Të vërtetat e thjeshta

Si të ruajmë fëmijën brenda vetes

Si të ruajmë fëmijën brenda vetes

“Ne fëmijët gënjejmë nga halli se do të na dënoni, kurse ju të rriturit… po si gënjeni kështu për qejf ju? Edhe për gjëra më të vogla?” Pyetje si kjo janë çastet që sjellin te unë nevojën e jashtëzakonshme, në këtë përvojë jete, për të kuptuar: po pse, xhanëm, sa kohë jemi fëmijë jemi kaq të drejtpërdrejtë, plot ngjyra e të vërtetë, e pastaj, duke u rritur, humbasim uniken e tentojmë të bëhemi unison? Pse dreqin s’rrimë dot njerëz interesantë e të vërtetë? E pra, vajza që e bëri pyetjen që nisi shkrimin tim sot, ka të drejtë. Fëmijët gënjejnë zakonisht nga frika e ndëshkimit. Është një gënjeshtër e çastit, instinktive, pothuaj transparente. Ndërsa ne të rriturit, shpesh, gënjejmë nga frika e përballjes. Ndoshta jo për të shmangur një qortim të menjëhershëm, por për të ruajtur një imazh, një status, një ekuilibër të brendshëm që na është bërë i domosdoshëm. Ndodh kështu një kalim i padukshëm: nga sinqeriteti i menjëhershëm te konformizmi i qëndrueshëm. Njeriu i rritur mëson të përshtatet, të mos bjerë në sy, të mos prishë ritmin e përgjithshëm. Shpesh, pa e kuptuar, e humbim uniken brenda nesh, e nisim të jetojmë më shumë si pjesë e një unisoni sesa si një zë më vete. Fëmijët e kanë ende këtë “lehtësi të rrezikshme”. Ata nuk e dinë ende se duhet të jenë të kujdesshëm me emocionet, me mendimet, me fjalët. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye janë më të vërtetë. Nuk e filtrojnë jetën për ta bërë të pranueshme; e jetojnë ashtu siç u vjen. Në psikologjinë e zhvillimit, Jean Piaget e përshkruan këtë periudhë si një fazë ku mendimi nuk është ende i ngurtësuar nga strukturat logjike të të rriturve. Donald Winnicott, pediatër dhe psikoanalist britanik, na ka sugjeruar konceptin e “hapësirës tranzicionale”. Sipas tij, fëmija nuk jeton vetëm në realitetin e jashtëm apo vetëm në botën e brendshme, por krijon një “hapësirë ndërmjetëse” ku lind loja, imagjinata dhe objektet e para simbolike, si lodrat, batanija e preferuar, shoku imagjinar. Kjo hapësirë është themelore për kreativitetin dhe aftësinë për të jetuar një jetë emocionale të shëndetshme. E pra duket se është saktësisht kështu. Një fëmijë mund të shpikë një histori nga asgjëja, të qeshë me diçka që ne të rriturit as nuk e vëmë re, të ndërtojë një botë të re në një kuti këpucësh... Dhe ne e shohim, të qetë që ai po merret me diçka, nuk e pyesim as atë e as veten nëse kjo është serioze apo e dobishme. Ai thjesht po jeton. Po krijon. Po e zgjeron realitetin pa e kufizuar. Derisa e humbasim fëmijërinë , ngadalë, pa e vënë re, në mënyrën si fillojmë ta shohim botën. Me kohën, aftësia për të imagjinuar e për të guxuar me krijimin zëvendësohet nga diçka tjetër: rregulla, vlerësimi sipas pritshmërive, roli social. E nis kështu (tashmë gjithnjë e më herët) një proces i heshtur, ku njeriu fillon të mësojë jo si është, por si duhet të jetë. Sociologu Erving Goffman e quan këtë ndërtim të “maskave sociale”, dhe shpesh më duket se ne të gjithë fillojmë t’i veshim këto maska pa e kuptuar saktë se kur ndodh kalimi. Do ta kisha vijuar ndoshta ndryshe këtë shkrim të nisur disa ditë më parë, sikur sot lutja e Dionit që të gëzohej për gëzimin e atij që do të fitonte garën, të mos më kishte hedhur në këtë degë tjetër mendimesh. Fëmijët kanë edhe një aftësi që ne të rriturit e humbasim ngadalë: gëzohen me gëzimin e tjetrit pa e analizuar, pa e krahasuar, pa e peshuar. Në psikologjinë zhvillimore kjo lidhet me empatinë spontane, që studiues si Martin Hoffman e kanë përshkruar si më të pastër në fëmijëri, para se të ndërhyjnë krahasimi social dhe përvoja e konkurrencës. Ne rritemi dhe edhe kjo aftësi fillon të zbehet.

Thua bëhemi më të këqinj? Mbase jo, bëhemi thjesht më të kujdesshëm, më të mbrojtur, më të mësuar me kufijtë që vetë shoqëria vendos.

Po si t’ia bëjmë?

Mund të ketë shumë mënyra, por sot më lindi ky mendim i thjeshtë: ndoshta nuk jemi gjithmonë ne të rriturit apo prindërit ata që duhet t’u mësojnë fëmijëve si të jetojnë. Ndonjëherë (jo rrallë në përvojën time) janë fëmijët ata që na kujtojnë si jetohet. Ata janë edhe kujtesa jonë më e sinqertë se si duket jeta, kur ende nuk mësohemi ta bëjmë të ndërlikuar.