Tech

A do ta rindërtojmë ndonjëherë trurin në një kompjuter?

A do ta rindërtojmë ndonjëherë trurin në një

Dr Lisa Feldman-Barrett

Njerëzit shpesh e përshkruajnë trurin si një kompjuter, sikur neuronet janë harduer dhe mendja është softuer. Por kjo metaforë është thellësisht e gabuar.

Një kompjuter është ndërtuar nga pjesë statike, ndërsa truri juaj vazhdimisht rilidh veten ndërsa plakeni dhe mësoni. Një kompjuter ruan informacionin në skedarë që merren saktësisht, por truri nuk ruan informacion në asnjë kuptim të mirëfilltë. Kujtesa juaj është një ndërtim i vazhdueshëm i pulseve elektrike dhe kimikateve, e njëjta kujtesë mund të rimontohet në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme.

Truri gjithashtu bën diçka kritike që kompjuterët sot nuk mund ta bëjnë. Një kompjuter mund të trajnohet me mijëra fotografi për të njohur një luleradhiqe si një bimë me gjethe jeshile dhe petale të verdha. Sidoqoftë, ju mund të shikoni një luleradhiqe dhe të kuptoni se në situata të ndryshme, ajo u përket kategorive të ndryshme. Një luleradhiqe në kopshtin tuaj të perimeve është një nga barërat e këqija, por në një tufë lulesh nga fëmija juaj, është dhuratë e lezetshme. Një luleradhiqe në sallatë është ushqim, por njerëzit i konsumojnë luleradhiqet edhe si ilaç bimor.

Me fjalë të tjera, truri juaj pa sforcim i kategorizon objektet sipas funksionit të tyre, jo vetëm sipas formës së tyre fizike. Disa shkencëtarë besojnë se kjo aftësi e pabesueshme e trurit, e quajtur ndërtimi i kategorisë ad-hoc, mund të jetë thelbësore për mënyrën se si funksionon truri.

Gjithashtu, ndryshe nga një kompjuter, truri juaj nuk është një grup pjesësh në një kuti bosh. Truri juaj banon në një trup, një rrjet kompleks sistemesh që përfshijnë mbi 600 muskuj në lëvizje, organe të brendshme, një zemër që pompon 7500 litra gjak në ditë dhe dhjetëra hormone dhe kimikate të tjera, të cilat duhet të koordinohen vazhdimisht, për të tretur ushqimin, për të nxjerrë toksinat, për të siguruar energji dhe për të luftuar sëmundjet.

Puna më e rëndësishme e trurit tuaj është të rregullojë sistemet e trupit në mënyrë që të qëndroni gjallë dhe ndoshta edhe të lulëzoni. Kjo është ndoshta një arsyeja kryesore pse truri evoluoi në radhë të parë.

Truri ka nevojë për një trup

Kontrolli i trurit mbi trupin tuaj është në thelb të aktivitetit tuaj mendor. Çdo mendim që keni pasur ndonjëherë, çdo koncept që keni mësuar, çdo emocion që keni përjetuar dhe gjithçka që keni parë, dëgjuar, nuhatur, shijuar apo prekur përfshin të dhëna për gjendjen e trupit tuaj. Ju nuk e përjetoni jetën tuaj mendore në këtë mënyrë, por kjo është ajo që po ndodh ‘nën kapuç’.

Nëse duam një kompjuter që mendon, ndjen, sheh ose vepron si ne, duhet të rregullohet një trup ose diçka e ngjashme me një trup, me një sistem kompleks që duhet të mbajë një ekuilibër për të vazhduar funksionimin dhe me ndjesi për ta mbajtur atë rregullim në kontroll.

Kompjuterët e sotëm nuk funksionojnë në këtë mënyrë, por ndoshta disa inxhinierë mund të sigurojnë diçka që është e mjaftueshme për ta arritur

Tani për tani, "truri si kompjuter" mbetet vetëm një metaforë. Metaforat mund të jenë të mira për të shpjeguar tema komplekse në terma të thjeshta, por ato dështojnë kur njerëzit e trajtojnë metaforën si një shpjegim. Metaforat ofrojnë iluzionin e dijes.

Tiranapost.al.Z.B