Të vërtetat e thjeshta

Rrite botën ndryshe

Rrite botën ndryshe

Ka disa tema të cilave iu rrotullohem e iu ik, sepse së pari nuk dua të lëndoj askënd, e së dyti, sepse kam zgjedhur tashmë prej kohësh, që shoqërisë sonë dhe sjelljeve të saj t’iu vë një filtër pozitiv. D.m.th. të shoh diçka pozitive e prej saj të nisem për të dhënë edhe unë mendimin tim. Apo si në rastin e sotëm ta gërshetoj me mendime të studiuesve të ndryshëm, kudo në botë.E pra për temën e sotme, frymëzimin ma dhanë jo një, por dy ngjarje të bukura.

E para ndodhi në Shkodër 😊.Mora një ftesë për të qenë në një takim me një titull që i bën nder ditëve që jetojmë. “Gra që ndriçojnë”, dukej si një takim për të celebruar gratë dhe përpjekjet e tyre. Sigurisht që e pranova me shumë dëshirë ftesën. Më duhet ta them se ai takim në oborrin e një shtëpie shkodrane rezultoi të ishte shumë më shumë se një mbledhje vajzash e grash. Me lehtësinë që krijon një mjedis ku gjithçka duket bukur, ushqimi është i mirë, biseda e ngrohtë e madje nuk mungojnë as dhuratat, aty u fol për një temë që në fakt nuk para e prekim lehtë, aq më pak të tentojmë që ta zgjidhim lehtësisht. E pra më shumë se 30 gra e vajza kuptuam që na kishin ftuar për të kërkuar mbështetjen tonë për të ndihmuar një çështje që ende e flasim si nën zë. Si mundemi ne të bëhemi bashkë për të nisur një seri me veprimtari që mund të lehtësojnë jetën dhe përpjekjen e nënave, familjeve me fëmijë që kanë aftësi ndryshe e kanë nevojë për një ndihmë të specializuar? Idetë nuk munguan, as përfshirja e çdo pjesëmarrëseje aty për të dhënë ndihmesën e saj, konkrete, të mirë menduar, të dobishme. Ju premtoj që në të ardhem do t’ju njoh me çdo nismë që mund ta fuqizojmë së bashku,

Po këtë javë ndoqa me kureshtje dhe vlerësim, rrëfimin e Jonida Maliqit (faleminderit Zefina që me shkrimin tënd më nxite ta dëgjoja). Fjalët e saj për marrëdhënien me të birin, sfidat dhe arritjet e mbi çdo gjë dashuria, të thëna aq thjesht e me vërtetësi, janë ndoshta mesazhi më i fortë që kjo artiste mund të ketë bërë në jetën e saj shumëvjeçare publike.

Kështu që këto nxitje të forta pozitive mendova se mund të jenë një nisje e bukur e shumë konkrete për shënimin tim të kësaj jave.

Çdo prind ka një periudhë të jetës kur fillon të shqetësohet për diçka që vëren tek fëmija i tij. Aq më tepër kur nis ta krahasojë me fëmijët e të tjerëve. Nuk flet shpejt, flet shumë, është shumë energjik, është shumë i tërhequr, e bezdis ushqimi, ka dëshirë të hajë çdo gjë, qan për gjumë, trembet kollaj, është shumë i ndjeshëm… Frika na përfshin të gjithëve, edhe dyshimet, edhe ngutja për të lexuar online. Shpesh nga kjo frikë edhe mohojmë, shpesh pyesim veten pse po na ndodh ne kjo gjë, ku kemi gabuar… po ndoshta pyetja më e mirë është në fakt një tjetër:

Çfarë po përpiqet të më tregojë fëmija im?

Këtu jo gjithmonë mund ta gjejmë vetë përgjigjen, na duhet ndihma e dikujt që kupton, lexon, studion, vëzhgon. Por krahas terapive që duhen bërë patjetër sa herë janë të nevojshme, e pa cenuar asnjëherë rolin e mjekëve e specialistëve të fushës, sot desha të ndaj me ju qëndrimin që reflektojnë një sërë studimesh e vëzhgimesh nga përvoja më e mirë ndërkombëtare. Në literaturën bashkëkohore të psikologjisë së zhvillimit, studiues si Thomas Armstrong, Temple Grandin dhe Barry Prizant flasin për konceptin e neurodiversitetit, duke theksuar se shumë nga dallimet në mënyrën si fëmijët mendojnë, ndjejnë dhe mësojnë janë pjesë e diversitetit njerëzor dhe jo domosdoshmërisht një problem që duhet korrigjuar.

Shpesh herë, fëmijët që na duken ndryshe, nuk kanë nevojë që të korrigjohen, por duhen kuptuar, duhen përshtatur me gjuhën tonë. Intensiteti me të cilin ata e kuptojnë këtë botë që ndryshon përditë është i ndryshëm nga i yni. Ka shumë raste që problemi nuk është te fëmija, por te pritshmëria jonë për të. Ne kemi ndërtuar në kokë një format “normaliteti” e presim që fëmija ta ndjekë atë etapë pas etape. Por zhvillimi i fëmijës nuk është as i njëjtë për të gjithë e as uniform. Pas shqetësimit tonë për ndryshimin, nuk duhet të qëndrojë frika apo lëndimi se fëmija ynë nuk është i mirë mjaftueshëm. Ne nuk duhet të vrapojmë për ta korrigjuar domosdoshmërisht. Si fillim duhet të vërejmë me kujdes, të pyesim, të përpiqemi maksimalisht për të kuptuar. Një fëmijë me shumë energji ndoshta po lëviz shumë pak, ndoshta po ushqehet në mënyrë të papërshtatshme për moshën, ndoshta ka thjesht nevojë të vrapojë. Një fëmijë me mungesë përqendrimi ndoshta është mirë ta mësojmë me një metodë tjetër, e tek ata me shumë ndjeshmëri, mbase duhet të mësohemi të vlerësojmë inteligjencën emocionale që e kanë zhvilluar më shumë se ne. Shpesh herë gjëja më e mirë që mund të bëjmë ne si prindër është të jemi të gatshëm të mësojmë bashkë me fëmijët tanë. Të pranojmë si fillim se ndihma më e madhe që mund t’u japim fëmijëve tanë është t’i shohim si individë, e jo si një problem që duhet zgjidhur. Kjo do të thotë të kërkojmë këshilla nga specialistët kur duhet, të jemi të hapur ndaj metodave të reja të edukimit, por mbi të gjitha të krijojmë një mjedis ku fëmija ndihet i sigurt të jetë vetvetja. Na duhet ta nisim nga vetja, edhe pse kjo mund të na duket gjëja më e vështirë. Shumë nga fëmijët që sot duken të vështirë do të jenë nesër ata që do të mendojnë ndryshe, do të krijojnë ndryshe dhe do ta ndryshojnë botën. Dhe ndoshta e vërteta më e thjeshtë është kjo: Le t’i ndihmojmë të rriten në një botë ndryshe, ata nuk kanë nevojë që ne t’i bëjmë si të tjerët. Kanë nevojë që dikush t’i ndihmojë të bëhen versioni më i mirë i vetes.