Të vërtetat e thjeshta

Për një ditë të jashtëzakonshme, normale!

Për një ditë të jashtëzakonshme, normale!

Tungjatjeta!

Kjo është përshëndetja më e bukur në shqip, për mendimin tim. Ta nisësh a përfundosh bisedën me tjetrin duke i uruar zgjatjen e jetës, më duket një mënyrë shumë e mirë për të krijuar atmosferën e duhur që komunikimi të jetë pozitiv. Le që ka edhe variantet e shkurtuara Tung apo Tjeta... mund ta bësh edhe “cool”, dmth. :)

Nejse se i rashë disi gjatë për hyrje.

Tungjatjeta, pra!

Po dua të them se edhe një shprehje mund ta bëjë ndryshe ditën tonë, e cila... më falni për drejtpërdrejtësinë, në shumicën e rasteve do të jetë krejt e zakonshme, me rutinën dhe ecejaket që na kushtëzon përditshmëria. E pra ato xixat, fluturat në stomak, ngjarjet speciale, nuk do të jenë përditë të pranishme. Shpresoj shumë që ditë të jashtëzakonshme në kuptimin negativ, secili prej nesh të ketë sa më pak në jetën e tij, por për ato ne nuk mendojmë fort, nuk na ndodh shpesh të përgatitemi...

Kurse për ditë të jashtëzakonshme si nëpër filmat me fundin e lumtur, ah, për këto ne mendojmë shpesh. Të gjithë duam të na ndodhë diçka e jashtëzakonshme, të arrijmë çfarë s’kemi, të shkojmë ku deri tani s’mundëm... e të themi të drejtën, bota online nuk na e ka bërë fare më të thjeshtë këtë.

Imagjinoni tani fëmijët tanë.

Duke u përballur me këtë kohë “të çmendur” konsumizmi, ata janë në ngut për të arritur çfarë shohin, për të përmbushur atë që ka tjetri, e jo rrallë, për t’u mërzitur shumë apo rënë në apati, se nuk arrijnë atë që deshën, në çastin që e deshën. Sepse nesër del një gjë e re, e nis nga e para dëshira për ta pasur, stresi që s’e morën apo edhe ngopja me produkte që i zënë vendin njëri-tjetrit, pa zënë kurrë vend në zemër.

E pra kjo është sfida jonë, e radhës.

Së pari për vete, pastaj sigurisht për fëmijët.

Të mësojmë bashkërisht, ta pranojmë se shumica e jetës është e mbushur me ditë normale. E kjo nuk është problem, është thjesht kështu. E na duhet ta pranojmë veten në një ditë normale, në shumë të tilla.

Na duhet të mësojmë të gjejmë kënaqësinë në gjestet e vogla, në veprime, në fjalë, në rutinën tonë.

Lexova diçka shumë të bukur dje: po t’i pyesësh njerëzit për ëndrrat e të ardhmes, shpesh do të flasin për dëshira që përkthehen në famë, para, arritje të matshme fizike... kurse po t’i pyesësh për kujtimet, gjërat më të bukura të të shkuarës patjetër do të flasin për emocione, biseda, udhëtime, kohë me njerëzit e dashur.

E pra kjo është ftesa ime sot: ta mendojmë jetën tonë normale, si të mirën e madhe që po na jepet mundësia ta jetojmë, të përpiqemi fort për ditë të jashtëzakonshme, por të shijojmë gjithë sa kemi.

Ndonjë këshillë të vockël si mund të bëhet kjo, shkëputur nga leximet e kohëve të fundit, e gjeni më poshtë:

Provoni të krijoni një hapësirë të ditës apo edhe shtëpisë pa teknologji, as smartphone, as TV, as ekrane... veç veten, të afërmit.

Gatuani ndonjë vakt si veprimtari që bashkon familjen, jo si punë për t’u kryer. Përfshijini fëmijët në to.

Autorja Elif Shafak na kujton se në këto kohë të trazuara, arti e letërsia na duhen njëlloj si ajri e uji. Le të mos ia heqim vetes privilegjin e të dëgjuarit muzikë të mirë, apo leximin e një libri që na pëlqen, një film, një ekspozitë.

Le ta bëjmë këtë pjesë të ditës sonë të zakonshme.

Mund t’iu “shpallim” pushim një ditë mesjave fëmijëve tanë. Nëse janë të rritur aq sa mund t’i lëmë vetëm, një e mërkurë me shi, p.sh., mund të jetë ditë “e jashtëzakonshme” pushimi. Në këmbim, ata do të duhet të gjejnë pak kohë që të rregullojnë atë dollapin e rrobave, që gjatë ditëve të shkollës e bëjnë lëmsh, e që në fundjavë nuk e gjejnë dot hapësirën për t’u marrë me të.

Ose të rrinë kot, (pa ekrane), të mërziten duke mos bërë asgjë, për të kuptuar sa e bukur ishte dita dje, e sa mirë mund t’ia kalojnë sërish nesër, në shkollë. Ja kështu.

Deri të shtunën tjetër, tung :)!