CEO i TikTok do të dëshmojë para Kongresit amerikan në mars

CEO i TikTok, Shou Zi Chew do të dëshmojë përpara Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë së Dhomës së Përfaqësuesve në seancën dëgjimore të planifikuar për më 23 mars.
Ai pritet të dëshmojë mbi privatësinë dhe praktikat e sigurisë së të dhënave të TikTok, ndikimin e tij tek përdoruesit e rinj dhe marrëdhënien me Partinë Komuniste Kineze.
“Ne i kemi bërë të qarta shqetësimet tona ndaj TikTok, - tha kryetarja e Komitetit, Cathy McMorris Rodgers, në një deklaratë, - tani është koha për të ofruar përgjigje të plota dhe të ndershme për njerëzit”.
Seanca dëgjimore e profilit të lartë nënvizon rrezikun politik në rritje për TikTok ndërsa negociatat e tij me qeverinë amerikane për një marrëveshje të sigurisë kombëtare vazhdojnë të zvarriten.
Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime se Kina mund të përdorë ligjet e saj për të ushtruar presion ndaj TikTok për të dorëzuar të dhënat e përdoruesve amerikanë. Këto shqetësime kanë shtyrë qeverinë amerikane të ndalojë TikTok nga pajisjet zyrtare dhe më shumë se gjysma e shteteve amerikane kanë marrë masa të ngjashme.