Të vërtetat e thjeshta

Prindërimi s'ka nevojë për publik

Prindërimi s'ka nevojë për publik

Ka disa të vërteta që janë kaq të thjeshta, sa ne i anashkalojmë. Jo sepse nuk i dimë, por sepse nuk na leverdis t’i pranojmë. Njëra prej tyre është kjo: fëmijët tanë nuk janë prodhime/përmbajtje për publikun. Secili prej nesh tashmë mund të fotografojë, filmojë, të shpërndajë. Sidomos ne prindërit, sidomos fëmijët tanë. E bëjmë këtë me krenari, dashuri. E bëjmë se duam të tregojmë lumturinë tonë, e deri këtu duket si diçka krejt njerëzore. Duket se e bëjmë të shtyrë nga dashuria, të paktën në shumicën dërrmuese të rasteve. Por… ka gjithmonë një por… mes dashurisë dhe ekspozimit ka një vijë të hollë. Dhe shpesh e kalojmë pa e kuptuar.

Një sukses i fëmijës bëhet shkak për një postim lëvdues, një dështim për një status motivues, një pozicion qesharak kthehet në një postim për të na bërë të qeshim… duket se çdo çast të jetës sonë po duam ta kthejmë në një përmbajtje. Për të mos folur pastaj për ngjarjet artistike në shkollë, festat e ditëlindjeve… shumë nga veprimet tona kushtëzohen nga si do të duken, si do t’i postojmë. Ca miq të mi që kanë biznes organizimin e festave për fëmijë, më tregojnë se pak kush tashmë kërkon personazhe ose lojëra me animatorë që fëmijët të argëtohen. Shumica e prindërve (mamat sidomos) kërkojnë skenografi, dekor, kod veshjeje dhe blice… blice ngado për foto e video që duhen postuar me një lloj urgjence madje. Duket sikur ne nuk po ia vëmë veshin fare që intimitetin po e zhvendosim nga shtëpia në ekran.

I dimë ne të gjitha këto, por pak përsëritje, si një ujë i ftohtë fytyrës, nuk besoj se na bën keq.

E vërteta e parë, qartë e thjeshtë: fëmijët e sapolindur apo edhe derisa arrijnë një moshë të caktuar kur ndërgjegjësohen, nuk zgjedhin të jenë publikë. Bebet apo vogëlushët tanë nuk na kanë dhënë pëlqim për prani digjitale që do t’i ndjekë tërë jetën nga pas. Rrjetet sociale nuk janë albumi që e lëmë në cep të tavolinës e mund t’jua tregojmë kur të rriten. Interneti është hapësirë krejt e hapur. Çfarë hedhim, mbetet aty. Sot ne mund të qeshim me diçka e ta postojmë për t’u dukur simpatikë, por pak kohë më vonë ajo mund të bëhet shkak që fëmija ynë të ndiejë bezdi, turp, apo edhe t’i bien në qafë shokë a të panjohur. Ne si prindër kemi detyrimin të mbrojmë kufijtë e fëmijës, jo t’i ekspozojmë për “gallatë” apo në pritje të reagimeve virtuale. Etika jonë si prindër përballë fëmijëve tanë këtu është shkelur me të dyja këmbët.

E dyta: çfarë ndodhi me “mos u fol të panjohurve”? Pse kaluam nga “mos i trego kujt ku e ke shtëpinë, ec rrugës me shumë njerëz, mos rri vetëm në mjedise të pasigurta” tek… le të publikojmë shkollën, rutinën, vendndodhjen, aktivitetet? Siguria nuk është paranojë. Pse ne po ndërtojmë online një hartë të detajuar të jetës së tyre? Të dhënat sot janë kapitali, monedha me të cilën e për të cilën rropaten në çdo hapësirë online, e atëherë ne pse po “falim” kaq shumë informacion? E bëjmë padashje, por a nuk është koha ta kuptojmë se është njëkohësisht edhe rrezik? Pse ta lëmë të keqen me një “Zot, larg nesh”?

Së treti: e kjo është pak më e fshehtë. Ne nuk jemi rock star. Ata kanë një agjendë tjetër, publikojnë në funksion të markës së tyre. Çdo publikim ka pas një faturë. Po ne? Pse ne po i shohim rrjetet sociale si skenë dhe pëlqimet e të tjerëve si duartrokitje? Pse po bëjmë sikur fëmijët tanë janë produkte e jeta jonë dhe e tyre bashkë një spektakël? Ne nuk jemi rockstar që po pasionojmë fort njerëzit ku jemi e çfarë po bëjmë, për hatër të kronikës rozë që përkthehet në më shumë vëmendje, lexo fitim. Duke postuar gjëra personale, në rastin më të mirë thjesht nxisim thashetheme, thashetheme që pastaj ne vetë na bezdisin… Por ato janë e keqja më e vogël. Fëmijët tanë rriten me kamerën mes jetës reale dhe vetë nesh, e të gjithë performojmë. Jeta jonë bëhet material për postim. Arritjet apo sukseset nuk janë motivi për të punuar më fort, por përmbajtje për postime me më shumë pëlqime… e për dreq, postimet që bëjnë më shumë “sukses” jo gjithmonë janë ato me më shumë ide e vlerë brenda. E kështu rrisim fëmijë që mësohen të jetojnë “nën dritat e kamerës”, që çdo gjë bëhet për publikun…se njerëzit kanë vlerë sa më shumë shikime të marrin, e për hatër të tyre, edhe intimiteti mund të jetë krejt i negociueshëm. E pra ky është gabimi ynë i madh. E kotë që pastaj në adoleshencë t’iu flasim ta heqin atë celular nga dora.. e kemi shtruar vetë atë rrugë…

Familja nuk është marka jonë, as fëmijët nuk janë prodhim për përmbajtje postimesh. Jemi qenie njerëzore që kemi nevojë për hapësira që të rritemi, jo për ekspozim.

Prindërimi ka një përgjegjësi të fortë që e shoqëron prej gjithmonë: të dish të vësh kufijtë e qartë. Jo vetëm për atë që bëjnë fëmijët. Mbi të gjitha për atë që bëjmë vetë. Prandaj ndoshta është më mirë që para çdo vendimi për të bërë publike diçka që lidhet me ta, ta pyesim veten: po të isha 7 vjeç, a do të doja ta tregonin këtë për mua? Shpesh përgjigjja do të jetë jo, kam frikë. Ndaj edhe veprimi duhet të ndalet.

Nuk jemi prindër më pak krenarë nëse jemi diskretë. Thjesht tregojmë më shumë respekt për fëmijët tanë, që janë humanë, përtej nesh. Prindërimi nuk ka nevojë për publik. Ka nevojë për prani. Dhe prania nuk matet me ndjekës.