
Kështu thoshte gjyshja ime kur ndonjë nga nuset e shumta, që hynin e dilnin në shtëpinë e saj, ankohej për rrëmujën e bërë nga nipat e mbesat. Ishte një fjali e thjeshtë, por e mbushur me jetë: rrëmuja nuk ishte barrë, por shenjë pranie.
Ne prindërit sot, shpesh nuk jemi shumë dakord me këtë. Ne besojmë se dhoma duhet të jetë në rregull. Ndryshe nga prindërit tanë, që rregullin e lidhnin me “po të na vijë dikush në shtëpi” apo “ç’do të thonë për ty e për ne që të kemi rritur”, ne sot duket se e kemi shpesh diku tjetër merakun.
Ne duam rregull sepse jemi të lodhur, sepse rrëmuja na rëndon, sepse kërkojmë hapësirë për veten tonë në një ditë të tejmbushur. Tundim “flamuj lirie” që na pengohen sapo duhet të vëmë rend, kërkojmë barazi në çift sikur ajo të matet me kush lan enët në darkë… dhe shpesh nuk e vëmë re se rrëmuja, apo mungesa e saj në shtëpinë tonë, mund të jetë një mesazh shumë më i thellë sesa thjesht çrregullim.
Rrëmuja e fëmijëve është gjuhë. Ajo flet për energji, për kureshtje, për trupin që lëviz, për mendjen që kërkon të provojë, të shpërndajë, të krijojë. Është një mënyrë për të lexuar fëmijërinë që po kalojnë.
Ka raste kur rrëmuja mungon fare. Shtëpia është e qetë, e rregullt, pothuajse e heshtur, sepse fëmijët janë futur cepave me telefona në duar. Dhe kjo mungesë rrëmuje fsheh një tjetër lloj boshllëku që realisht duhet të na shqetësojë.
Ka raste të tjera kur rrëmuja “ulëret” mungesën e lojës në natyrë, kohës me miqtë, sportit, lirisë për të qenë fëmijë jashtë mureve të shtëpisë. Ka raste kur ajo tregon mungesën e kohës sonë me ta, ose autoritetin që përpiqemi ta vendosim pa lidhje me nevojat e tyre reale.
Kjo nuk do të thotë se fëmijët nuk duhet të mësojnë rregullin. Përkundrazi. Rregulli është i nevojshëm. Por ai nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, përballë asaj që po ndodh më thellë. Rrëmuja nuk është gjithmonë problem për t’u zhdukur; ndonjëherë është sinjal për t’u dëgjuar.
Shtëpia jonë është pasqyra e jetës që ne bëjmë. Dhe nëse duam që fëmijët të rriten mirë, duhet të nisim prej saj. Të “lexojmë” shtëpinë tonë: lodrat e shpërndara, vizatimet nëpër tavolina, zhurmën, lëvizjen. Të kuptojmë çfarë po na thonë fëmijët përmes tyre.
Dhe ndoshta, mes gjithë lodhjes, të mos harrojmë edhe këtë: rrëmuja është shpesh gëzim. Është shenjë që shtëpia është e gjallë. Që ka të qeshura, hapa të vegjël, duar që kërkojnë botën. Një ditë ajo do të mungojë.
Dhe atëherë do ta kuptojmë më mirë sa e çmuar ishte.
Ndaj sonte kam një urim për ty që e lexon shënimin tim. Kur mes sistemimeve pas festave e përgatitjes për kopshtin a shkollën që nis të hënën, do vësh re se ka ende " lëmsh" në dhomën e ndeniejes, uroj të mbyllësh sytë e të mendosh sa u kënaq fëmija yt!