Tech

Dështimet më të mëdha teknologjike të vitit 2021

Dështimet më të mëdha teknologjike të vitit 2021

Për shumë njerëz 2021-shi ishte një përzierje midis shpresave dhe sfidave, pasi vaksinat kundër Covid u bënë më të disponueshme, por pandemia zgjati edhe për një vit tjetër. Dhe ndërsa teknologjia vazhdoi të argëtonte dhe të na mbante të lidhur me njëri-tjetrin gjatë pandemisë, në disa raste ajo na e bëri jetën më të vështirë.

Kjo pasi ka pasur disa raste kur teknologjia dështoi ose nuk funksionoi plotësisht, nga ndërprerjet e mëdha të internetit deri tek dëmshme kibernetike. Ja cila është lista e “CNN Business”, me disa nga dështimet teknologjike më të bujshme të vitit që po lëmë pas:

“Facebook” dhe “LinkedIn”, përjetuan rrjedhje masive të të dhënave konfidenciale

Në prill 2021 ekspertët e sigurisë kibernetike raportuan se informacioni personal i mbi gjysmë miliardë përdoruesve të “Facebook”, përfshirë numrat e telefonit, ditëlindjet dhe adresat e e-mailit, ishin postuar në një faqe interneti të përdorur nga hakerat.

“Facebook” tha në atë kohë se të njëjtat të dhëna ishin raportuar më parë si të fshira nga profilet e njerëzve nga “aktorë dashakeq” në vitin 2019, dhe problemi u rregullua po atë vit. Por incidenti i ri tregoi edhe një herë se sa të cënueshme mund të jenë nga “aktorët dashakeq”kompanitë që mbledhin sasi të shumta personale.

Po në muajin prill, “LinkedIn” konfirmoi se të dhënat e rreth 500 milionë profileve të përdoruesve të tij ishin ofruar për shitje në një faqe interneti të frekuentuar nga hakerat.

Por në atë kohë kompania tha se baza e të dhënave të nxjerra në shitje ishte “në fakt një grumbullim i të dhënave nga një numër faqesh interneti dhe kompanish”, dhe se kjo “nuk përbënte një vjedhje të të dhënave të LinkedIn”.

Aplikacioni i kompanisë“Citizen”, identifikoi gabimisht një zjarrvënës të dyshuar

Në maj 2021 kompania “Citizen”, ku qytetarët mund të dërgojnë përmes një aplikacioni alarme për krimet që ndodhin në kohë reale, ofroi një shpërblim prej 30.000 dollarësh për të ndihmuar në zbulimin e autorit të një zjarri të madh në një zonë pyjore në Los Anxhelos.

Këshillat,përfshirë fotone një burri të postuar në aplikacion, e nxitën policinë të arrestonte një të dyshuar. Por kishte një problem shumë të madh:rezultoi se ai ishte identifikuar gabim. Kompania kishte përdorur një produkt të ri në aplikacionin e saj të quajtur “OnAir” për të transmetuar informacionin rreth të dyshuarit, por tha se nuk kishte ndjekur protokollet e veta të verifikimit përpara se të qarkullonte informacionin.

Sulmet kibernetike u bënë një problem i madh

Këtë vit u shtuan ndjeshëm sulmet kibernetike që synojnë zhvatjen. Këtë herë ato shënjestruan veçanërisht bizneset dhe infrastrukturën kritike. Një sulm i madh në maj,nxori në pah cënueshmërinë e infrastrukturës amerikane ndaj krimeve të tilla.

Gazsjellësi Kolonial, një nga tubacionet më të mëdha në SHBA, u detyrua të ndërpriste punën kur rrjeti i tij u godit nga një sulm kibernetik, që me sa duket u bë i mundur nga disa hakera që kishin akses në një fjalëkalim të komprometuar.

Më vonë drejtuesi i gazsjellësit e pranoi se kishte paguar 4.4 milionë dollarë si shpërblim për të rikthyer në punën objektin. Në qershor, hetuesit amerikanë në Departamentin e Drejtësisë thanë se rikuperuan 2.3 milionë dollarë në kriptomonedha të paguara ndaj hakerave që qëndronin pas sulmit të Gazsjellësit Kolonial.

Dy ndërprerje (të shkurta) nxorën jashtë loje pjesën më të madhe të internetit

Ndodhën2 herë në më pak se 2 javë. Pjesë të mëdha të internetit u shkatërruan për shkak të problemeve tek kompanitë e teknologjisë së informacionit, për të cilat shumica e njerëzve as që kanë dëgjuar kurrë. Ndërprerjet u zbuluan shpejt dhe ishin të shkurtra në kohë.

Por ato 2 episode treguan se sa të varur jemi nga interneti dhe sa i pasigurt mund të jetë ai. Në fillim, më 8 qershor, miliona faqe interneti, duke përfshirë Reddit, CNN, Amazon u ngadalësuan për shkak të një ndërprerjeje në rrjetin e shpërndarjes së përmbajtjes “Fastly”. Më pas, më 17 qershor, një problem tek një kompani të ngjashme, “Akamai Technologies”, goditi faqet e internetit, përfshirë edhe ato që i përkisnin “Southwest Airlines”, “United Airlines”, “Commonwealth Bank of Australia” dhe Bursës së Hong Kongut.

Por këto nuk ishin të vetmet dështime të mëdha të internetit këtë vit:Në dhjetor, shërbimi i “iCloud” iAmazon pësoi 3 ndërprerje që shkaktuan probleme serioze për “Disney+”, “Slack”, “Netflix”etj. Kjo avari ndërpreu operacionet logjistike të “Amazon” gjatë sezonit shumë të rëndësishëm të festave.

Një ditë e tmerrshme për “Facebook”

E hëna e 4 tetorit 2021 ishte e tmerrshme për kompaninë që së shpejti do të merrte emrin e ri “Meta”.Një natë më parë, dekonspiruesja e sekreteve të “Facebook” Fresis Hogen zbuloi identitetin e saj në një intervistë për emisionin “60 Minutes”.

Hogen pretendoi se kompania e Zukerberg e dinte se si rrjetet e saj sociale përdoreshin për të përhapur keq-informime, gjuhën e urrejtjes dhe dhunë. Më pas, të hënën, një defekt i rëndë mbylli për disa orë“Facebook”, “WhatsApp” dhe “Instagram”, për të cilën kompania fajësoi “ndryshimet në konfigurim”. Aksionet e saj ranë ndjeshëm.

Makinat “vetëdrejtuese” të Teslas i trembin shoferët

Kreu ekzekutiv i “Tesla”, Elon Musk, ka promovuar prej kohësh softuerin “vetë-drejtim i plotë“ të kompanisë që prodhon makinat elektrike. Por ky lloj automjeti nuk është ende plotësisht autonom. Përkundrazi, shoferët duhet të rrinë vigjilentë në timon në rast se duhet të marrin përsipër drejtimin e mjetit.

Për më tepër, vetëm një numër i vogël drejtuesish të makinës “Tesla” kanë qenë në gjendje ta provojnë deri më sot, përfshirë një grup klientësh që kanë paguar nga 10.000 dollarë secili për të pasur qasje në versionin “beta” të këtij sistemi.

*Ky artikull u postua nga Bota.al dhe u rishpërnda nga Tiranapost.al