Të vërtetat e thjeshta

Shumëfishoje të mirën!

Shumëfishoje të mirën!

Shkrimi i kësaj jave po hyn “pa radhë”.

Në plan kisha bërë gati një tjetër, mirëpo kur diçka ndodh e unë gjykoj se ia vlen, pse mos me u ndalë?

Të enjten në Shkodër nisi Zafest, një festival nismë e Vlashent Satës prej 2017-tës.

Në oborrin e një shtëpie karakteristike shkodrane si ajo e Oso Kukës, njerëz të moshave të ndryshme, u bënë bashkë në një mbrëmje të parë, që më pas vijon me dy net të tjera me shumë më shumë publik në Kështjellën e Rozafës. ( jeni ende në kohë të arrini sonte te e treta)

Personalisht e kam shumë për zemër këtë ngjarje kulturore, e s’jam ndalë duke e ndjekur e duke e promovuar prej herës së parë. (Edhe pse në nisje të shtatzënisë, mora rrugën e Thethit, që në ato vite ishte realisht e tmerrshme.) Kjo sa për hyrje.

Po kthehem te nata e parë e këtij viti, arsyeja që nxiti këtë shkrim. Mes vapës e pasigurisë a do të rrinte mirë, vendosëm me e marrë me vete vajzën e vogël (me të kam qenë shtatzënë në edicionin e parë, ndaj festivali është sa ajo😊), e u nisëm për Shkodër bashkë me disa kukulla, një fletore e një kuti me ngjyra.

Gjatë shfaqjes, patëm mundësi me dëgju tingujt e Vlashentit që shoqëruan poezinë e Ndre Mjedës, interpretuar nga Rafael Hoxhaj, me pa një ekspozitë nga të rinj të dymbëdhjetë vendeve, me marrë pjesë në bisedën me Lorik Canën e Arbër Agalliun, për dokumentarin e tyre “ Udha” kushtuar arbëreshëve në Itali, e në fund me shiju nën një fllad të lehtë, që natyra nuk na e kurseu, solo projektin e Petrit Çarkaxhiut ( I bëni mirë vetes nëse e kërkoni në YouTube krijimtarinë e tij).

Nuk dua të ndalem në më shumë detaje, ky në fakt nuk është një shkrim që i kushtohet mirëfilli festivalit. Por festivali i kushtohet njerëzve, e ndaj vëmendja ime u ndal sot.

Nuk na ndodh shpesh të jemi dëshmitarë të bisedave, muzikës, filmit, fotografisë, që dëshmon njerëzoren, e që peshën e çon te e mira. Shpesh madje themi pse dreqin në vendin tonë nuk po arrijmë të ndihemi mirë si shoqëri, pse na vjen gati turp prej shumicës, ose më mirë të them jo shumicës së vërtetë, por asaj që merr më shumë zë e vëmendje? Pse kur jemi jashtë bëhemi më patritotë me raste, e me raste të tjera shpejtojmë edhe brenda vendit, që fëmijët tanë të mos e flasin gjuhën e prindërve? Dhe fajin për këtë e kërkojmë te qeveria, te institucionet, te shoqëria në përgjithësi…

E pra atë natë, gjithë sa mora me vete janë këto mendime që dua t’i ndaj sot me ju:

Gjërat janë të thjeshta #tëvërtetatëthjeshta. Para se t’i komplikojmë, le të ndalemi te e mira që kemi brenda e t’ia çojmë atë edhe tjetrit, si kapiteni Lorik Canaj psh: patriot /i talentuar/ elokuent / i qartë / i bukuri i dheut / (renditjen bëjeni vetë 😊). Ai pas kontributit në sport, ka zgjedhur të promovojë kulturën shqiptare e ta bëjë këtë thjesht, pa tam-tam. Ta tregojë thjesht, pasi e ka jetuar në vetën e parë e po aq me thjeshtësi njerëzore, të ndalë rrëfimin për të përgëzuar Vllazninë… (qetësinë e një oborri që dëgjonte tërë veshë e sy e “prishi” brohorima e tifozëve shkodranë që ndiqnin ndeshjen e radhës në stadiumin “Loro Boriçi” aty pranë).

Ose si Vlashenti, Petriti, Rafaeli, Arbri…për të përmendur ata që u ngjitën në skenë me artin e tyre…e më pas Arbana, Klodi…Olti..Ana, Arseldi, Tea…ata që punojnë fort në prapaskenë, …ose si ata spektatorë të çdo moshe, që hapin zemrat për të tillë art e bisedë… të gjithë me pasionin e dikujt që do t’i japë zë të mirës.

Merre pra të mirën që ke vetë brenda, merre mundësinë t’ia përçosh tjetrit. Mos prit të tjerët, institucionet, qeveritë, bëhu ti përçuesi i të mirës, me aq sa ke, me aq sa mundesh. Mos e lër veten në dorë të tjetrit, e mos harro se para “se me pritë me na e ba tjetri, e bajmë na për vedi” siç thotë Vlashenti në një nga këngët e tij…

Të mirën tënde, përçoja fëmijës tënd, e do ndihesh edhe vetë më i mirë. E ndoshta kështu secili prej nesh mundet ta bëjmë të mirën më të madhe, shoqërinë më të bukur, ashtu si ai grup spektatorësh që i mbushi zemrat, e nganjëherë edhe sytë atë natë të parë të Zafest.

…Mbi barin e oborrit, vajza ime e vogël jo vetëm ndenji mirë…por shijoi “piknikun” me një kolonë zanore speciale. Ndoshta shumë gjëra kur të rritet nuk do t’i kujtojë, por jam e bindur që shijen e mirë do ta marrë me vete, e dashtë Zoti do ta kërkojë e do ta shumëfishojë prapë!