Të vërtetat e thjeshta

Shqipëria jam unë

Shqipëria jam unë

Tbilis, Gjeorgji. Gara e këngës më të mirë europiane për fëmijë mbahet këtu këtë vit.

Për herë të parë kënga që përfaqëson Shqipërinë êshtë përzgjedhur nga Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë që mbajti këtë vit edicionin e tij të 63-të sigurisht në Shkodër.

Kënga e krijuar në çdo komponent nga Adrian Hila, interpretohet plot energji e hare nga 9 vjeçarja Kroni Pula.

Këtu do të ndalem pak. Sepse ky shënim lindi nga përgjigjia më spontane e saj.

Në hollin e hotelit, ku përzihen fëmijë e të rritur nga gjithë Europa, dikush pyet : kur këndon Shqipëria?

E xhixha e vogël u përgjigj pa drojë:

18, unë këndoj e tetëmbëdhjeta. Shqipëria jam unë.

Më bëri kaq shumë përshtypje kjo përgjigje në dukje naive.

Është saktësisht kështu Kroni. Ti je Shqipëria. Ti dhe Tjoena, Klesta, Nikol, Elia, vajzat e Albi Nako Dance studio që të shoqërojnë në skenë.

Ti je Shqipëria. Ti dhe Noeli, Hea, Edeni, Klevi e Hana, grupi i bashkëmoshatarëve vullnetarë të festivalit të fëmijëve, që për herë të parë janë në këtë garë për të mbështetur edhe në promovim fëmijën që na përfaqëaon kaq bukur.

Për çdo gjë tjetër në Shqipëri, që s'është kaq e bukur, e çiltër, energjike e plot hare është faji e në mos, përgjegjësia e ne të rriturve. Ne duhet ta kuptojmë sa më parë se Shqipëria jeni ju. E duhet të bëjmë më të mirën për ju, për të. Mjaft tundëm flamuj e tam-tame. Patriotizmi i vërtetë nuk matet vetëm me deklarata apo simbole, por me mënyrën se si një shoqëri kujdeset për fëmijët e saj në jetën e përditshme. Një shprehje e Nelson Mandela, më duket si konkretizimi më i mirë i këtij mendimi që dua të shpreh. “Nuk ka zbulim më të mprehtë të shpirtit të një shoqërie sesa mënyra se si ajo i trajton fëmijët e saj”. Kujdesi ditor për ushqimin, shëndetin, arsimin dhe sigurinë e fëmijëve është një formë e heshtur, por thelbësore edhe e dashurisë për atdheun. Fëmijët janë burimi ynë më i çmuar dhe shpresa jonë më e madhe për të ardhmen, çka do të thotë se çdo veprim i përditshëm që i mbron, i edukon dhe i mbështet ata është akt patriotik. Faktet po na tregojnë përditë se ne iu kemi hyrë shumë në hak të vegjëlve tanë. Asgjë e askush nuk mund të justifikojë neglizhencën ndaj fëmijëve, sepse një shoqëri që nuk kujdeset për ta sot, rrezikon të humbasë të ardhmen e saj nesër.

p.s. : le ta nisim me një veprim të thjeshtë.:)

Shkojmë në faqen e web -it të Junior Europe Song Contest https://vote.junioreurovision.tv/ votojmë për Kroni Pula me numrin 18, edhe për dy shtete të tjera që vota të jetë e vlefshme. Votimi është falas. E ky është pikërisht një nga ato rastet e thjeshta kur "mjafon dëshira" e ne mund t'i tregojmë fëmijëve vëmendjen e kujdesin tonë.