë intervistë dhe më lejo të shpreh gëzimin tim si shumë shqiptarë që e kam vënë re nga Facebook-u, aty i shohim tashmë njerëzit, më shumë sesa kudo.

Imzot Arjan Dodaj: Faleminderit për prezencën tuaj dhe për këtë moment së bashku dhe faleminderit gjithë atyre që na ndjekin!

Mira Kazhani: Ishte moment historik rikthimi i një Arqipeshkvi shqiptar, i lindur dhe i rritur në Shqipëri. Ju jeni lindur në Laç, në Kurbin dhe jeni larguar drejt Italisë në moshën?

Imzot Arjan Dodaj: Në moshën 16-vjeçare. Në 1993-shin dhe si shumë shqiptarë, apo siç mund të themi ‘thirrja laçjane na nxiste të gjithëve për me zbulu atë botën e re’. E ndjenim në njëfarë mënyre të gjithë veten Kristofor Kolombi. Detin në një mënyrë, ose në një mënyrë tjetër do ta kapërcenim të gjithë dhe aty dhe unë edhe shumë miq të tjerë, të rinj të kohës tonë, kemi tentuar fatin përtej detit, në Itali.

Mira Kazhani: Keni ikur me anije, me skaf?

Imzot Arjan Dodaj: Kanë qenë disa tentativa dhe kur ka qenë eksodi. Kam qenë më i vogël, në 1991-shin, por nuk ia kam dalë dhe në njëfarë mënyre falënderoj Zotin që më ka kursyer ndoshta peripeci dhe vuajtje të paimagjinueshme që mendoj se veçanërisht ata të eksodit kanë përjetuar drama që ndoshta thuhen, por akoma më shumë nuk thuhen. Kështu që kam ikur me skaf nga Patoku, nga Laçi. Pra laçjane të gjitha mënyrat, sepse dhe kalimi në Itali ka qenë nëpërmjet Laçit.

Mira Kazhani: Në Itali mbërrini në?

Imzot Arjan Dodaj: Në Itali kam mbërritur në një qytet sipër Ostunit.

Mira Kazhani: Në Puglia?

Imzot Arjan Dodaj: Po në Puglia.

Mira Kazhani: Kam qenë këtë verë.

Imzot Arjan Dodaj: Është normale që në atë moment ne nuk kishim shkuar për të zbuluar Puglian, sepse secili prej nesh në bazë të lidhjeve që kishte, kishte destinacionin e vet, unë do të shkoja në veri të Italisë, personalisht, por kam zbritur në Puglia nga ku jam nisur për në veri të Italisë.

Mira Kazhani: Besoj në ato vite thjesht kërkonit punë?

Imzot Arjan Dodaj: Absolutisht. Ka qenë i vetmi qëllim dhe me të vërtetë ashtu ka ndodhur. Kam bërë zanate të ndryshme.

Mira Kazhani: Për shembull, mund të na tregoni disa?

Imzot Arjan Dodaj: Kam bërë saldatorin. Kam punuar në ndërtim. Kam punuar në mobileri. Kam punuar veçanërisht edhe në përpunimin e gjërave antike, ristrukturimin e gjërave antike. Dyer, tavolina gjëra me të cilat Italia veçanërisht është e mbushur me këto. Quhet gjërat e antikuariatit. Është një vepër më vete, është një mrekulli. Zbulojmë sesi mund të dalin në dritë mrekullitë e diçkaje që për arsye të kohës kanë humbur atë shndërritje, por në të vërtetë mund të rikuperojë.

Mira Kazhani: Është e vërtetë. Po të pyesësh shumë shqiptarë, Italia është vendi më i bukur në botë dhe këto antikuaret i kanë tipike.

Imzot Arjan Dodaj: Nuk mendoj që janë vetëm shqiptarët. Italia është quajtur nga vetë italianët ‘Il Bel Paese’. Këtë e pranojmë të gjithë. Pra vendi i bukur.

Mira Kazhani: Këtu, në këtë lloj pune, në këtë restaurim, lindi nevoja për Zotin, erdhi thirrja e Zotit? Aty e kuptove?

Imzot Arjan Dodaj: Është e nevojshme të them që në njëfarë mënyre ne kemi nevojë për Zotin edhe kur nuk e kuptojmë. Shën Agostini thotë: ‘Unë të kërkoja gjithkund, por ti paske qenë më brenda meje sesa unë jam brenda vetes time’. Kjo është shumë themelore, sepse pastaj në takimet me realitetin me persona të ndryshëm Zoti të shpalos faqet që në të vërtetë i ka shkruar për ty. Sepse jeta jonë nuk është shkruar vetëm në ne, jeta jonë është e shkruar së bashku, me ne, në bazë të takimeve. Kështu që në një miqësi dhe shoqëri që frekuentonim me shumë thjeshtësi e natyralitet përvojën e fesë, duke frekuentuar Kishën, kam kuptuar që ndonëse mendoja se vija nga një familje katolike (logjike për sa mund të thuhet Katolike, se ne e dimë se çfarë ka bërë diktatura, ç`ka ç`rrënjosur gjithçka), por të paktën nga emri i mamit dhe i babit edhe i gjyshit mendonim se ishim katolikë, në të vërtetë aty zbulova se nuk ishim katolikë sepse nuk ekziston një katolicizëm, pa, jo vetëm shenjat, por prezencën. Dhe prezenca për ne manifestohet me përvojën e sakramenteve. Sakramentet janë ajo çka duan të thonë, pra janë prezenca e Zotit.

Mira Kazhani: Megjithatë nuk ma thatë episodin e parë kur e ndjetë që ju i përkisni kësaj udhe, këtij udhëtimi misionar dhe në shërbim të njerëzve, në shërbim të Zotit?

Imzot Arjan Dodaj: Nuk ka qenë menjëherë, sepse menjëherë angazhimi im ka qenë më shumë me punën, me dëshirën për të ndihmuar dhe familjen, sepse të gjithë vinim nga një përvojë, në njëfarë mënyre mjerimi. Por në këtë ecje Zoti gradualisht si një artist gdhend ekzistencën tënde dhe nga ajo formë e mermerit të Carrara-s, si për shembull Leonardo nxjerr ‘Pieta’-n, Zoti megjithë qenien tonë, me brishtësitë e saj dhe megjithë qoshet e veta nxjerr ato vepra që ai dëshiron për të mirën e të tjerëve. Ekzistenca jonë është gjithmonë e gjithkujt. Është gjithmonë në relacion. Nuk ekziston një unë, pa një ty dhe pa një ne.

Mira Kazhani: Pa e ekzagjeruar, do guxoja pak, por metaforë është, keni ecur si një James Bond në rrugëtimin tuaj të kishës. Jeni Ipeshkvi më i ri në botë edhe Arqipeshkvi më i ri në botë, nëse unë nuk gaboj. Në çfarë moshe jeni bërë Ipeshkv?

Imzot Arjan Dodaj: Faleminderit, le ta themi kështu për metaforën. Më pëlqejnë filmat aksion dhe i kam ndjekur seritë e James Bond, edhe të fundit, shumë i bukur. Unë jam Arqipeshkvi më i ri tashmë i emëruar në botë, por thonë që rinia është një defekt që kalon shpejt.

Mira Kazhani: Sa mirë që e keni kaluar.

Imzot Arjan Dodaj: Kështu që diçka që mendoj që kemi nevojë të gjithë ne, të rinj ose të vjetër, është mençuria. Kemi shumë të rritur ose të motçëm që sillen si adoleshentë. Rrezikojnë të ecin përpara me kokën mbrapa, kur në të vërtetë Zoti dëshiron që ne të shohim gjithmonë përpara.

Mira Kazhani: Keni ndonjë këshillë për këta të rriturit që sillen si adoleshentë?

Imzot Arjan Dodaj: Do t`iu këshilloja që të lexonin më shumë diçka që thotë Papa Françesku. Në vitet e para të pontifikatit të tij sillte atë rivalitetin që nganjëherë dallohet midis babait dhe djalit, kur djali në adoleshencën e vet po zbulon ato eksperiencat e reja dhe sikur prindi ka atë nostalgjinë për t`u rikthyer dhe mbrapa. Gara midis mamit dhe gocës. Unë kam përshtypjen që secili duhet të jetojë epokën në të cilën është i thirrur të jetojë.

Mira Kazhani: Çfarë po ndodh me besimin? Unë e thashë në fillim, pavarësisht gjithë problemeve që kemi edhe në pandemi, edhe tek tërmeti, por edhe në jetën e përditshme dhe kur shikon zhvillimin e teknologjisë, kupton se në thelb të gjithçkaje është besimi. Ndonjëherë duket sikur njerëzit po bëhen gjithnjë e më shumë mosbesues. A po ndodh kjo edhe në syrin dhe në perceptimin tuaj?

Imzot Arjan Dodaj: Unë mendoj që gjithsecili prej nesh beson në diçka. Kjo është shumë themelore. Mendoj që kemi nevojë të rizbulojmë hierarkinë e vlerave që duhet të besojmë. Dua të them diçka shumë elementare. Është për t`u konsideruar me shumë vlerë ajo që Papa Françesku tha në 27 mars të 2020-ës, kur i vetëm, në atë shesh të Shën Pjetrit, përballë Bazilikës së Shën Pietrit, nën një qiell krejtësisht gri, mjegull që dëftonte kontekstin që po përjetonte mbarënjerëzimi, sapohyrë në pandemi, ajo ngjyrë gri, që në njëfarë mënyre të depërtonte shpirtin, ai tha një fjalë ndër të tjera, shumë të bukur: “Mendonim të jetonim si të shëndetshëm, në një botë të sëmurë.”

Thjesht ecja jonë në këto dekada duke u kapur tek pasuria, tek aftësia, tek një arritje thjesht me forcat tona, na ka dëftuar kontengjencën, na ka dëftuar që në të vërtetë jemi krijuar për gjëra më të mëdhaja. Dhe kur e ulim atë nivelin për të cilin jemi krijuar, atëherë ngelemi viktima të gjërave që ne vetë krijojmë, siç është kjo pandemi.

Mira Kazhani: Ishte interesante ajo që ka thënë Papa Françesku që po jetonim të shëndetshëm në një botë të sëmurë. Pra bota ishte e sëmurë, a mos ndoshta ju në kishë e shihni pandeminë si një sinjal për njerëzimin?

Imzot Arjan Dodaj: Unë mendoj që çdo gjë që na ndodh në ekzistencën tonë është një mesazh. Po është një mesazh pozitiv për më të mirën. Është një mesazh që ne të ndalemi. Stop, ku po shkon? Fakti që makina ka frena nuk është diçka negative. Është diçka pozitive, sepse përballë një kthese, një gremine nuk do duhet ta përdornim gazin. Kështu është në njëfarë mënyre edhe kjo pandemi. Në përvojën e saj dramatike, traumatike me ato pasoja që thatë ju në fillim të intervistës, ka bërë të hyjë në vetvete njeriu. Por edhe të dallojë brishtësitë e veta. Njerëzit po bëhen të vetëdijshëm për brishtësitë e tyre. Edhe kjo ndoshta po i tremb më shumë. Nuk i bën të dalin për shembull sa janë pasojat në aspektin psikologjik. Mbas dy vitesh që shumë të rinj kanë studiuar online nuk është më e lehtë të rimarrësh relacionet njerëzore, natyrore. Nuk është më e lehtë të kesh kurajë ta ballafaqosh tjetrin sy më sy, fytyrë më fytyrë. Nuk është më e lehtë të zbulosh atë buzëqeshje që ndoshta ai tjetri ta vjedh, se ndërkohë të rrëmben me buzëqeshjen dhe mirësinë e vet. Kemi nevojë të rikthehemi tek ABC-ja, tek gjeneza e ekzistencës tonë.

Mira Kazhani: Që do të thotë? Çfarë na shpëton? Çfarë mund të na e japë sensin e sigurisë për jetën dhe besimit tek ajo?

Imzot Arjan Dodaj: Si i Krishterë do të thosha takimi me Zotin. Është shumë themelore. Por dua t`u flas edhe atyre që ndoshta nuk besojnë. Mjafton të hyjnë në vetvete. Në këtë kohë kanë pasur kohë boll për të medituar. Të hyjnë në vetvete e të kuptojnë për çfarë kanë ardhur në këtë botë? Kanë ardhur të gjithë për të lënë një gjurmë pozitive, sepse gjurma pozitive kërkon gjithë angazhimin tonë, kurse e keqja, mjafton një shkëndijë. Siç ka qenë tërmeti i 26 nëntorit. Mjafton një episod, mjafton një person pra i infektuar që pastaj t`i infektojë të gjithë.

Mira Kazhani: Besoj jeni shumë i informuar dhe i vetëdijshëm që bota po orientohet drejt suksesit. Njerëzit tashmë kalojnë më shumë në stres, ndoshta edhe në depresion, sepse të gjithë duan të jenë të suksesshëm, të gjithë duan të jenë të pasur, duke besuar se të dyja këto sjellin lumturinë. A do kishit një koment për ata që janë shumë në fakt, e besojnë dhe këtë kërkojnë në jetë.

Imzot Arjan Dodaj: Është shumë e bukur sepse ju e shprehët shumë mirë përse kërkohet suksesi. Kërkohet për lumturinë. Jezusi na thotë në Ungjill ‘Të lumtur për shembull, të varfrit në shpirt’. Lumturia për ne është në të dhënë, në të dhuruar, sepse Zoti na thotë është më shumë gëzim kur japim, sesa kur marrim. Pse? Sepse marrim buzëqeshje, mirënjohjen e atij personi. Kurse sot fatkeqësisht përvetësimi, dominimi, abuzimi i të mirës që na është besuar, na ka bërë ta mbajmë gjithmonë kokën të kërrusur drejt vetes dhe të paaftë për të inter-reaguar me realitetin. Nuk jemi më të aftë të jetojmë dimensionin tonë të parë që jemi të thirrur të jemi qenie sociale. Ne jemi qenie në relacion, që kemi nevojë për tjetrin, sepse është falë tjetrit që unë e kuptoj veten. Unë s`e shoh veten. Kam nevojë për një pasqyrë, por duke të parë ty, duke parë vështrimin, korrigjimet, fjalët që ti më thua, unë zbuloj ku mund të përmirësohem, ku mund të ndryshoj, ku mund të bëhem më i dobishëm për ty, dhe për shoqërinë që më rrethon.

Mira Kazhani: Po paraja është bërë e domosdoshme për kohën ku jetojmë. Propagandohet shumë, por edhe kapitalizmi e ushqen. A mendon se ka një mënyrë, ndoshta ekziston një sistem tjetër më i mirë për botën? Do t`i afrohemi atij sistemi tjetër? Po e shkakton kjo krizë edhe shpirtërore, që nuk është vetëm shëndetësore, siç është pandemia, por edhe kriza tjetër që ne po flasim?

Imzot Arjan Dodaj: Flasim për paranë, por ne po shohim që është gjithmonë e më pak në qarkullim paraja. E shohim sesi në të vërtetë përdoret në mënyrën elektronike. Flasim edhe për monedhat e tjera këtu, bitcoin, etj. Çfarë dua të them! Nëse dikur për shembull kur ishim të vegjël lexonim historinë e Paperonit, ai zhytej në lekët e veta, sot njerëzit zhyten në botën abstrakte, sepse gjithçka e kanë bankat në fund të fundit. Mjafton një situatë e tillë që papritur të gjitha ato kursime që këta të pasur kanë, mos t`i kenë më me vete. Paraja nuk është pasaporta për qiellin.

Mira Kazhani: Është deri diku pasaporta për tokën. Është shtëpia luksoze. Është shtëpia në det. Makinat e mira, udhëtimet, veshjet e shtrenjta.

Imzot Arjan Dodaj: Kjo është drama jonë.

Mira Kazhani: Dhe me ato më pas ke edhe influenca që nuk i kanë njerëzit e thjeshtë dhe të varfër.

Imzot Arjan Dodaj: Në një shprehi italiane thuhet “Chi sa contenta, gode”, “Kush di të kënaqet, gëzon”. Nëse do të shohim diçka që na mungon, ne jemi qenie gjithmonë në kërkim të diçkaje. Në të vërtetë çfarë është rreziku? Që harrojmë atë që thashë në fillim fare të Shën Agostinit. Shën Agostini i kishte të gjitha, në dijen e vet, sepse është një nga filozofët më të studiuar në kërkimin e të vërtetës dhe të bukurës. Në rrëfimet e tij, në best seller-inj, librin më të lexuar pas Biblës, “Konfesionet” thotë: “Unë të kërkoja në gjërat më të bukura, duke i marrë ato, por pa të gjetur ty.” Pra dua të them që edhe paraja është e dobishme, por në momentin që na bën të shërbejmë diçka më të bukur, përndryshe hidhem në të, por pa zbuluar arsyen pse jam.

Mira Kazhani: Imzot Arjani, në pandemi pamë disa klerikë që iu dorëzuam shkencës, natyrshëm, se në spital do të shkosh të kurohesh, por u vu re edhe diçka tjetër, që shumë shkuan dhe u kuruan jashtë Shqipërie. Ju në postin që keni tashmë, a mendoni të ndërmerrni ndonjë iniciativë në sistemin shëndetësor, që raste të tilla të kurohen në Shqipëri?

Imzot Arjan Dodaj: Para së gjithash dua t`i përgjigjem aspektit kush është kuruar jashtë shtetit. Unë mendoj që kjo është një e drejtë e të gjithëve. Kura është një e drejtë e personit, e pashmangshme dhe e pashtypshme. Duhet absolutisht të respektohet. Fatkeqësisht është normale që nuk është e mundur për të gjithë kjo, por unë mendoj që në sistemin shëndetësor shqiptar, edhe këtë e them nga përvoja, sepse edhe me familjarët e mi kemi pasur raste që unë vetë i kam shoqëruar tek Urgjenca dhe kam hasur shumë humanizëm, veçanërisht tek mjekët e rinj, të sapolaureuar, tek infermierët e rinj kam hasur me të vërtetë një qasje kaq pozitive, kaq inkurajuese, por mjekët nuk janë të thirrur të bëjnë mrekulli. Janë të thirrur thjesht të vënë dijen dhe arsyen, e Zoti pastaj do të ndikojë. Sepse mjekësia për ne nuk është një profesion, është një thirrje, e para. E dyta, dëshiroj të them që nuk ka arsye pse meshtarët, motrat, priftërinjtë, ose fetarët të mos bashkëpunojnë me shkencën. Një nga dhuratat e Shpirtit të Shenjtë, ne themi që ka 7 dhurata, kur fëmijët marrin krezmimin, është një nga sakramentët e prezencës së Zotit, ne themi që një nga dhuratat është shkenca. Pra është Zoti që na jep atë dhunti, atë aftësi, jo për të mirën time, por për të mirën e përbashkët. Në fund të fundit po të ishin krejt në shkencë matematicien do të ishte një dramë. Po shyqyr Zotit kemi matematicienë, fizikantë, etj. Atëherë çfarë po bëjmë ne? Çfarë po përpiqemi të bëjmë? Dje kemi pasur vizitën e kryeministrit në Universitetin Spitalor “Zoja e Këshillit të Mirë” që është Universiteti Katolik i vetmi në Ballkan, do të thosha si Universitet Katolik, ku me angazhimin e të gjithëve, me angazhimin e Kishës Katolike, shpresoj me bashkëpunim me shtetin, sepse neve nuk duhet të zëvendësojmë shtetin, ne duhet të bëjmë më të mirën, por pastaj përgjegjësinë e parë në shërbim të së mirës së përbashkët e ka shteti. Sepse është shteti që i është besuar drejtimi i një popullii. Nëpërmjet edhe kësaj strukture do bëjmë ç`është e mundur që ky shërbim të jetë për të gjithë.

Mira Kazhani: Po shkenca ka një problem tjetër shumë të madh sot, fake-un, lajmet e pavërteta, dezinformacionin që vjen ngado online. Çfarë ndjeni dhe mendoni ju kur shihni kaq shumë dyshim tek vaksina, tek shkenca, tek shkencëtarët dhe kaq shumë besim në teoritë konspirative? Ndoshta është e vjetër sa bota të besosh disi lajmet e rreme.

Imzot Arjan Dodaj: Kur na ra pandemia të gjithë po prisnin me padurim që të vinte vaksina. Kur erdhi vaksina, jo të gjithë, por shumë tani flasin kundër vaksinës. Më e mira, më e përsosura nuk ekziston në këtë tokë. Por na janë dhënë të gjitha mundësitë që nga dijet, nga aftësitë që kemi t`i vijmë në shërbim më të mirës. Unë jam vetë i vaksinuar dhe nuk e ndjej veten të paprekshëm, por shoh dhe ata që e kanë marrë virusin pasi kanë qenë të vaksinuar, kanë kaluar më lehtë sesa kur unë isha i pavaksinuar (sepse nuk ekzistonte vaksina para një viti e ca) dhe kam qenë katër javë vetë me serum, këtu, në këtë strukturë. Veten e kam marrë pas një muaji e gjysmë, dy, sepse të lë edhe pasoja. Ndoshta kemi edhe tani pasoja. Po e shikojmë, shumë kanë kaluar virusin, pastaj manifestohen dëmet që ka shkaktuar në mushkëri apo në qarkullimin e gjakut, mbas shumë kohësh. Kështu që duhet të jemi gjithnjë vigjilentë.

Mira Kazhani: Tek kush kishe besim gjatë kohës që kishe virusin, tek Zoti apo tek infermierja, doktori?

Imzot Arjan Dodaj: Është shumë themelore të nënvizojmë diçka. Unë fola përpara për hierarkinë e besimit. Zoti na ka dhënë jetën. Të Atij jemi, tek Ai do shkojmë. Mjekësia dhe shërbimet e tjera janë thjesht për të shërbyer më mirë në ekzistencën tonë dhe është normale që ne duhet të kemi gjithmonë besim tek ata që janë të thirrur për të shërbyer në shëndetin e njerëzve. Kjo nuk do të thotë që të gjithë i shërbejnë me besnikëri, por ne nuk na përket të gjykojmë, por të bashkëpunojmë.

Mira Kazhani: Çfarë mendoni për shqiptarët dhe besimin e tyre? A jemi ne një popull me besim apo jemi një popull skeptik për shumëçka? Çfarë na karakterizon?

Imzot Arjan Dodaj: Unë mendoj edhe jam i bindur që ndoshta edhe ju e mendoni kështu që jemi një popull me shumë besim. Edhe nuk po e them si diçka pozitive, sepse në fenë Katolike, por sot po flisja edhe me Bujarin që është Kryetar i Komunitetit Mysliman, ne kemi nevojë për besim dhe arsye. Gjon Pali II në një nga dokumentet më të bukur për sa i përket arsyes që është “Fe e arsye” ka thënë: Ne kemi nevojë si një pëllumb që ka nevojë për dy flatra, po pati vetëm besimin atëherë nuk mund të fluturojë, sepse flatrën e arsyes nuk e ka që ta shpjegojë. Po pati vetëm arsyen, që është problemi i disa jo vetëm shkencëtarëve, po në njëfarë mënyre djetarëve, filozofëve, atëherë nuk mund të fluturojë. Pra kemi nevojë për këto dy flatra që të jemi mbi situatat që ndonjëherë ne na bllokojnë.

Mira Kazhani: Sa i arsyeshëm ju duket ky besim? Do t`i referohem disa anketimeve që bëhen shpesh në Shqipëri dhe kur shqiptarët, populli ynë pyetet se ku beson më shumë, pra kur listohen disa institucione, e para është Ambasada Amerikane, në përgjithësi ambasada, trupi diplomatik në Shqipëri, diku më poshtë është Zoti, feja, besimet e tyre dhe sigurisht sistemi shëndetësor. Politikanët janë në fund fare, mediat janë në fund fare. Çfarë mendoni ju për besimin e parë tek të huajt, tek ambasadorët, a ka këtu një arsye, është i shoqëruar një besim me arsye dhe sa normale është kjo për një shoqëri të zhvilluar? Pse ndodh kjo?

Imzot Arjan Dodaj: Unë mendoj që është shumë themelore që të dallojmë dy pika kryesore. E para që ne të gjithë jemi si Shën Toma. Shën Toma quhet shenjti që u thotë Dishepujve mbas ringjalljes së Jezusit, unë po s`e pashë me sytë e mi, po s`e preka me duart e mia, s`e besoj. Është një besim në të vërtetë i pabesueshëm, sepse do që të prekë diçka që në të vërtetë ne nuk e kemi prekur, por e dimë që do të manisfestohet. Dua të them që në këtë rast shqiptarët, miqtë tanë, të tjerët nuk është se besojnë tek ambasada apo ambasadori, por besojnë tek shteti që përfaqëson ajo ambasadë, në bazë të efekteve, të një mirëqenie, realizimi, një demokracie, një koncepti jete dhe ata thonë këta e kanë arritur, janë më të besueshëm. Ambasadorët kalojnë, Amerika ka mbetur, ngelet. Pra është shumë themelore që ne të dallojmë personat nga institucionet. Pastaj është normale që personat mund ta bëjnë akoma më të besueshëm institucionin dhe kjo i përket përgjegjësisë së secilit prej nesh: ambasadorë, politikanë, meshtari, Ipeshkvi apo çfarë jemi.

Mira Kazhani: Megjithatë ne themi gjithmonë që ky vend bëhet nga ne. Shqipëria do të bëhet vetëm nga ne, nga shqiptarët. Dhe a do të vijë ndonjëherë dita që ne t`i besojmë njëri-tjetrit? T`i besojmë vendit tonë?

Imzot Arjan Dodaj: Unë dua t`ju pyes, a ka ardhur ndoshta dita, diku që njerëzit totalisht t`i besojnë njëri-tjetrit? Është në dramën e njeriut mëdyshja. Kjo ndodh edhe midis babës dhe djalit, midis motrës me vëllain. Është diçka që do të na shoqërojë përherë, sepse ekzistenca jonë është e bërë me këto qasje. Nganjëherë jemi majë malit, nganjëherë jemi në fushë. E kemi një sfidë me veten.

Mira Kazhani: Do doja në fakt që në këto anketime të shtonin edhe Kishën e Laçit, Kishën e Shna Ndout. E dini pse? Ju jeni nga Laçi, por Kisha e Shna Ndout është shumë popullore në Shqipëri. Madje kam parë edhe të huaj që shkojnë atje. Personalisht kam shkuar para tre vitesh, në një moment të vështirë të jetës sime. Një mikeshë më mori për dore dhe më çoi atje. Sigurisht jam lutur thjesht siç mund të dijë dikush që (unë nuk është se jam e Krishterë apo ta njoh strukturën e lutjes) dhe le të themi se mora një përgjigje. A mund të na e përshkruash pak, është psikologjike apo vërtet ai vend aty ka këtë fuqi dhe të çon më afër Zotit, ndoshta më afër vetes? Si do ta përshkruaje këtë destinacion kishtar, të besimit do thoja më saktë?

Imzot Arjan Dodaj: Unë do thoja që po të mjaftonte psikologjia, për faktin që sot gjithmonë e më shumë studiojnë shkencat humane, shkencat pozitive akoma më shumë fatkeqësisht sot shtohen edhe sëmundjet psikologjike. Shtohen njerëzit që kanë akoma më shumë nevojë për psikologë ose psikiatër. Kjo do të thotë që nuk është e mjaftueshme. Përvoja që ju po më dëftoni jam mëse i bindur që nuk ka lindur nga mendja, por nga një nxitje më e thellë, një forcë e gravitetit shpirtëror që në Kishën e Laçit në këtë kontekst, por në Kishë në përgjithësi, sepse ne besojmë në një tempull jo thjesht të ndërtuar me mur, por në një tempull që është prezenca e Zotit. Duhet të kemi parasysh që Kisha e Laçit, për më shumë se 40 vjet nuk ka ekzistuar si ndërtesë. Unë jam vetë laçjan, sa herë që trajneri ynë i basketbollit na bënte nxemjen, na çonte vrap deri sipër, pastaj ktheheshim për të bërë stërvitjen.

Mira Kazhani: Imzot Arjani, edhe ju basketbollist në të shkuarën?

Imzot Arjan Dodaj: Po, po, ishin atëherë klasat sportive dhe stërviteshim. Laçi ka pasur një skuadër shumë të mirë në vitet e komunizmit. Më vjen keq që nuk ekziston më. Por dua të them që shkonim sipër, nuk ekzistonte Kisha. Ishin gërmadhat dhe në të vërtetë ishin njerëzit që kishin bërë gjithçka megjithë pengesat e policisë, sigurimit, që ishin sipër. Dhe kur ktheheshin poshtë, ktheheshin me një fytyrë tjetër. Ndoshta me ato veshjet me arna, ndoshta më të rraskapitur, ndoshta dhe më të lodhur prej baltës e shiut, por ktheheshin me fytyrë tjetër. Pse? Sepse çdo diktaturë, çdo regjim mund të shembë Kishat, por s`duhet ta shembë kurrë në zemrën e njeriut, sepse është Zoti që është prezent. Zoti na ka bërë e kemi në zanafillë në imazh e ngjashmëri të tij. Por në të njëjtën kohë në misterin e Krishtlindjes që ne po përgatitemi për të jetuar, jo vetëm na ka bërë kështu, por na ka sjellë vetë birin e vet. Është bërë i takueshëm. Dhe kjo është diçka e pavdekshme, sepse ndonëse ka vdekur, ai e ka mundur vdekjen dhe jeton tashmë, nuk mund të vdesë më.

Mira Kazhani: Shna Ndou e ka bërë atë rrugëtim. Ato janë gjurmët e tij.

Imzot Arjan Dodaj: Ne nuk kemi fakte historike që Shën Antoni ka qenë në Shqipëri, por sigurisht bijtë e Shën Françeskut, nga të cilët ishte edhe ai, me devotshmërinë dhe me ecjen e tyre shpirtërore kanë sjellë figurat e shenjtorëve, që duke u përpjekur të identifikohen në Zotin tonë Jezus, kanë pasur atë forcë të përcjelljes së mrekullive që vetë Jezusi manifeston këtë forcë, është Jezusi në Ungjill. Edhe shenjtërit më pas siç janë Shën Antoni dhe të tjerë thjesht duke u identifikuar në jetën e Jezusit kanë bërë ato mrekulli që shohim edhe në Ungjill.

Mira Kazhani: A po mbushen Kishat?

Imzot Arjan Dodaj: Unë mendoj që brezat e rinj kanë një etje të pashueshme të një diçkaje që nuk ua plotësojnë më as rrjetet sociale, as interneti, as raportet. Janë zhveshur nga çdo lloj tabuje që përpara tërhiqte dhe vëmendjen. Tani gjithçka është e kapërcyer. Çdo kuriozitet është shuar. Ka ngelur vetëm të zbulohet Zoti. Na dëfto o Zot fytyrën tënde, fytyrën tënde po kërkojmë! Unë mendoj që kjo është kërkesa e një të riu sot. Dhe kishat tona, unë i shoh në Katedrale, pothuajse 70% - 80% bankat janë plot, ose 70% - 80% janë të gjithë të rinj.

Mira Kazhani: Një fëmijë i vogël 4 vjeç më ka bërë një pyetje para pak kohësh pasi dolëm nga një kishë: Mira, ku është Zoti? Si është Zoti? Dhe të them të drejtën unë nuk e kisha përgjigjen. Po të na e tregonit ju sot, cila do ishte përgjigjja?

Imzot Arjan Dodaj: Unë do i përgjigjesha me fjalët që ka përdorur Papa Benedikti. Në takimin e parë të tij të bërë me fëmijët që kanë bërë kungimin e parë, të një moshe relativisht 9 ose 10-vjeçare. Ishte Sheshi Shën Pjetër plot. Më kujtohet si sot. Ishte shtatorit i 2005-ës. Kishte pak muaj që ishte zgjedhur Papa Benedikti dhe ky fëmija shkon i bën një pyetje publike në shesh, i thotë: “I dashur Papë, mësuesja ime e Katekizmas thotë që Zoti ekziston, por unë nuk e shoh”. Dhe Papa Benedikti iu përgjigj. I tha: “I dashur, ne shohim dritën, por nuk e dimë dhe nuk e shohim energjinë. Ne dëgjojmë zërin, por nuk e shohim sesi e përcjell ajo radio.” Pra prezencën e Zotit e shohim tek efektet dhe në fakt Papa Françesku të dielën e 12 dhjetorit thoshte: “Këtë Krishtlindje ta shohim Jezusin në veprat tona, në gjestet tona”. Është buzëqeshja jote, është bujaria jote, është dashamirësia jote, është përkushtimi yt, është ndoshta koha që do t`i japësh gjyshes tënde, ose një të mjeri. Është vëmendja që do japësh. Se ndonjëherë ne mendojmë që duhet të bëjmë gjëra të mëdha, por Nënë Tereza vetë na thoshte: “Bëni gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Prezenca e Zotit është dashuria e madhe që fshihet pas gjestit të jetës së përditshme, jo të gjërave të mëdha që tërheqin vëmendjen në pikë të parë, por s`na ndryshojnë jetën.

Mira Kazhani: E bëjmë ne fatin? E bën njeriu fatin e vet? Është karakteri fati i njeriut? Apo ka një destin për ne, kemi diçka të shkruar të gjithë?

Imzot Arjan Dodaj: Kjo është dilema e madhe që është përpjekur t`i përgjigjet Shën Agustini, por pastaj është përgjigjur duke thënë që secili prej nesh, me zgjedhjet e veta e zgjedh destinacionin e tij. Zoti krijon mundësinë që ne të kemi takime pozitive, konstruktive që ne të ndërtojmë më të mirën, por pastaj përballë të mirës dhe të keqes, i thotë: Ti o njeri je i lirë. Në të njëjtën kohë pastaj vazhdon: Zgjidh të mirën që të jetosh, që mos të zgjedhësh të keqen e të vuash. Jo vetëm për sot, por edhe për mot.

Mira Kazhani: Ju besoj e ndiqni politikën në Shqipëri, sepse është shumë e rëndësishme, si kudo. Politika është e rëndësishme se merren vendime për qytetarët, për njerëzit.

Imzot Arjan Dodaj: Është një thënie: Çfarë do të shohësh, do të bëhesh. Unë ndjek më shumë, ose përpiqem të ndjek jetën e Shenjtërve, jetën e popullit dhe përpiqem të jem pranë tyre. Pastaj tek tuk dikush më çon një mesazh, dikush më thotë shikoje atë Twitt. Dikush shiko atë lajm. Por pothuajse rrallë shoh televizor ose ‘talk-show’ apo gjëra të tilla. Vetëm nëse më thonë që është diçka interesante. Realisht nuk kam dhe kohë.

Mira Kazhani: Ka shumë pak gjëra interesante nga ‘talk-show’, nga programet politike, por edhe nga politika jonë dhe e shoh që nuk i ndiqni shumë, kështu që është e kot t`ju pyes se çfarë mendoni dhe nëse do kishit një mesazh për ta? Se shumë në sherr po na mbajnë.

Imzot Arjan Dodaj: Jo, jo (qesh). Unë mendoj që secili ka një përgjegjësi personale kur bën sherr me dikë tjetër. Ne nuk jemi buratin që dikush nga lart na fut në sherr poshtë. Ka ikur koha e diktaturës kur njëri bëhej spiun për tjetrin. Nëse është dikush që akoma është edukuar kështu, më vjen keq për të. Ka ikur kjo kohë. Është koha që secili t`i dalë zot inteligjencës së vet dhe ta vëjë në akt. Këtë e shoh tek shumë të rinj që kanë aftësitë të angazhohen në universitet me shumë sakrifica, me rezultate fantastike, por në të njëjtën kohë të mbajnë edhe punën me shumë e shumë angazhime. Të paguajnë ndoshta dhe një qira ndoshta dhe të lartë. Se për shembull këtë vit është e mundur që një garsonierë të shkojë gati 300 mijë lekë etj etj. Pra dua të them që liria jonë është e para që ka përgjegjësinë për të mirën dhe të keqen.

Mira Kazhani: U treguat shumë i kujdesshëm. Une mendova që do të kishit një mesazh më të drejtpërdrejt, sepse kam parë priftërinj në Shqipëri, të paktën është njëri prej tyre që mban shpeshherë qëndrime politike. Nuk e di. Duhet të përfshihen priftërinjtë në debate politike?

Imzot Arjan Dodaj: Siç ju thashë nuk ndjek qëndrimet politike. Kështu që nuk e kam parasysh këtë kontekst, por mendoj që diçka është shumë themelore. Si politika, si feja janë në shërbim të njeriut. Njeriu është pjesë e polis, e qytetit, e jetës, e shoqërisë. Politika dhe feja duhet të takohen në jetën e njeriut aty ku takohet dhe Zoti me to. Sepse duke shërbyer për të bërë më të mirën për njeriun, atëherë politika do zbulojë gjithmonë e më shumë vokacionin e vet, që është në shërbim të sistemit të së mirës së përbashkët. Ajo ndoshta në dimensionin social, kurse ne në dimensionin shpirtëror në takim me Zotin nëpërmjet të mirës dhe njerëzve që takojmë ne të shërbejmë që ky njeri nëse shërben në jetën sociale të ruajë paqen e të sjellë në akt idetë e frymëzimet e veta për një shoqëri më të mirë.

Mira Kazhani: Doja të të pyesja për Tiranën si qytet, meqë portali im quhet Tiranapost, e doja një koment për qytetin, çfarë ndjesie ke kur hyn në Tiranë?

Imzot Arjan Dodaj: Përveç trafikut, ndjesitë e tjera janë fantastike, sepse Tirana unë mendoj që është një nga qytetet më të gjallë që ka Evropa, plot me dritë. Në qytetet dhe kryeqytetet perëndimore, unë kam qenë në shumë prej tyre, jo vetëm në Evropë, por edhe në vende të tjera, vjen në njëfarë kohe, në njëfarë ore zbehet gjithçka. Kurse në Tiranë drita ngelet ndezur gjithmonë, edhe kur dielli perëndon. Tirana është e gjallë. Mendoj që është e drejtë dhe e bukur që këtë vit Tirana është shpallur kryeqyteti i të rinjve për Evropën. Shpresoj vërtet që ky vokacion, kjo përvojë t`i ngelet edhe pasi të kalojë 2022-shi.

Mira Kazhani: Mesazhin e Krishtlindjeve e keni përgatitur vetë apo keni edhe njerëz që…? Nuk e di si funksionon kur jepen mesazhet. Ka një këshillim, ka një orientim për tematikat apo i gjeni ato nisur nga takimet me besimtarët, nga shqetësimet e tyre? Si funksionon, kurioze jam?

Imzot Arjan Dodaj: Ju them një përvojë personale të këtyre ditëve. Dua të them para së gjithash që mesazhin këtë vit mesazhin do ta bëjë Monsignor Frendo. Sepse Monsignor Frendo do të jetë ai që do të kremtojë Krishtlindjet. Unë do të bashkëkremtoj me të, pasi përurimi im si Arqipeshkv i Tiranës por në mënyrë zyrtare do të bëhet në datën 22 janar. Por dua t`ju them diçka përsa i përket mesazhit nëse do ta bëja unë. Sidoqoftë edhe unë do të kremtoj në Ditën e Krishtlindjes si kremtoj çdo vit dhe një mesazh përpiqem ta jap. Zakonisht mesazhin që çdo herë përpiqem të jap është mesazh që i përket jetës së atyre që takoj. Pra s`dua të jetë abstrakt. Nëse sot kam takuar Mirën, unë mendoj që Mira më ka frymëzuar për diçka që i përket shoqërisë sonë që nesër kur të flas, të flas duke dëftuar takimin e Zotit nëpërmjet Mirës.

Para dy-tre ditësh teksa po rrëfeja në Kishën e Bathores, në Kishën Shën Gjon Pali II një fëmijë i vogël erdhi dhe u rrëfye. Mua më frymëzoi shumë. Pse? Se tha: Kërkoj ndjesë (dikush mund të na keqkuptojë të thotë, ka thënë mëkatin), ne në dimensionin katolik themi: mëkatin po, mëkatarin jo. Pra nuk përmendet kush është mëkatari, kështu që mund të thuhet mëkati. Edhe tha: Jam ankuar shumë dhe e kam bërë veten shumë viktimë. Por pastaj hyra në vetvete dhe e kuptoja që po gaboja sepse kur pashë Jezusin tek kisha dhe pashë që ai ka vuajtur në kryq për mua, thashë, Sa egoist jam. Çfarë po bëj unë që ankohem kaq shumë përballë dashurisë që më ka dhënë Jezusi dhe ka pranuar të vuajë kaq shumë për mua. Kështu që nganjëherë mesazhet na i japin situatat më të thjeshta të jetës sonë të përditshme.

Mira Kazhani: Çfarë do donit të jepnit mesazh në këto Krishtlindje?

Imzot Arjan Dodaj: Mesazhi i Krishtlindjes me të vërtetë për mua këtë vit është mesazhi i jetës. Dhe jeta ka në vetvete gjithë potencialitetin që neve ndonjëherë nuk kemi aftësinë ose durimin ta vëmë në akt. Ne e dimë shumë mirë që personi është akt dhe potent, potencë dhe akt. Siç fundja fundit është një vepër arti. Përpara ishte në potencë, në idenë e atij artistit, pastaj është shprehur në akt dhe të gjithë do ta admirojnë. Sa bukur është sikur neve të futemi në këtë dimension që Zoti ka dhënë diçka tek ne që na përket neve ta zbulojmë. Ta zbulojmë para së gjithash në vendin tonë, sepse mrekullinë më të madhe Zoti e ka bërë në Shqipëri. Se të ka dhuruar jetën. Mrekullia më e madhe je ti që ke lindur këtu, që jeton këtu. Në këtë vend të bekuar. Mjafton të kthehesh rreth e rrrotull, të shohësh malet, të shohësh detin, të shohësh qiellin, të shohësh diellin që ndoshta shumë shtete të tjera nuk e shohin, do të kuptosh që mrekullia më e madhe je ti. Po zbuloje që je ti. Kjo është drama. Ne nuk presim ta zbulojmë që jemi ne. E kërkojmë mrekullinë tjetërkund.

Mira Kazhani: E vërtetë! Ju jetoni këtu, prindërit jetojnë në Tiranë. I takoni për Krishtlindje? Darkën e Krishtlindjeve do ta keni bashkë apo shkoni vetëm për një vizitë?

Imzot Arjan Dodaj: Ne para së gjithash jemi shqiptarë dhe familjen nuk e duam vetëm për fe, por e duam sepse e kemi në gjak dhe familja është gjëja më e bukur, më e shenjtë. Ndonëse rryma që vijnë nga jashtë Shqipërisë në njëfarë mënyrë duan të na bëjnë të votojmë e mendojmë që familje ka dhe të tjera. Jo, jo, jo. Familja është gjëja më e bukur që Zoti na ka dhuruar. Sepse Zoti na ka bërë së bashku. Na ka dhënë jetën falë një babe dhe një nëne.

Mira Kazhani: Keni motra dhe vëllezër?

Imzot Arjan Dodaj: Po kam dy motra.

Mira Kazhani: Nipër, mbesa?

Imzot Arjan Dodaj: Kam dhe nipër dhe mbesa.

Mira Kazhani: Mblidheni të gjithë për Krishtlindje?

Imzot Arjan Dodaj: Po, sepse festa e Krishtlindjes është festa e familjes.

Mira Kazhani: Çfarë ju thonë ata?

Imzot Arjan Dodaj: Ata janë të lumtur. Unë jam shumë i lumtur, sepse bashkëndajmë me falënderim të Zotit që ka kaluar një vit e ndërsa ka lindur Jezusi dëshirojmë ta kalojmë akoma këtë vit me Jezusin së bashku që rritet dhe ecën në etapat e ekzistencës tonë për t`u rimbledhur pastaj vitin tjetër përsëri.

Mira Kazhani: Ju u bëni dhurata atyre?

Imzot Arjan Dodaj: Në dimensionin që kam unë, dua të them këtë që nuk kam mundësinë materiale që të bëj dhurata, por e shoh që edhe njerëzit sot janë të mbushur me dhurata. Edhe juve nëse do të shihni në shtëpinë tuaj kushedi sa dhurata keni dhe pastaj i falni. Unë zakonisht dhuratat që më bëjnë i fal, i bashkëndaj me njerëz që mendoj që kanë nevojë për atë dhuratë. Mendoj që dhuratën më të mëdha që njerëzit e kërkojnë jo vetëm që e presin nga unë është që t`i shërbej Zotit, që t`ju përcjell lutjen, që t`u kujtoj para Zotit që në njëfarë mënyre unë jam i angazhuar me Zotin, të angazhohem dhe për ata.

Mira Kazhani: Edhe një gjë për tavolinën e Krishtlindjes. Keni një pjatë të preferuar?

Imzot Arjan Dodaj: Mund ta shihni që unë jam njëriu që preferoj të gjitha pjatat. Kështu që falënderoj Zotin që, mami im gatuan dhe shumë mirë, por më beso, është e rrallë që s`më ka pëlqyer diçka.

Mira Kazhani: Po një pjatë nuk do ta thoni?

Imzot Arjan Dodaj: Jo se s`dua ta them.

Mira Kazhani: Po mund të thuash tre, s`është e thënë.

Imzot Arjan Dodaj: Ok, por atëherë do të them diçka. Kur kam ikur në Itali kam zbuluar diçka nga kuzhina e re, një pjatë që më pëlqeu dhe mbeti në memorien e një fëmijë e që më kujton akoma se kam qenë fëmijë është karbonara. Po duhet të ha tashmë pak me kujdes se s`jam si atëherë kur isha pak më i ri dhe dilja më shumë.

Mira Kazhani: Mes Italisë dhe Shqipërisë cilin ushqim preferon më shumë?

Imzot Arjan Dodaj: Shqiptare, sepse gatuaj alla-italianshe, por me bion shqiptarshe. Kuzhinierët shqiptarë që kanë bërë shkollën e tyre në Itali, gatuajnë më mirë në Shqipëri.

Mira Kazhani: Imzot Arjani, ju falënderoj shumë për bisedën. Kjo bisedë ishte një dhuratë për mua personalisht, për grupin që xhiron, por edhe për Tiranapost në Krishtlindje. Më bëre të reflektoj dhe të mendoj që nuk ka nevojë shumë për dhurata materiale dhe në fakt kemi shumë gjëra, dhe nuk e kuptojmë, kërkojmë ende më shumë. Nuk jemi të lumtur, kemi nevojë të jemi pak më të lumtur, po sidomos kemi nevojë të kemi besim.

Imzot Arjan Dodaj: Unë jam shumë i lumtur që vërtet të kuptojmë që në këtë pemë që shohim mbrapa, (tregon nga bredhi i festave) fshihet në fakt një mister i Krishterë, sepse është në fakt pema e jetës dhe me dhuratat që ne i bëjmë njëri-tjetrit duhet të zbulojmë në fakt dhuratat që na ka bërë Zoti duke na dhuruar Birin e Vet. Të jemi dhuratë për njëri-tjetrin. Mos të presim një diçka nga jashtë, që të na japë diçka të lumtur. Ju jeni dhurata më e mirë. Unë jam dhurata më e mirë. Secili nga bashkëpunëtorët tuaj për familjen e vet është dhurata më e mirë.

Mira Kazhani: Faleminderit Imzot Arjan Dodaj! Suksese në misionin tuaj!

Imzot Arjan Dodaj: Faleminderit juve!

Mira Kazhani: Ishte një bisedë e ngrohtë dhe mbi të gjitha takti, eleganca dhe paqja juaj ishte një leksion më vete për të gjithë ne dhe ata që do ta ndjekin këtë intervistë.

Imzot Arjan Dodaj: Dhe unë ju uroj shumë suksese dhe Zoti ju shoqëroftë me bekimin e vet!

Mira Kazhani: Faleminderit!

*Kjo intervistë u mundësua nga ABI BANK. Ndalohet ribotimi pa iu referuar Tiranapost.