Zoti Noel dhe dy kuleta me stilolapsa ose mësimet para se të fillojë shkolla

Nga Manjola Lloja Bushati/Një peshk me vija, me ngjyra aspak të zakonshme, në një fletë të bardhë, ishte një ditë në murin e dhomës së vajzës sime.
-Kush është ky? -pyeta unë.
-Ku e ke parë këtë në libër a në youtube?
-E gjeta te mendja-më tha 7 vjeçarja ime.
Peshku kishte hyrë te xhepi i pantallonave kur një fëmijë u la në pishinë me rroba se kishte harruar kostumin e banjës. Ishte me ngjyra se ngaqe u lagën pantallonat, ngjyrat e tij iu ngjitën në luspa...kurse emri Noel...epo ashtu quhet një shok i motrës, pse mos quhej kështu edhe peshku i mendjes? :)
M'i tha këto si për të më kujtuar që në fakt pyetja ime duhet të ishte: - Si e krijove këtë, nga të erdhi ky frymëzim? Pse mendova që
thjesht kishte kopjuar diçka të gatshme, të parë diku?!
Pastaj vijuam me blerjet e fillim vitit shkollor.
Ime bijë më dha mësimin e dytë.Kërkoi të kishte dy kuleta me lapsa. E kur unë nisa teoritë e mia, jo po një, pse dy...si ajo loja e kungulleshkave jo fort me kuptim nga fëmijëria ime, arsyeja e vajzës sërish më la të habitur.
Kuleta e dytë me lapsa, i duhej për ndonjë nga shokët a shoqet e klasës që mund ta harronin, e ajo do t'i ndihmonte që mos mbeteshin pa punuar në klasë. Empatia e saj më la pa fjalë.
Kështu që teksa mendoja që shkrimin e kësaj jave t'ia kushtoja nisjes së shkollës, dy episodet e mësipërme ia morën vendin çdo mendimi prej të rrituri që doja të hidhja në këtë shënim.
Ju lutem shumë, mësuesve e prindërve, mes detyrave, librave, fletëve të punës...ejani të mbështesim imagjinatën e fëmijëve tanë. Po sikur mos t'iu japim më detyra për zgjidhjen e të cilave do mendojë chatgpt, apo puna mekanike merr e "copy/paste" në fletë A4 që askush s'lexon?
Po sikur mes detyrimeve të programit të gjejmë ca hapësira që i lejojnë ata të shprehin fantazinë? Po sikur orët e vizatimit të mos i mbushim me teste matematike? Po sikur një orë diturie natyre të jetë në fakt një eskursion në pyll? A mundet që biseda letrare të kthehet në një dramatizim të vogël, e jo rishkrirm mekanik i përmbajtjes?
Veç të mira do të kemi prej kësaj. Fëmijët do të mësojnë të shprehen lirshmëm, me fjalorin e tyre, me mënyrën e tyre të kuptuarit të botës, të krijojnë ide të reja, të gjejnë zgjidhje për sfidat e t'i mësojnë këto ndërkohë që argëtohen. A mund të bëhemi bashkë që shkolla të mos jetë e mërzitshme e nxënësit të motivohen për të dhënë më të mirën e tyre?
E këtu vijmë te mësimi i dytë, ose te pika ku imagjinata e empatia bëhen bashkë.
Duke e vënë veten në vendin e tjetrit, kurluajnë role, krijojnë histori ose imagjinojnë situata të ndryshme, fëmijët arrijnë të provojnë ndjesi dhe emocione të ndryshme nga ato që përjetojnë vetë.
Kështu me imagjinatë ata munden të kuptojnë më mirë ndjenjat, mendimet dhe perspektivat e të tjerëve. Fëmijët do të mësojnë të tregojnë kujdes, dhembshuri dhe ndjeshmëri. Fëmijët kanë domosdoshmëri të bëhen empatikë, shoqëria jonë ka nevojë për njerëzoren.
Gjithçka nis në familje, sigurisht, por shkolla mundet me pasë një rol të pazëvendësueshëm në këtë drejtim. Koha filloi!