Të (mos) luash për barazim

Kam qenë jo më shumë se 14 vjeçe kur m'u dha mundësia e jashtëzakonshme për kohën, që të luaja me trupën profesioniste të Teatrit "Migjeni". Të ndaja skenën me personalitete të artit shqiptar si Tinka Kurti, Bep Shiroka e plot të tjerë mbetet padiskutim një përvojë që ka shënjuar jetën time. Por sot dua të ndaj me ju një nga shprehjet që realisht ndihmoi në formimin tim profesional e jo vetëm.

Regjisori që edhe kishte dramatizuar romanin " Pse" nga Sterio Spasse, ishte Serafin Fanko. Kush e njeh artin shqiptar, e di mirë çfarë përfaqëson ky emër. E pra një vajze 14 vjeçare si unë , e ndrojtur nga pesha e rolit dhe përvojës, ky mjeshtër i dha një këshillë që pak a shumë mund ta perifrazoj kështu:
"Zemra ime, mendoje veten si një pemë, nxirri të gjitha degët, çeli të gjitha lulet, provo çdo gjë që mendja e zemra ta thotë që mund të duhet me e shprehë Afërditën, (personazhin që luaja). Çdo gjë që mund të duhet me e krasitë, e heq unë. Të them unë çfarë nuk na shërben për shfaqjen, se prandaj jam këtu. Po ndoshta ti ke me më tregu diçka që mua s'më ka shkuar mendja, e kështu të dy bashkë do ta bëjmë rolin më të vërtetë."
Atëherë ky leksion jete, vlejti vërtet për shfaqjen. Më pas, e sot përditë, unë e kam kthy në një bisedë që bëj me çdo fëmijë a të ri që jeta e përditshme e profesioni më vë përballë. Jo rrallë veç në një sesion trajnimi a workshop-i me ta, vërej se më duhet të flas 1 orë, për t'i bindur, për t'i dhënë besim e për t'i nxitur të thonë si e mendojnë vërtet. Nganjëherë e gjej veten duke e "tepruar" me shembuj, batuta, ngacmime... sepse dua t'ju jap guxim e besim të vegjëlve e të rinjve, që të shprehin opinionin e tyre. 30 minutat e fundit të takimeve tona, janë ato që s'do të doja të mbaronin kurrë. Fjalitë e pjesmarrësve fillojnë duke thënë: Unë mendoj...unë ndjej se...asgjë s'më bën më të lumtur se kjo.
Mirëpo në fakt, më takon shpesh të vëzhgoj prindër e mësues, edukatorë a thjesht të rritur që po bëjnë të kundërtën. Shpesh me bindjen se ashtu po i mbrojnë fëmijët e tyre.
"Mos u lodh shumë, ...përpiqu me gjetë rrugën e thjeshtë, ...edhe ti si të tjerët...kush e tha këtë...mos e ndërliko mendimin....a ke parë dikë tjetër që bën si ti?,..." Mund të vazhdoj gjatë kështu, me një varg pengesash në mendimin, shprehjen, sjelljen, veprimet e fëmijëve tanë. Një ftesë për t'u zvogëluar, ndrydhur, ngushtuar...kur në fakt ata janë në moshën kur duhet të bëjnë saktësisht të kundërtën.
Nganjëherë nga frika që të mos vuajnë, apo edhe nga frikërat tona kaluar në moshën e tyre, nga padija apo nga mungesa e vëmendjes për të njohur thellësisht fëmijë tanë, nga kujdesi i tepërt ...ne po i shtyjmë ata të "luajnë për barazim". Ne mbase jemi lodhur, po kërkojmë rehatinë, gjërat e sigurta, rutinën. Por ata...ata nuk kanë nevojë për asnjë nga këto "garanci". Ata duhet të bëjnë "ndeshjen" e tyre me të gjitha mënyrat, me të gjitha format, me të gjitha forcat. Ne duhet t'ju japim atyre mbështetjen, hapësirën e besimin që të lulëzojnë në çdo drejtim, të përballen me çdo sfidë, të përpiqen të fitojnë.
Ne thjesht duhet të jemi " kopshtarët" e kujdesshëm, me njohuritë e duhura, guximin dhe qetësinë për të "krasitur" degët që rriten, që të marrin zhvillimin e duhur. E t'i lëmë të rriten, ashtu si duan, ashtu si dinë, ashtu siç e ndiejnë.