Ti (s')je prindëresha e lumtur

Nga Manjola Lloja Bushati/ Një vajzë e vogël ishte mërzitur teksa mami nuk po i plotësonte një tekë...e mes shprehjes së inatit tha: Unë jam një mbretëreshë shumë e mërzitur edhe me nerva...
Mami tentoi t'i përgjigjej njëlloj: Edhe unë jam një mbretëreshë e mërzitur...
Por pa mbaruar fjalinë, vajza e vogël ia ktheu: Jo, ti je prindëresha e lumtur!
Përtej buzagazit që sjell kjo shprehje, a duhet në fakt që ne prindërit të tregojmë para fëmijëve veç anën tonë të qetë, harenë tonë, zgjidhjen për çdo gjë?
Padiskutim që ne të rriturit duhet të jemi të ndërgjegjshëm që para fëmijëve të mos " zbrazim " tensionet, pasiguritë, streset e përditshmërisë, sepse do t'i dëmtonim shumê ata. Nga ana tjetër, duhet të
kujtojmë vetë e t'ia bëjmë të qartë edhe fëmijëve, ne jemi njerëz e si të tillë kemi apo kemi patur dyshimet, frikërat, pasiguritë tona.
Jemi dy javë para se të fillojë viti i ri shkollor, për shumicên e fëmijëve në vendin tonë. Shumë vogëlushë që nisin këtë rrugëtim, por edhe adoleshentêt e klasave më të rritura, me shumë mundësi kanë mendime të dyzuara, frikëra, ,emocione të paqarta për atë që i pret. Kjo më duket se mund të jetê një periudhë e e mirë, për t'iu gjendur pranë atyre, e për t'i treguar dyshimet që edhe ne vetë kemi patur. Është me shumë vlerë që të ndajmë me fëmijët momentet e vështira apo kohët kur kemi patur dilema.
Kêshtu, së pari e ndihmojmë ndërtimin e një marrëdhënieje të ndershme dhe të shëndetshme. Fëmijë kupton që edhe
prindi nuk është gjithmonë i sigurt ose i fortë, se mami e babi janë njerëz...e dobësia dhe pasiguria janë pjesë normale të jetës .
Le ta shfrytëzojmë këtë periudhë pushimesh a më shumë kohe të lirë me ta për t'i ndihmuar të kuptojnë që nuk ka asgjë të keqe në të ndierit keq apo në pasjen e pikëpyetjeve. Tregojini fëmijëve histori nga jeta juaj, por ju lutem shumë, le të heqim dorë nga ato me prindër që si fëmijë ishin perfekt.. të sjellshëm, të dëgjueshëm, nga ata që bëhen qesharakë duke dashur të duken sakrifikues e heronj të rinisë së tyre me çdo kusht.
Të gjithë kemi gabuar, kemi thënë një gënjeshtër, kemi patur inat një mësues, kemi kopjuar diçka...kemi menduar gjatë për një shok, për një eskursion...për një model flokësh që ishte qesharak, për një
veshje të bukur që s'e kishim dot, për një provim ku s'kishim mësuar...
Por jo vetëm si fëmijë a nxënës. Ne si prindër, edhe tashmë të rritur nuk duhet të dukemi gjithmonë të përsosur. Iluzioni i prefeksionit, i prindit hero shpesh krijon distancë dhe presion.
Përpjekjet tona për të kaluar sfida apo për të marrë vendime të vështira, kur ia tregojmë fëmijëve, i japin atyre mësimin se forca e vërtetë nuk qëndron në mungesën e problemeve, por në guximin për t’i përballuar ato.
Besimi mes nesh e fëmijëve do të rritet e të vegjlit tanë do të mësojnë të jenë më të hapur ndaj vështirësive që hasin. Edhe për t'i komunikuar në familje, ku me gjasë, mundet të gjejnë shpesh mbështetësit e mirëkuptuesit më të mëdhenj.
A je ti prindëresha e lumtur?
Po, jo se nuk kam asnjëherë dyshime, nerva a frikë, por sepse kam një fëmijë si ti, me të cilin mund të flasim çdo gjë!