Të vërtetat e thjeshta

Po ti çfarë fiton nga kjo?

Po ti çfarë fiton nga kjo?

Jam ulur mbi bar, në një kohë që gjatë ditës, e marr veç për vete. Jam me pushime me familjen, por koha për veten është diçka që nuk duhet ta lëmë kurrë pas dore. E kjo mund të quhet si këshilla 1 për sot😊

Po shkruaj shënimin për sot në kategorinë #tëvërtetatëthjeshta, që Tirana Post e publikon rregullisht çdo të shtunë, prej janarit të këtij viti.

Kjo pra është java e njëzet e shtatë. "Sa fiton nga këto shkrime?" - është një pyetje që nuk ma kanë bërë rrallë këta muaj. E teksa në kulturën tonë nuk është fort e habitshme t’i bësh dikujt një pyetje kaq të drejtpërdrejtë e private, më besoni, është shumë më i habitshëm reagimi i shumë njerëzve kur përgjigjia ime është se, këtë angazhim, unë e bëj vullnetarisht.

“Si? Pa asnjë lek?” Ka disa që vijojnë të pyesin për t'u siguruar që më kuptuan, se kjo “vullnetarisht” iu duket si fjalë e sjellë nga kohët e shkuara…

“Po ti nuk është se ke edhe ndonjë shikueshmëri që të bëhesh virale… ça fiton prej kësaj?” Këtu mua më vjen për të qeshur.

Dikush pastaj e mbyll duke thënë: “si nuk përton…” e këtu mua realisht më vjen keq për ta.

Unë jam sociologe, e profilizuar në komunikim prej shumë e shumë vitesh. Por këtë tashmë ata që më njohin apo edhe mund të më kenë ndjekur në këtë seri shkrimesh, e dinë. Ajo që po dua të them sot, është se të bëj gjëra që më pëlqejnë e që mendoj se janë të dobishme, është mënyra ime e të qenit, krahas punës, angazhimeve, prindërimit, familjes.

Të kem hapësirën që të tregoj mendimet e mia, reflektuar mbi lexime e vëzhgime, është një mundësi që Tirana Post ma dha pa asnjë hezitim, e unë realisht i jam mirënjohëse. Profesionalisht, kjo hapësirë më mban në komunikim të vazhdueshëm me publikun. Ditë pas dite vijoj të lexoj e të përball mendimet e mia me studiues dhe personalitete të fushës së komunikimit dhe mirërritjes së fëmijëve në mbarë botën. (Hapësirat që shoqëritë e zhvilluara iu japin në mediat e tyre janë shumë më shumë sesa në vendin tonë, fatkeqësisht për ne). Ditë pas dite kështu mësoj edhe vetë, e në daç besoni e në daç jo, duket se me këto shkrime kam krijuar edhe një komunitet prindërisht (kryesisht mamash), që kanë filluar të ndihen mirë që s’janë vetëm në mënyrën si e mendojnë, apo edhe të këmbëjmë informacione, ndjesi, mendime. Psh, shkrimi “Minimatura, maksimarrëzia” (link këtu) bëri që shumë e shumë mama të më shkruanin për të më falënderuar, apo edhe për të më treguar si nuk e fituan dot betejën me mamatë e tjera që nxitën fëmijët e tyre të merrnin limuzina, të visheshin si të rritur, të shpenzonin pafund për make up, apo edhe si ishin njëkohësisht mamatë më të këqija për fëmijët e tyre se nuk i lejuan këto, por ama më të mira vetë që këmbëngulën…

Të gjitha këto po i tregoj sot për një arsye të vetme: jo çdo gjë që bëjmë duhet materializuar në para. Jo çdo vlerë që krijojmë është e tillë nëse na sjell të ardhura.

Mendoj se këto duhet t’ua tregojmë fëmijëve tanë. T’iu flasim për rëndësinë e një pasioni, hobi…kalimi kohe..T’iu tregojmë se ndjekja e dëshirave, pasioneve apo edhe kontributi në shoqëri a komunitet me diçka që mendojmë se e bëjmë mirë, janë elementë që e ndihmojnë jetën tonë. Na ndihmojnë të rritemi, por edhe të ndjehemi të dobishëm. Na bëjnë të zbulojmë aftësi të reja tek vetja, t’i forcojmë ato. Na kënaqin. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme, shumë. Por kam frikë se për t’ua treguar më mirë fëmijëve tanë këtë, duhet ta bëjmë edhe vetë. E pikë së pari edhe ta besojmë. Ndaj ky shkrim është kryesisht për prindërit si unë, që teksa kanë shumë punë, angazhime e përgjegjësi, duhet patjetër të gjejmë kohën për vete, për pasionet tona, për të bërë diçka që mundet të na afrojë me tjetrin, a që mund të bëjë të ndihemi mirë ne, edhe tjetri. E kjo është për sot, këshilla numër 2.