Të vërtetat e thjeshta

Pambuk, të lutem!

Pambuk, të lutem!

Këto ditë vëmendja ime është nga përgatitja e vajzës së vogël, për festën e abetares, drejt përgatitjeve të edicionit të 63-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë.

Mes shumë detajeve për tu kuruar, sigurisht: veshja!

E këtu kam një pyetje që s'ia gjej dot përgjigjen.

Pse po ngutemi me i rritë me paraqitje të papërshtatshme këta fëmijë?

Pse fustanet me bisht, me xixa, pantallonat e zeza, këmishat me papion....pse?

Pse festat e fëmijëve po i kthejmë në një garë prindërish, kush e largon më shumë fëmijën nga mosha e rehatia e tij?

Çfarë ndodhi me pambukun, pse po e heqim nga përditshmëria e fëmijëve?

Mendova mos këtë pambukun si zgjedhje të parë për fëmijët e mi, e kam çështje besimi personal, ndaj kërkova në studime e artikuj që trajtonin tema të ngjashme.

E pra pambuku më rezultoi, siç prisja, zgjedhja më e mirë për të veshur veten e fëmijët.

Shkenca sugjeron se ky material është:

*I përshtatshëm për lëkurë të ndjeshme.

*Lejon lëkurën të marrë frymë dhe thith lagështinë.

*Nuk ka kimikate të dëmshme, sidomos kur është organik.

*Nuk shkakton alergji si materialet sintetike.

*I sigurt për mjedisin.

Por kjo duket gati luks, para një problemi të madh estetik, por mbi të gjitha si edukim e respektim të drejtash.

Shpesh nga festat e abetares, te ato të minimaturës ( jemi brenda grupmoshës 6-15 vjeç) por edhe në gara talentesh e spektakle televizive, pamja e fëmijëve është krejt abuzuese.

Prindërit dhe kujdestarët kanë përgjegjësi të udhëzojnë fëmijët në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tyre, por shpesh jemi vetë ne të rriturit, që i shtyjmë, apo edhe më keq, i detyrojmë të veshin gjëra të papërshtatshme. Veshja e fëmijëve, ashtu si ushqimi, koha në natyrë, orët e gjumit... duhet të jenë në përputhje me moshën e tyre, për t'iu dhënë atyre siguri, rehati dhe ruajtjen e dinjitetit. Nuk mund e nuk duhet t'i përdorim fëmijët, nuk janë objekte komercialë....për të mos thënë edhe më keq, kur në mënyrë të kamufluar në reklama, programe televizive apo rrjete sociale me fëmijë abuzohet.

Nuk mundemi më kështu!

Është fyese, e gabuar, e padrejtë!

Thjesht: boll!