Pa festa, koha është një rrugë e gjatë drejt lodhjes!

Nga Manjola Lloja Bushati/ Zyrtarisht në dhjetor, e për shumë prej nesh, zyrtarisht në një periudhë që mban ngarkesat e gëzimet e festave.
Më lejoni të bëj një hyrje të shkurtër e disi më teorike,(një paragraf sociologji, sa për aperitiv:)
Referuar edhe përvojave botërore, edhe thënieve të njerëzve të mençur që ka njohur njerëzimi, festat dhe ceremonitë për t'i kremtuar ato, zakonet a ritualet që ne ndjekim, kanë një rol thelbësor në jetën e komuniteteve. Ato janë mënyra e duhur për të çuar para traditat e na mundësojnë të përjetojmë identitetin e përbashkët. Siç shprehet Michael J. Sandel,(studiues i filozofisë) “Ritet dhe festimet na kujtojnë se jemi më shumë sesa individë; jemi pjesë e një komuniteti moral.” Festat krijojnë emocione që mbeten gjatë, duke përforcuar lidhjet njerëzore, një ide që e përmbledh bukur shkrimtarja Maya Angelou: “Njerëzit do të harrojnë çfarë the… por kurrë nuk do të harrojnë si i bëre të ndihen.”
Në thelb, përjetimi i festave është mënyra më e natyrshme me të cilën kultura bëhet e gjallë. Sikurse theksonte studiuesin hollandez të shekullit të kaluar, Johan Huizinga: “Festa është momenti kur kultura e shfaq veten.” Për komunitetet me rrënjë të thella, festimi është edhe shprehje e forcës së tyre të brendshme, siç vërente shkrimtari e ish-presidenti çek Václav Havel, ndërsa Camus ( shkrimtari francez nga i cili guxova të marr titullin e këtij shënimi) na kujton se, pa festa, koha do të ishte thjesht një rrugë drejt lodhjes.
I përmblodha kështu këto perspektiva të personaliteteve të njohura, sepse dua të tregoj se të gëzosh festat, nuk është thjesht një veprim që kënaq "fëmijën brenda nesh" apo veç fëmijët. Me kohën që kalon, studiuesit e artistët na tregojnë se përjetimi i festave nuk është një aktivitet i zakonshëm social, por një mekanizëm i fuqishëm që prodhon kuptim, lidhje dhe mirëqenie kolektive.
Parimisht biem dakort mendoj.
Mirëpo...ka gjithmonë një mirëpo në shkrimet e mia.
Të ngarkuar me punën a mungesën e saj, të lodhur nga mendime që shpesh ia derdhim mbi kokë njëri-tjetrit në formë ankese, pa u përpjekur për zgjidhjen, shpesh pa motiv a të "ngopur"..ne të rriturit po i kthejmë festat në "një punë për t'u kryer".
Këtu tani po ju tregoj disa situata ku isha vetë e pranishme gjatë kësaj jave në vigjilje festimesh:
Ca kolege pune që "turfullojnë" për festën e kolektivit, ca mësues që e përsërisin pa përtim sa përtojnë të merren me festë për fëmijët, se boll u lodhën me festimet e nëntorit...ca të rritur të tjerë që e përkufizojnë bezdinë e tyre prej festave si "një periudhë që marrin kot të gjithë", apo ca të tjerë që stresohen se duhet të mbyllin 100 gjëra para festave, thua se festat janë një emergjencë e paparashikuar, që iu ndodh papritur. Pastaj vinë një pjesë e madhe që disi e përligjin tërë këtë zallamahi festive me shprehjen" për hatër të fëmijëve".
Sigurisht edhe plot të tjerë që e përjetojnë me gëzim, por me ata jam në rregull unë. Thjesht shpresoj të bëhemi më shumë kêshtu, ndaj edhe shkruaj.
E pra, të dashur të rritur, festat nuk janë punë, as detyrim, as nevojë për shpenzime të pallogaritura a të pamundura.
Nuk mund të mësojmë fëmijët të gëzojnë, nëse nuk gëzojmë vetë.
Festat janë një ftesë për të gëzuar atë të mirë që kemi, apo të këqijat që s'i kemi, për t'u bërë bashkë, për të ndarë me tjetrin...mund të vazhdoja gjatë kështu. Por e kam me merak të them se nuk duam, japim, gëzojmë dot tjetrin, qoftë ky edhe fëmija ynë, pa dashur, pa i dhënë, pa gëzuar veten!
Mbi të gjitha, festat janë një mënyrë për ta ndezur e mbajtur gjallë dritën brenda nesh. Dritën për shpresë, për shëndet, për jetën që vjen veç njëherë, për veten!
Këtë dhjetor, duhet të ndalemi pra pak, e t'i gëzohemi vetes. Ta rrethojmë me duart tona dritën e vogël brenda nesh, e cila nuk shuhet sa jemi ende në jetë, edhe kur gjithçka duket si në terr, edhe ta ndihmojmë të rritet.
Sa më shumë të "ndriçojmë" vetë, së brendshmi, aq më fort mund ta ndrisim jetën e atyre që duam, e veçanërisht të fëmijëve tanë!