Të vërtetat e thjeshta

Tregoje forcën tënde! Dorëzohu!

Tregoje forcën tënde! Dorëzohu!

Pak ditë më parë takova një student që është shpërngulur nga Shkodra në një qytet të madh në Itali për të studiuar, por që ndjen se nuk është në vendin e duhur. Ai nuk është i lumtur me degën që ka zgjedhur dhe çdo ditë ndihet më i huaj. Por ai ka frikë të tregojë këtë. Ka frikë se do zhgënjejë prindërit e tij, që kishin shpresuar se ai do të bënte diçka tjetër. Ai ndihet keq për besimin e tyre, edhe për paratë e shpenzuara, edhe për gjithë miqtë e të afërmit që do e shohin si dështak nëse kthehet.

“Mos u dorëzo!”

"Qëndro i fortë!”

“Puno fort dhe do arrish!”

Sa herë e kemi dëgjuar vetë këtë refren? Sa herë ua themi fëmijëve?

Si biseda këshilluese, si kritika a edhe si thënie të zgjuara në një sfond me ngjyrë në çdo cep të botës digjitale ku jetojmë...

Ne iu përsërisim fëmijëve e të rinjve që forcë do të thotë të qëndrosh dhe të mos heqësh dorë, të mos ndryshosh drejtim dhe të vazhdosh pa u ndalur.

Por a thua është gjithmonë kështu?

Vajza e një mikeshës sime ndjek kurse baleti që e vogël. Tani, teksa pritshmëritë janë që ajo të ndjekë këtë rrugë, zemra e saj i rreh për të marrë pjesë në sfilata mode.... A duhet të vazhdojë të bëjë balet, edhe pse nuk e ndjen më se është pasioni i saj? A është ajo e dobët nëse zgjedh të ndryshojë rrugën dhe të ndjekë një pasion të ri?

Po psh një djalë që ndjek futbollin që në fëmijëri, jo sepse ka dashur gjithmonë të bëhej futbollist, por sepse babai i tij e ëndërronte këtë. Si 16 vjeçar ai përballet me realitetin e një jete që nuk e frymëzon dhe ndjen presionin që të vazhdojë këtë

rrugë, edhe pse ai vetë nuk është i sigurt nëse është e vërtetë ajo që ai dëshiron. A duhet të lejojë të atin të projektojë ëndrrat e veta tek jeta e të birit, apo të mendojë për ëndrrat e atij vetë?

Në një botë ku gjithçka ndryshon kaq shpejt, kur realiteti i jetës është një rreth i pandërprerë i mundësive, të ndalosh dhe të pyesësh veten: “A është kjo ajo që dua tani?” a mund të jetë gabim?

E pra, unë them (jo veç këtu, sot, por sa herë më jepet mundësia) se të ndalosh e të ndryshoah drejtim mund të jetë një nga veprimet më të fuqishme që mund të bësh.

Kjo do të thotë t'i dorëzohesh vetes.

Të pranojmë që ajo që kemi ndjekur deri tani nuk është më për ne, nuk është një shenjë dështimi. Përkundrazi, është një akt i guximit.

Të dorëzohemi nuk është gjithmonë të heqim dorë nga diçka përfundimisht, mund të jetë thjesht të dëgjojmë veten. Ta marrim me qetësi, duke minimizuar rëndësinë e peshën e opinioneve të të tjerëve, qofshin ata edhe njerëzit më të rëndësishëm të jetës sonë.

Ne duhet t'jua tregojmë fëmijëve tanë këtë. Duhet t'iu themi atyre se të jetosh sipas pritshmërive të të tjerëve mund të të mbushë me dyshime dhe zhgënjim.

Padyshim që duhet t'iu mësojmë se si të qëndrojnë të fortë në një rrugë të zgjedhur.

Por jemi po ne që duhet t'iu tregojmë se nganjëherë është mirë të ndalojnë, të ndryshojnë mendim, të zgjedhin një drejtim tjetër. Dorëzimi mund të jetë forca për t'u bërë më të vërtetë, më të lirë dhe më me besim te vetja. E përveç se fëmijëve, mbase është mirë që këtë t'ia themi edhe vetes!