Të vërtetat e thjeshta

Prindërimi digjital, sfida jonë e radhës

Prindërimi digjital, sfida jonë e radhës

Në nisje të kësaj jave, u bëmë bashkë disa prindër e fëmijë për të folur mbi teknologjinë.

Nisma ishte shumë e mirë dhe gjërat që më bënë përshtypje e që padiskutim dua t'i ndaj me ju, akoma më shumë interesante.

Së pari, fëmijët janë të zgjuar, kanë informacion shumë më shumë sesa ne mendojmë.

Ne si prindër iu bëmë atyre pyetje, shpesh herë shumë më naive, sesa përgjigjet e tyre.

Ata na thanë që rrjetet sociale i përdorin për të parë, se një llogari iu duhet për të ndjekur të tjerë, por kur vjen puna për të postuar vetë, kujdesen të fshijnë, editojnë, kamuflojnë detajet e tyre personale.

Fëmijët nga 9-15 vjeç na treguan se në lojërat online e dinë që nuk duhen hapur kamerat, edhe kur dikush ta kërkon, e dinë që luhet me profile artificialë, e nuk mund të gjesh shokë real në këto komunitete virtuale.

Sigurisht që na treguan për kohën që kalojnë duke gjetur materiale për shkollën... Më të vegjlit për Diturinë e Natyrës (në shkollat tona pa kabinete, nga do të shohin ata në praktikë sesi krijohet shiu psh..)

Më të rriturit kërkojnë për pasionet e kureshtjet e tyre: pse ka kaq tension në një ndeshje mes Shqipërisë e Serbisë? Çfarë luftrash janë zhvilluar në Ballkan? Cilat janë arsyet që e nxisin njeriun të bëhet kriminel? Çfarë thotë psikologjia për këtë, apo cilët prodhime të kujdesit vetjak mund të jenë të përshtatshme për vajzat që duan të krijojnë rutina në përshtatje me moshën e tyre (ku t'i gjejnë këto informacione... cili mësues, cili program i përshtatshëm për ta, cili prind ka përgjigjet për ta?)...

Përballë tyre...ne tregojmë sesi herë pas here heqim nga priza kabllon që sjell WiFi në shtëpi apo të mos paguajmë internet për celularët e tyre, në përpjekje për t'i larguar nga koha online.

Gati-gati jemi qesharakë...si prindërit tanë që dikur lironin siguresat që dritat të "iknin" e ne të mos lexonim deri vonë... të mos shihnim televizor në kanalet italiane a sllave...😁

Besimi im është ky:

Jam e bindur fëmijët dinë më shumë se ne për botën digjitale. Jam e bindur se teknologjia është një realitet që i përdorur siç duhet, mundet të jetë një instrument i fortë në përmirësimin e cilësisë së jetës.

Ka sigurisht pafund rreziqe, por cila gjë nuk ka? Ta shohësh rrezikun më të madh në ditët e sotme te koha e kaluar online, është thjesht naive nga ana jonë.

Neve na duhet të jemi të pranishëm, të flasim me fëmijët tanë, jo për të "hequr priza", por për të kuptuar çfarë ata duan, çfarë iu duhet atyre, çfarë iu shërben... ashtu siç përpiqemi t'iu mësojnë si të ecin, si të ngasin biçikletën, si të sillen me të tjerët. Na duhet të mësojmë gjuhën e tyre digjitale, që është e ndryshme nga e jona, por jo domosdoshmërisht e gabuar.

Ne na takoi të jemi pjesë e prindërimit digjital, le të mësojmë rreth kësaj, të shohim çfarë propozojnë specialistët, udhëzuesit, doracakët për këtë realitet.

Duhet ta bëjmë këtë, për të mirën e fëmijëve tanë!

Na duhet ta mësojmë këtë gjuhë të re. Na duhet të bindemi vetë e të sigurojmë fëmijët se mënyra më e mirë është komunikimi, se jemi aty për ta, duke u përpjekur t'i kuptojmë, t'i mbështesim, t'i motivojmë.

Në fund të fundit, ne themi shpesh që jemi brezi i të zotëve, që ia dolëm vetë, pa na falur gjë askush...le ta përballim me sukses prindërimin digjital.

Kush është gati, të ngrejë dorën!