Tech

Tesla tërheq nga tregu gjysmë milionë makina elektrike për shkaqe sigurie

Tesla tërheq nga tregu gjysmë milionë makina elektrike për


Kompania amerikane Tesla ka tërhequr nga tregu më shumë se 475 mijë vetura elektrike për të adresuar disa probleme me kamerën prapa veturës dhe bagazhin që shtojnë rrezikun e përplasjes.

Kështu ka thënë Rregullatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë në rrugë, të enjten (30 dhjetor).

Administrata për Sigurinë e Trafikut në Autostradat Kombëtare (NHTSA) ka diskutuar edhe një çështje tjetër të kamerave me prodhuesin e veturave, duke hetuar edhe sistemit e asistencës në vozitje të kësaj kompanie.


Vitet e prodhimit te veturat që do të tërhiqen nga tregu janë nga 2014 deri më 2021.

Rreth 200 mijë Tesla brenda këtij numri do të tërhiqen në Kinë, sipas njoftimit të rregullatorit të tregut në këtë shtet.

Në anën tjetër, kompania po tërheq mbi 365 mijë vetura të Modelit 3, të viteve 2017-2020 për të adresuar problemet me kamerë, si dhe mbi 119 vetura të Modelit S për shkak të problemeve në pjesën e përparme të veturës, tha rregullatori i SHBA-së.


“Për veturat e Modelit 3, kabllo e kamerës së pasme mund të dëmtohet nga hapja dhe mbyllja e kapakut të bagazhit, duke parandaluar shfaqjen e imazhit të kamerës së pasme”, tha NHTSA.

Tesla identifikoi 2,301 kërkesa për riparime sipas garancionit dhe 601 raporte në terren në lidhje me këtë çështje brenda SHBA-së.

Për automjetet Model S, problemet me mbylljen mund të çojnë në hapjen e bagazhit të përparmë “pa paralajmërim dhe të pengojnë dukshmërinë e shoferit, duke rritur rrezikun e një përplasjeje”, tha Tesla.

Tesla tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë aksidenti, lëndimi ose vdekjeje në lidhje me çështjet e cituara në tërheqjen e makinave Model 3 dhe Model S, sipas NHTSA.

Aksionet e Teslas ranë deri në 3 për qind në mëngjes, por u rikuperuan. Prodhuesi i automjeteve pritet të raportojë rekord për furnizime tremujore të automjeteve që të shtunën.

Rregullatori i tregut të Kinës tha se Tesla do të tërheqë afër 200,000 automjete në vend, duke përfshirë 19,697 Modele S të importuara, 35,836 Modele 3 të importuara dhe 144,208 Modele 3 të prodhuara në Kinë.

Tesla po i tërheq këto makina elektrike të prodhuara nga viti 2015 deri në 2020 për shkak të rreziqeve të mundshme të sigurisë si hapja e papritur e kapakut të bagazhit gjatë lëvizjes, sipas një postimi në faqen e internetit të Administratës Shtetërore për Rregullimin e Tregut.

Këtë muaj, NHTSA tha se po fliste me Tesla-n për problemet e kamerës së pamjes anësore në disa automjete.

NHTSA ka hetuar 580,000 automjete Tesla mbi vendimin e prodhuesit të automjeteve për të lejuar që lojërat të luhen në ekranet e makinave ndërsa ato janë në lëvizje.

Tesla ka rënë dakord më pas të heqë veçori të tilla të lojërave ndërsa makinat e saj janë në lëvizje, sipas NHTSA.

Nën presionin e NHTSA, Tesla në shkurt ra dakord të tërheqë 135,000 automjete me ekrane me prekje që mund të dështojnë dhe të rrisin rrezikun e një aksidenti.

Në gusht, NHTSA hapi një hetim zyrtar të sigurisë në sistemin e asistencës së shoferit të Tesla Inc Autopilot pas një serie përplasjesh që përfshinin modele Tesla dhe automjete emergjente.

*Artikull i REL