Sociologjia e muzikës! Vol 3, Letskillua

Nga Manjola Lloja Bushati/ Muzika për mua është shumë e rëndësishme. Dëgjoj shumë, gjithë kohën, e sa më shumë kam dëgjuar, aq më shumë jam bindur se është fare naive ta ndash atë në të mirë e në të keqe. Në vështrimin tim, gjithmonë ka shumë më tepër rëndësi ajo që vjen pas argëtimit, ajo që muzika kërkon të thotë për kohën, për shoqërinë, për njerëzit. Si me shumë fusha të tjera të zhvillimit njerëzor, edhe me muzikën ndodh e njëjta gjë: brezat më të rritur e gjykojnë para se ta kuptojnë muzikën e të rinjve. Kjo ka ndodhur me rock-un, me hip hop-in, me repin, dhe sot po ndodh me trap-in shqiptar. Shumë njerëz e dëgjojnë vetëm zhurmën: beat-in agresiv, fjalët e ashpra, obsesionin me paranë, arrogancën. Por muzika rrallëherë është vetëm ajo që dëgjohet në sipërfaqe. Muzika është shpesh pasqyra më e sinqertë e një shoqërie.
Këtë mendim mua ma përforcon pafund muzika e artistit Letskillua. Të kuptohemi, personalisht mua ky zhanër i muzikës më pëlqen edhe estetikisht (mund të jem mbase ndër të paktët e brezit tim, por realisht do të shkoj në koncertin e tij të 12 qershorit), por sot dua të flas për të sociologjikisht.
Albumin e tij “Brr” e kam dëgjuar sapo doli, e prej asaj dite të paktën edhe 10 herë të tjera. I kam shkruar Arisit (emri i vërtetë i artistit) se këngët e tij janë, në fakt, një analizë e mirëfilltë sociologjike e një pjese të realitetit të të rinjve shqiptarë, për të cilën thuajse kurrë s’flitet në këtë këndvështrim. E kam ngacmuar pak për faktin që tashmë ai është kaq i famshëm, por edhe përgjigjja e tij: “Unë s’jam i famshëm, jam thjesht një njeri i zakonshëm që e njohin shumë njerëz”, ma forcon edhe më shumë idenë se, duke dëgjuar këngët e tij, ne në fakt mund të ndjejmë të dokumentuar ankthin urban të një brezi që është rritur shumë shpejt emocionalisht.
Më jepni pak kohë t’jua shpjegoj shkurtimisht atë që mësova e kuptova unë përmes këtij albumi dhe leximeve bashkëkohore.
Lloji i stilit të muzikës në të cilin është shkruar ky album quhet trap. Më ndjeni, kështu quhet. E nëse kjo ju shqetëson si fjalë banale, epo bëhuni gati, se në këto këngë do të dëgjoni shumë të tilla.
Trap-i lindi në lagjet e varfra të Atlantës si muzikë mbijetese. Ky stil është zëri i njerëzve që jetojnë mes dhunës, mungesës së mundësive dhe dëshirës obsesive për të dalë nga varfëria. Tashmë ai është një gjuhë globale e rinisë urbane. Edhe në Shqipëri apo Kosovë, trap-i nuk po kopjon thjesht Amerikën, por po përkthen në muzikë një realitet lokal.
Për çfarë flitet në këtë album? Në tekstet e albumit “BrrBrr” shfaqen paraja, statusi, burgu, vetmia, izolimi emocional. Mendoj se këtu fillon keqkuptimi mes brezave. Nuk është çudi që ne të rriturit të dëgjojmë glorifikim, ndërsa shumë të rinj dëgjojnë identifikim me këto këngë.
“Shokt e mi s’jan n’sezon t’verës / zakonisht at’koh janë n’burg”, thotë Killua, por mua s’më duket krenari. Me një melodi që më bën të kërcej nga karrigia ku jam ulur e shkruaj, këto vargje më duken edhe si normalizim tragjik i një realiteti social ku mungesa e perspektivës është bërë rutinë.
“Leku bro, kurr nuk fol gabim”, vazhdoj citoj, se ne e kthyem këtë tonën në një shoqëri ku paraja është autoritet moral. Institucionet, meritokracia dhe besimi kolektiv shpesh nuk funksionojnë.
E di që në realitetin tonë, ku ca “të famshëmve” iu desh të lexonin titra anglisht për të kuptuar gegnishten, tekstet e Killuas mund t’iu vijnë pak si rëndë. E këtu nuk kam parasysh zhargonin e rrugës e fjalët e “pista”. Kam parasysh drejtpërdrejtësinë me të cilën ky djalë na tregon se çfarë iu bëmë ne atyre. Se si shoqëria jonë ka sot në gjirin e saj një brez që e rritëm me idenë se fama, paraja dhe rrjetet sociale do ta bënin jetën më të lehtë. Po flet me thjeshtësinë më të madhe se si ky brez, në fakt, po përballet me vetmi, pasiguri dhe mosbesim. E po e bën këtë duke perifrazuar nga personalitete të letërsisë botërore (thua i kemi lexuar ne të rriturit vërtet gjithë autorët që përmend Arisi), personazhe të showbiz-it shqiptar, fjalë zhargoni të përziera me anglishten, që tashmë është ulur këmbëkryq në të folmen e të rinjve.
Nuk më duken thjesht këngë… më vijnë më shumë si rezonanca me kontraste të forta të asaj që është realiteti në shumë cepa të vendit tonë, me atë që glorifikojmë ditë pas dite në mediumet publike.
Agresiviteti i trap-it në këtë album është, në fakt, duke ulëritur një ndjeshmëri të madhe emocionale. Këngët vijojnë njëra pas tjetrës. Mungesa e dashurisë, humbja e saj, nevoja për të, seksi në kërkim të saj… “Në fest i vetëm / kërcej për ty”… ky varg është ndoshta një nga përkufizimet më moderne të vetmisë urbane.
Në një nga daljet e tij publike pas albumit, Letskillua thotë se ka lënë pas “një version naiv” të vetes dhe se tani e kupton “hipokrizinë” e industrisë dhe njerëzve. Dyshoj fort se ai po flet veç për muzikën.
E kjo është arsyeja pse muzika është kaq e rëndësishme sociologjikisht. Ajo nuk na tregon vetëm çfarë dëgjon një brez. Na tregon çfarë ndjen ai brez, çfarë ëndërron, çfarë fsheh dhe çfarë i mungon.
Më besoni, ia vlen shumë ta dëgjosh këtë album. Më vjen të them se problemi ynë është shumë më tepër sesa paragjykimi se të rinjtë po dëgjojnë muzikë të keqe. E vërteta e thjeshtë është se muzika po na tregon një shoqëri që nuk duam ta pranojmë. E ndoshta, se për ta ndryshuar, po bëjmë shumë pak.