
Kjo është jo thjesht këshilla ime për këtë shënim. Është gati-gati lutje. E nuk e kam fjalën të fikim televizorët si një gjest simbolik. Na duhet ta bëjmë këtë si vendim prindëror.
Në Shqipëri, televizioni nuk është më thjesht informim a argëtim. Është sfond i përhershëm, një zë që nuk pushon. Prania e tij hyn në shtëpi pa pyetur nëse ka një fëmijë përballë. E për mendimin tim, këtu nis problemi.Kanalet tona televizive nuk kanë më orare, as filtra. Nuk kanë më ndarje të qarta mes asaj që është për të rritur dhe asaj që është për fëmijë. Në çdo moment të ditës mund të kalosh nga një emision mëngjesi në një debat të ashpër politik, nga një kronikë e zezë në një reality show, nga një histori dhune në një spektakël banal.
Spektaklet e ashtuquajtura për fëmijë janë thjesht veç me fëmijë, që shpesh nga protagonistë bëhen “gjetje” për të nxjerrë në pah sërish modelin e politikanit, artistit, VIP-it të radhës që shoqëria jonë i prodhon pa hesap. E megjithatë edhe këto spektakle janë gjithnjë të pakta. Ka edhe një përpjekje nga RTSH. Ndjesë sinqeritetin, më shumë duket se kanalet për fëmijë aty janë një rudiment që vijojnë të përsërisin të njëjtat filma, koncerte e programe. Nuk ka prodhime të reja që i qasen kërkesave, nevojave e shijeve të fëmijëve tanë në 2026. Edhe nëse ka ndonjë që më ka shpëtuar, epo nuk po i bëhet fare marketing i duhur, po të mendosh që më ka shpëtuar mua që e ndjek çdo ditë këtë fushë…Më vjen kaq keq ta them, që ky nuk është perceptim i imi i thjeshtë, por është realitet mediatik shqiptar.Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, prej vitesh thekson në raportet e tij nevojën për respektimin e fashave orare dhe mbrojtjen e të miturve. Por në praktikë, kontrolli është i dobët dhe kufijtë janë bërë thuajse të padukshëm.
Ndërkohë, sipas INSTAT, fëmijët shqiptarë kalojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës përpara ekranit, natyrisht jo duke ndjekur programe për ta, por duke qenë të ekspozuar ndaj gjithçkaje që kalon aty. Po çfarë na thotë shkenca për këtë?
American Academy of Pediatrics paralajmëron qartë: përmbajtja e papërshtatshme dhe ekspozimi i pakontrolluar ndaj mediave lidhen me rritje të ankthit, vështirësi në përqendrim dhe sjellje imituese tek fëmijët. Fëmijët nuk e filtrojnë realitetin. Ata e përthithin atë dhe e marrin si një sjellje që duhet ta bëjnë të tyren.Dhuna bëhet e zakonshme në ekran e kështu ajo e humbet peshën e saj në mendjen e një fëmije. Gjuha e rëndë bëhet normë, e ajo imitohet. Kur gjithçka është spektakël, edhe jeta reale fillon të duket e pamjaftueshme.Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) shkon më tej: truri i fëmijëve është në zhvillim dhe ndikohet drejtpërdrejt nga stimulimi i vazhdueshëm dhe i pakontrolluar. Përmbajtjet me ritëm të lartë, tension dhe konflikt krijojnë një lloj “varësie nga stimuli”, duke e bërë realitetin e përditshëm të duket i mërzitshëm dhe i ngadaltë.Paralelisht me hapjen e televizorit sa zgjohemi nga gjumi, e fikjen e tij si akti i fundit që shpërndan familjen, ne mund edhe të pyesim veten pse fëmijët nuk përqendrohen.
E vijojmë edhe më tej: çfarë janë ky brez kështu, më shpejt mërziten e reagojnë me nervozizëm sesa të thonë “a u lodhe”…(!) Epo, ndoshta edhe sepse janë rritur me një televizor që nuk fiket kurrë. Ndaj ndoshta është mirë të kemi parasysh se problemi i vërtetë nuk është vetëm teknologjia në dorën e fëmijës. Është ekrani që rri ndezur në shtëpi, edhe kur askush nuk po e sheh realisht. Një sfond që flet për krim, për konflikt, për skandal, për gjithçka që nuk është për një mendje në zhvillim.
Ne i kemi lënë ekranit autorizimin e pashkruar që të edukojë e ndikojë në sjelljen e fëmijëve tanë. Më mirëkuptoni, kjo nuk është thirrje kundër televizionit. Unë e dua shumë ekranin, e kam provuar për herë të parë kur isha thjesht fëmijë e kam qenë pjesë e tij për dhjetëra vite, gjithmonë me programet për fëmijë. Por tashmë nuk kemi vëmendje për programe kushtuar fëmijëve, as fonde e nganjëherë as kureshtjen për të dëgjuar dikë që do të donte të prodhonte diçka që fëmijët vërtet mund ta duan e mund t’iu shërbejë. Ndaj thirrja ime është për kontroll nga të rriturit.Le ta fikim televizorin kur nuk po e ndjekim, e të mos e lëmë të jetë zëri kryesor i shtëpisë sonë. Na duhet të zgjedhim çfarë të hyjë në mendjen e fëmijës sonë.
Edukimi nuk është vetëm çfarë iu mësojmë në familje a shkollë, është edhe ky mjet që qëndron i ndezur në sfond, çdo ditë.